17.7 C
Prizren
E shtunë, 19 Prill, 2025

Paulo Coelho: Njerëzit po shkruajnë dhe lexojnë shumë për shkak të internetit

Paulo CoelhoSi fëmijë, jam ndikuar nga kulturat e vendeve të ndryshme, si ajo arabe, hebreje, amerikane. Shkrimtari nuk shkruan vetëm për rrethin e tij. Interneti është platformë e re dhe si shkrimtar kam gjetur këtë lloj platforme që ta përdor në proceset e shkrimit. Për shkak të internetit, njerëzit lexojnë dhe shkruajnë më shumë. Libri është shumë më i rëndësishëm se vetë shkrimtari. Përmes shkrimit synoj ta ndryshoj vetën e jo të tjerët. Flet shkrimtari Paulo Coelho.
z.Coelho, a jeni i interesuar për lidhjet mes kulturave të ndryshme?

P.Coelho:Një shkrimtar duhet të jetë i interesuar rreth kulturave të ndryshme, rreth mjediseve të ndryshme. Shkrimtari nuk shkruan vetëm për rrethin e tij. Shkrimtari duhet të shkruajë rreth vendit ku jeton, në mënyrë që vendet tjera ta kuptojnë atë. Ashtu sikur edhe e tha Tolstoi, ’gjithçka që ndodh në një fshat, ndodh edhe gjetkë.’

A jeni rritur me një qasje të tillë?

P.Coelho:Si fëmijë, jam ndikuar nga kulturat e vendeve të ndryshme, si ajo arabe, hebreje, amerikane, dhe kështu jam interesuar për to. Ne nuk kemi dëgjuar muzikë për hir të korrektësisë politike, por kemi zgjedhur nëse na pëlqen apo jo. Kur kam filluar të shkruaj, kam parë vetën si kontributin kryesor për manifestim. Atëherë edhe fillova të isha i interesuar.

A mendoni se sot ka më shumë lidhje kulturore se sa që kishte në të kaluarën?

P.Coelho:Sot, këto ura lidhëse i shoh në kolaps. Ngjan, sikur askush nuk është i aftë për të kuptuar njëri-tjetrin. Mendoj se është detyrë e imja, si qenie njerëzore, si një person që përpiqet, të rrisë rëndësinë e lidhjeve miltikulturore. Përderisa, ekziston një lidhje, atëherë asgjë nuk është e humbur. Por, që nga momenti kur një tregim, ose muzika e ndonjë vendi tjetër nuk kuptohet, atëherë bëhemi të huaj për njëri-tjetrin dhe situata ndërlikohet edhe më shumë.

Unë do të thosha që me praninë tënde nëpër rrjete sociale, jeni një lloj ure kulturore. Keni 22 milionë pëlqime në Facebook, 9 milionë ndjekës në Twitter dhe që nga viti 2006 keni qenë në Blogging. Pse jeni kaq aktiv në internet?

P. Coelho:Interneti është platformë e re dhe si shkrimtar kam gjetur këtë lloj platforme që ta përdor në proceset e shkrimit. Për shkak të internetit, njerëzit lexojnë dhe shkruajnë më shumë. Pra, bota virtuale është një mënyrë e mirë për të biseduar dhe bashkëvepruar me lexuesit e mi. Kjo është një mënyrë ku ata i shprehin mendimet e tyre. Më pëlqen që të sfidohem me gjuhën, andaj fillova që të shkruaja tekste për blogjet e mia, të cilat njerëzit mund t’i shkarkonin dhe mund t’i shpërndanin. Nga kjo punë, nuk ka asnjë interes komercial. Është vetëm për argëtim, është sikur një punë që pasi e ke mbaruar të jep gëzim. Kam tekste të posaçme për internet dhe ato i kam vendosur aty. Më intereson shumë të di, se si përgjigjet lexuesi pasi t’i ketë lexuar ato.

A ju pengon që informacionet e shumta kanë pak kredibilitet?

P.Coelho:Nuk jam i sigurt për këtë. Mendoj se sa më shumë informacione të merren, aq më mirë do arrini t’i ndani informacionet që u duhen juve.

A është e vërtetë se para se të shkruani, gjithmonë shikoni një pendë të bardhë?

P.Coelho:Po, është shumë e vërtetë. E fillova si traditë kur shkrova librin tim të parë, “Pelegrini i Kompostelës”, në vitin 1987. Atë kohë nuk isha i sigurt nëse duhej ta shkruaja librin, isha në një moment dyshimi. Isha në Madrid dhe mendova, ‘nëse sot e shoh një pendë të bardhë, ajo do jetë shenja që unë duhet të shkruaj.’

Por, çfarë ndodh nëse keni një ide dhe një dëshirë të madhe për të shkruar, por nuk e gjeni dot një pendë të bardhë?

P.Coelho:Zakonisht, një pendë e bardhë gjendet lehtë. Problem është të gjesh një pendë të bardhë në janar, por edhe kjo është e mundur. Në momentin që unë gjej një pendë të bardhë, filloj e shkruaj. Por, kjo nuk ka të bëjë me përmbajtjen e librit, por me vetë librin.

A keni ndonjë shenjë tjetër që ju dëfton se si duhet të jetë libri, apo tashmë jeni të vendosur në lidhje më këtë?

P.Coelho:Jam shumë kureshtar në raport me gjërat që ndodhin në botë dhe në lidhje më këtë ka shumëçka për t’u shkruar, madje edhe kur takohem me njerëz interesantë. Gjithmonë një ide është aty dhe shfaqet pa ndonjë logjikë. Fillimisht, libri është i shkruar në zemrën time, para se të shkruhet me fjalë. Kështu që, unë nuk zgjedh librin, libri më zgjedh mua.

Pra, ju nuk shkruani me ndonjë qëllim të caktuar?

P.Coelho:Unë shkruaj sepse kam nevojë që mendimet e mia t’i ndaj me të tjerët. Nuk e di nëse librat janë duke e bërë botën një vend më të mirë. Nuk shkruaj mbi këtë qëllim. Di që lexuesit e mi kanë krijuar një masë kritike, kështu që të paktën ata mund ta kuptojnë botën në një mënyrë të ndryshme. Ndryshimi duhet të nis nga vetja. Momenti që ndryshojmë veten është një hap gjigant. Dhe unë këtë e bëj. Libri është shumë më i rëndësishëm se vetë shkrimtari.

Ju personalisht jeni shumë i pranishëm në punën tuaj.

P.Coelho:Jam i pranishëm me punën time, dhe puna ime është disi si një shprehje e shpirtit tim, por në të njëjtën kohë, mendoj se shkrimtari nuk arrin dot të shkruajë mbi hiç gjë. Ka dy lloje shkrimtarësh, një është si Prousti, që i mbyllur në dhomën e tij, arriti të shkruajë kryeveprën ‘Në kërkim të kohës së humbur’ (À la recherche du temps perdu), dhe lloji tjetër është si Hemingway, i cili gjatë gjithë jetës festoi, por që po ashtu arriti të shkruajë një kryevepër.

Temë kryesore e librit tuaj më të lexuar, ‘Alkimisti’, është ideja se njeriu duhet të jetojë duke ndjekur ëndrrën e vet. Përmes kësaj teorie, a është jeta juaj më e përsosur, apo ende jeni duke kërkuar diçka?

P.Coelho:Ka një kuptim të përsosur, por nuk do të thotë që unë e kuptoj ndjesinë e saj. Nuk është e rëndësishme që t’iu përgjigjemi të gjitha pyetjeve, por gjithnjë diskutimet duhet të jenë të hapura. Një ditë edhe mund të kemi, edhe mund të mos kemi përgjigje, por mjafton të jetoni jetën tuaj, të bëni atë se çfarë duhet të bëni dhe të jeni entuziast në atë që bëni. The Talks

Më Shumë

Kombëtarja shqiptare e veteranëve fiton turneun ‘Prizren Masters Cup 2025’

Kombëtarja shqiptare e veteranëve mori pjesë në turnen miqësor të futbollit të zhvilluar në Prizren “Prizren Masters Cup 2025”. Ky turne u organizua nga...

Vdes një person në Prizren, rasti po hetohet

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas ekzaminimit nga mjeku i emergjencës është konstatuar vdekja e një personi. Sipas raportit rasti ka ndodhur të martën...

Lajmet e Fundit