0.8 C
Prizren
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Vlerësimi i Drejtorisë së Arsimit për ish-drejtorin e shkollës shkon në MAShT

Remzi Bajselmani-gjykateRemzi Bajselmani, ish-drejtori i Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” që ka paditur Komunën e Suharekës për largim nga puna, u përball në gjykatë me ish-drejtorin e Arsimit Xhemajli Shala. Gjykata vendosi që formularin e vlerësimit të punës së ish-drejtorit nga Drejtoria e Arsimit ta dërgojë në Zyrën Ligjore të MAShT-it.

Me këtë vlerësim për performancë të dobët drejtori Bajselmani humbi vendin e punës më 26 maj të vitit të kaluar, edhe pse kishte mandat për ta drejtuar shkollën deri në vitin 2018.

Kjo ndodhi gjashtë muaj pasi në Suharekë ndryshoi pushteti lokal nga AAK-ja te LDK-ja, pas zgjedhjeve të 2013-ës.

Të premten në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua ish drejtori i DKA në Suharekë, Xhemajli Shala.

Ai deklaroi, se në kohën e tij është shpallur konkursi për drejtor në bazë të Ligjit për Shërbyesit Civil, por i njëjti është anuluar nga Ministria e Arsimit, me arsyetimin se konkursi duhet të shpallet sipas Ligjit për Arsim Parauniversitar.

Avokati Arben Ramadani, përfaqësuesi i paditësit Remzi Bajselmani, e pyeti dëshmitarin se a është plotësuar në rregull formulari i vlerësimit nga drejtoria e Arsimit, me të cilin edhe iu ka shkëputur marrëdhënia e punës klientit të tij.

“Unë jam dëshmitar dhe përgjigjem vetëm për ato dokumente që i kam nënshkruar unë, e jo ato që i ka lëshuar një organ tjetër, pasi unë nuk jam ekspert.” tha dëshmitari.

Për këtë ndërhyri edhe avokati i komunës Selajdin Gallapeni, i cili kërkoi që të mos kërkohen mendime nga dëshmitari, pasi i njëjti nuk është ftuar në cilësinë e ekspertit.

Dëshmitari u pyet edhe se a mund të shpallet konkurs për drejtor me punë provuese.

Ish-drejtori i Arsimit në Suharekë deklaroi se të gjitha në konkursin e shpallur ishin të prapara me ligj.

Pasi dëshmitari nuk mund të përgjigjej në cilësinë e ekspertit, gjykata vendosi që formularin e vlerësimit të Bajselmanit nga Drejtoria e Arsimit, në bazë të të cilit ai u largua nga puna, ta dërgojë në Zyrën Ligjore të MAShT-it.

Kjo zyrë do ta vlerësojë se a mund t’i shkëputet kontrata e punës një personi me një dokument të tillë që gjykata e konsideron të paqartë.

Remzi Bajselmani më 25 nëntor 2013, në kohën e qeverisjes së Suharekës nga Blerim Kuqi, u zgjodh për herë të dytë drejtor i Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” me një mandat deri më 25 nëntor 2018. Por më 26 maj të 2014-ës atij me aktvendim iu ndërpre kontrata nga kryetari i tashëm Sali Asllani me arsyetimin e përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës./Kallxo.com/

Më Shumë

Sot i jepet lamtumira e fundit 21-vjeçarit nga Malisheva që humbi jetën në një aksident në Itali

Sot i jepet lamtumira e fundit 21 vjeçarit nga Malisheva, Rilind Thaqit, i cili vdiq si pasojë e një aksidenti të rëndë në Itali...

Moti sot – vranësira, diell e mjegull

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i vranët por me intervale me diell. “Mot i vranët dhe me intervale me diell dhe vende-vende me...

Lajmet e Fundit