84 vjet nga lindja e ikonës Vaçe Zela, dymbëdhjetë herë fituese e Festivalit të RTSH-së

Vaçe Zela ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës.

Ikona e këngës shqiptare Vaçe Zela, lindi më 7 prill 1939, me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.

Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Ajo dha një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçe Zela fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Që nga viti 2002, Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Ajo është e vetmja grua shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

Vaçe Zela vdiq më 6 shkurt 2014, në Bazel, Zvicër. / KultPlus.com

 

Më Shumë

Komuna e Prizrenit ngre shqetësimin për operimin e guidave ilegale turistike

Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik e Komunës së Prizrenit ka reaguar lidhur me praninë dhe operimin e guidave ilegale turistike në qytet, duke...

Në datëlindjen e 90-të të ikonës së kinematografisë shqiptare

Nga Fahri Musliu Më 1 Qershor të vitit 1936, u lind në Sarajevë, i mbështjellë me pëlhurë (këmishëz), se ashtu thonë se lindin njerëzit me...

Në breg të detit

Lajmet e Fundit