20 C
Prizren
E enjte, 22 Maj, 2025

Vrasja në Belgjikë për prostitucion, gjykata: Burg pa afat për Frrokun

Dy vëllezër, në të njëjtën ditë, janë përballur me drejtësinë, ndërsa kanë pasur fate të ndryshme. Arben Frroku u lirua nga akuzat për vrasjen e kryekomisarit, ndërsa Mark Frroku, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, do të qëndrojë në burg, i akuzuar për vrasje në Belgjikë dhe për pastrim parash në Shqipëri. Disa orë pas lirimit të Arbenit, Gjykata e Lartë vendosi burg pa afat për deputetin, i cili, përpos kësaj mase, është dukur i entuziazmuar në përballje me mediat, duke pohuar se “para Zotit dhe në ndërgjegjen time jam i pastër”. Pas vendimit, avokatët pohuan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Në vazhdën e akuzave, është zbardhur edhe vendimi i Gjykatës së Kasacionit në Belgjikë, e cila ka rikthyer për rigjykim çështjen e Mark Frrokut, vetëm me procedura.

Masa e sigurisë

Paraditen e djeshme, Gjykata e Lartë hodhi edhe shortin me gogla për të caktuar Kolegjin Penal që do të shqyrtonte kërkesën e prokurorisë për vendosjen e masës së sigurisë arrest me burg për deputetin Mark Frroku. Relator u zgjodh Artan Broci dhe me anëtarë Ardian Nuni, Edmond Islamaj, Guxim Zenelaj dhe Tom Ndreca. Seanca u caktua në orën 12:30, orë në të cilën u paraqit në gjykatë edhe Mark Frroku. Ai bëri të njëjtën rrugë si një javë më parë, ku me pranga në duar parakaloi para gazetarëve dhe u fut në sallë. Gjykata vendosi që seanca të bëhej me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor. Në seancë, mësohet se dy prokurorët Madrid Kullolli dhe Rovena Gashi paraqitën aktakuzën, ku Frroku është i akuzuar për kryerjen e gjashtë veprave penale, mes të cilave edhe atë të vrasjes së shqiptarit Aleksandër Kurti më 1999-n në Bruksel. Po nga Belgjika, Frroku akuzohet edhe për shfrytëzim prostitucioni. Ndërsa autoritetet shqiptare, në bazë edhe të kallëzimit të ILDKP-së ditën e djeshme, e akuzojnë deputetin për deklarim të rremë dhe fshehje pasurie. Avokatët e deputetit i kërkuan gjykatës që të rrëzonte kërkesën e prokurorisë, si të papajtueshme me Kushtetutën, pasi akuza kishte marrë leje vetëm për akuzat në Belgjikë dhe, nga ana tjetër, në dosje ishte edhe pastrimi i parave.

Gjithsesi, Kolegji Penal, pas analizimeve të pretendimeve të palëve, vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, duke e lënë në masën e arrestit burg pa afat. Ndërkohë, në orën 16:30, Mark Frroku ka lënë ambientet e Gjykatës së Lartë, duke pohuar për gazetarët se “para Zotit dhe në ndërgjegjen time jam i pastër, drejtësia le të bëjë punën e vet”. Ndryshe nga një javë më parë, ku në dalje të gjykatës i ishin hequr prangat, Frroku ka dalë me pranga në duar, por me një buzëqeshje në fytyrë. Ai është shoqëruar në makinat e policisë për në Drejtorinë e Policisë dhe më pas do të sistemohet në ndonjë nga paraburgimet në Tiranë. Me shumë mundësi do të transferohet tek 302, ku deri dje qëndronte vëllai i tij, Arben Frroku.

Në dalje të gjykatës, avokatët thanë se vendimin do e çojnë në Gjykatën Kushtetuese. “Jemi të befasuar nga vendimi, do ta apelojmë. Ndalimi dhe arresti në burg, të paligjshme. Do ta dërgojmë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka asnjë provë që implikon Mark Frrokun”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Kasacioni belg

Ndërkohë, mësohet se procedurat kanë shpëtuar Mark Frrokun nga dënimi i dhënë prej Gjykatës së Brukselit, me 10 vite burg ndaj tij. Në këtë përfundim ka dalë Gjykata e Kasacionit të Belgjikës, pas shqyrtimit të ankimit të bërë nga ana e tij dhe e të pandehurit tjetër, Arjan Bytyçi. Sipas TCH-së, në vendimin e Gjykatës së Kasacionit në Belgjikë, i cili mban datën 24 mars 2010, argumentohen edhe akuzat se pse është rrëzuar vendimi në ngarkim të Frrokut. “Gjykimet dhe vendimet e marra janë kontradiktore dhe nuk pranohen si vendime të drejta, pasi avokati ka ndërhyrë për të siguruar mbrojtjen e të pandehurit. Gjykata Penale vendosi që i akuzuari të gjykohet në bazë të nenit 381, të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit, i akuzuari i paarrestuar nuk do të jetë prezent në datën e hapjes së seancës gjyqësore. Në këtë nen nuk përcaktohet qartë paraqitja e personit, me ose pa avokat. Me fjalë të tjera, mjafton që i akuzuari të paraqitet në një nga dy mënyrat e përcaktuara, pra personalisht ose i përfaqësuar sipas zgjedhjes së tij, për ta bërë procedurën kontradiktore. Vendimi i ndërmjetëm i 11 janarit 2010 vendos që përfaqësimi i të akuzuarit nga avokati nuk e bën procedurën kontradiktore. Por, asnjë dispozitë ligjore nuk e ndalon të akuzuarin, që ta shqyrtojë personalisht menaxhimin e procedurave, të cilat i janë paraqitur për shqyrtim. Këto dispozita bien ndesh me ankimin, gjykimi shkel nenet 12 të Kushtetutës dhe nenet e Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në argumentimin e Gjykatës së Kasacionit në Belgjikë. Pas konstatimit të këtyre shkeljeve procedurale, gjykata vendosi prishjen e vendimeve, në ngarkim të Besnik Morinës (Mark Frrokut) dhe Arjan Bytyçit dhe dërgimin e kësaj çështjeje për rigjykim. Ndërsa dy të pandehurve u janë ngarkuar edhe shpenzimet gjyqësore, në vlerën e 235 eurove.

Më Shumë

Prokuroria Themelore e Prizrenit ngrit aktakuza kundër 12 personave për vepra penale të ndryshme

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur gjashtë aktakuza kundër gjithsej 12 personave, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale, duke përfshirë vjedhje, sulm,...

Blerim Kuqi rikthehet në LDK, zyrtarizon mbështetjen për Ardian Shalën në garën për kryetar të Suharekës

Në një ngjarje të zhvilluar sot në Suharekë, është zyrtarizuar mbështetja e ish-kryetarit të komunës, Blerim Kuçi, për kandidatin e LDK-së, Ardian Shala. Ceremonia u...

Lajmet e Fundit