Rexhepi e dashuron Mirushën po ndesh në kundërshtimin e Demir Beut që do të martojë vajzën me Selfon, të birin e Fetahut. Demir Beu vepron me kryeneçësi dhe përpiqet të imponohet … Një histori që përfundon tragjikisht, për vite me radhë ka qenë një ndër dramat më të ndjekura në teatrot shqiptarë të pas viteve 1900. Në një foto bardhezi në koleksionin e Niko Kotheres, drejtori i Muzeut “Mësonjëtorja” në Korçë na çon pas në kohë më 13 dhjetor të vitit 1909, kur për herë të parë u shfaq në qytetin e Korçës drama kombëtare “Besa” me autor Sami Frashërin. Të veshur me kostume popullore, aktorët, pjesa më e madhe amatorë, pozojnë në këtë foto.
Ata nuk janë emra të panjohur. Mes tyre është: Mihal Grameno, Thanas Floqi, Mihal Xoxe, Hilë Mosi për të vijuar me emra të tjerë, si: Thimi Cikozi, Thoma Avrami, Dhimitër Berati, Spiridon Ilo, Llambi Bimbli, Skënder Pojani, Petro Fotografi, Vani Kirka, Th. Sovjani, Qamil Panariti, Nepsi Kerenxhi, Stefan Kondillari. Kotherja e njeh mirë secilin prej tyre. I dhënë pas historisë, sidomos pas asaj të qytetit të tij, Korçës, Kotherja ndërton përmes këtyre fotove dhe një histori të Korçës në vitin 1909.
Janë një mori fotosh, pjesa më e madhe të pabotuara ndonjëherë që na japin një vështrim tjetër mbi Shqipërinë dhe shqiptarët ndër shekullin XIX dhe XX. “Ka mes tyre personazhe që bëjnë histori, qytete nëpër epoka të ndryshme, ngjarje madhore dhe minore të mbetura në analet e historisë në fotografi të njohura dhe të panjohura”, thotë ai. Fotot i përkasin koleksionit të tij privat, si në format dixhital ashtu edhe origjinal në letër. Për t’i gjetur ato, ai ka hulumtuar në arkiva shtetërore e private brenda e jashtë vendit.
Një pjesë e madhe e tyre janë të pabotuara më parë. Pandeli Evangjeli, ish-kryeministër i Shqipërisë, dhe një nga veteranët e lëvizjeve patriotike në Rumani, duket i menduar në një foto të marrë në zyrën e tij. Me njërën dorë vendosur mbi një libër voluminoz mbi tryezën e punës, vështrimi i burrit me flokët e hedhur mbi ballë dhe me portretin ku i dallohen mustaqet, duket i përqendruar diku. Dy fotografi të panjohura sjellin trupin e pajetë të Iliaz Vrionit në Paris, në vitin 1932.
Një nga nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë, ish-kryeministër e ish-ministër i shtetit shqiptar, në ceremoninë e lamtumirës shoqërohet nga një foto e mbretit Zog bri arkivolit. Trupi i tij do të sillej më vonë në Berat ku u varros me nderime. Më 1945-n, komunistët do të hakmerreshin ndaj tij dhe i vdekur, duke i hedhur eshtrat në lumë. Artistja e njohur me origjinë shqiptare, Eleni Qirici, që la karrierën për dashurinë, shfaqet në disa foto interesante.
Aktore, kërcimtare dhe akrobate, Eleni punoi fillimisht në teatrin italian “Bertoldissimo” dhe bëri një turne të suksesshëm nëpër Itali. Ajo ishte protagonistja kryesore, të cilën shtypi i kohës e cilësoi “La piccola grande Dea”, (E madhja hyjneshë e vogël). U shqua për suksesin që pati gjatë xhirimeve të shoqërisë amerikane “Metro Goldwin Mayer”, të Hollivudit. Janë një mori filmash ku ajo interpretoi në Hollivud. Por Eleni do të tërhiqej nga karriera pas njohjes me bashkëshortin e saj të ardhshëm, i cili ishte pjesë e familjes Ford. Një foto e tregon atë në një moshë më të vogël, duke dhënë koncert në Bashkinë e qytetit të Korçës. Kishte ardhur në qytetin e lindjes së babait bashkë me të, për festa.
Me trupin e holluar nga vitet, Gjergj Fishta shfaqet në një foto në ditët e fundit të jetës së tij. Pranë i qëndron Ernest Koliqi. Interesante është dhe një foto e Filip Shirokës gjatë viteve të fundit të jetës së tij në Egjipt. Avni Rustemi, një djalë i pashëm, i veshur me kujdes, shihet që flet në sallën e gjyqit në Paris. Portreti i tij është tërësisht i trishtë. Është viti 1920 dhe ai duhet të flasë para gjykatës për ekzekutimin që i bëri më 13 qershor të atij viti Esad Pashë Toptanit. Anatole de Monzie, avokati i tij, do ta cilësonte aktin si “krim pasional me nxitje të një populli të tërë”.
Ai do të lirohej gjashtë muaj më vonë e do të vritej në një atentat në Tiranë katër vite më vonë. Në fotot e Kotheres jepen dhe imazhe nga varrimi i tij. Një foto e panjohur na tregon Ded Gjo Lulin, prijësin e organizimeve popullore me armë në dorë gjatë kryengritjeve të pavarësisë. Janë pafund fotot që Niko Kotherja i ka gjetur me kërkimet e tij i grishur prej historisë. Foto që njëra pas tjetrës na japin një portret më të plotë të kohës, por shpesh dhe ndriçojnë ngjarje.
Dicitura:
Avni Rustemi duke folur në gjyq në Paris, si ekzekutues i Esat Pashë Toptanit.
1920.
Fotografi e panjohur.
Syrja bej Vlora (majtas) dhe Abdi bej Toptani (djathtas), rreth gjysmës së dytë të viteve ’30, në afërsi të Tiranës.
foto e panjohur
Ahmet Zogu (ulur) dhe Thanas Floqi (në këmbë) gjatë mesviteve ’20.
Floqi është një nga nënshkruesit e aktit të Pavarësisë dhe një nga drejtuesit e Mësonjëtores së Korçës.
Aktorja e parë shqiptare në Hollivud, Elena Qirici, martuar me djalin e Fordit.
Telegrafisti në zyrën e tij të postë telegraf telefonit në Ersekë, në mesvitet ’20.