4.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Ku janë paret e 3 përqindëshit?

Kimete Berisha

– Fondi i 3 përqindëshit smelled like Haraç. (Status kushtuar nanës sime. Në fakt, ajo do të donte shumë që t’i shkruante vet këto fjalë, por që nuk mundet)
Nëse ndalesh e këqyr, tash, pas gati 20 vitesh, del se detyrimi i familjeve shqiptare për ta paguar 3%-shin e qeverisë Bukoshi në ekzil, ka qenë forma më ekstreme e haraçit. Pse haraç? Sepse, s’ke pas çare pa e pagu, pate s’pate ti je detyruar të paguash.

Gjithmonë, te dera, ka ardhur (me kohë) një arkatar i haraçit të 3%-shit dhe nuk është larguar nga dera pa ia paguar haraçin.

Këta arkatarë kanë ardhur rregullisht edhe në veriun e thellë të Mitrovicës, ku banonim ne, dhe e mbaj në mend kur nana ime, gjithmonë e fuste brenda tagrambledhësin dhe i thoshte “hyn brenda se mos po të shohin serbët”.

E paguanim nga 60 marka në muaj qeverinë Bukoshi në ekzil. sepse ti ishe i kushtëzuar, nuk të jepnin dëftesë në shkollë, as diplomë, as nuk mund ta kryeje maturën nëse nuk e paguaje qeverinë e Kosovës në Gjermani. Nëse nuk kishe pare dhe rezistoje t’ua paguash, ose nëse nuk i paguaje me kohë, të kërcënonin se do të ta publikojnë emrin në gazetë. Dhe, i kanë pas publikuar në ish-Rilindje (gazetën “Bujku”) qindra emra të shqiptarëve që nuk kanë mundur ta paguajnë “borxhin” e qeverisë Bukoshi.

Pra, quhet haraç, sepse as nuk kemi qenë të punësuar, as nuk kemi pas ku t’i marrim paret, edhe na kanë detyruar t’i pjellim ato. Nuk kemi pasur asnjë marrëveshje dypalëshe dhe s’kemi pasur kontratë as kurgjë hiç, nuk kemi qenë palë, por kemi qenë viktima të dy sistemeve. Edhe e paguanim tatimet e Serbisë, edhe i paguanim “tatimet” e Bukoshit në Gjermani.

“Sa shpejt kalonte muaji, e vinte tjetri”, po thotë nana ime e cila na ka shkolluar me ojna e me gjilpërë, dhe ku me ditë pse gjithmonë ka vuajtur dhe vuan nga “sindromi” i shkollimit, me zhig vdes pse nuk ka pasur kushte elementare të shkollohet, në atë kohë të varfër, rrugëve të humbura e pa krye të fshatit Radishevë, ku një lum ec dhe kthehet në të njejtën kohë.

Është lum magjik.

Krizën e madhe (1990-1995) e mbaj mend shumë mirë. Hajrullah Gorani ju tha të gjithë shqiptarëve që t’i lënë vendet e tyre të punës, dhe shqiptarët mbeten pa punë. Edhe ndonjë që vazhdonte të punonte merrte pagë sa për ta blerë një “çibrit”.

Devalvim, varfëri, frikë, përndjekje, mërzi e madhe, orë policore, arrestime, vrasje, hata.

Ata që kishin familjarë në mërgim, ia dilnin ta paguanin haraçin me kohë. Por, ne që nuk kishim njeri të gjallë të na ndihmonte t’i shlyejmë detyrimet mujore të qeverisë Bukoshi, ne duronim urie. I mbaj në mend nja dy vite krize të madhe depresioni, kur nëse i kishe siguruar paratë për biletë autobusi që të vije këtu ta jepje provimin e fakultetit në njërin nga objektet dhe bodrumet e shtëpive private të Vranjevcit, ulur në skomli, nuk i kishe këpucët; nëse i kishe këpucët dhe paratë për biletë autobusi, nuk e kishe çadrën…por, në të gjitha rastet shkoje e ktheheshe nga Fakulteti pa bukë e pa ujë.

Nuk kishe asgjë krye shpirti, por paratë për Bukoshin detyroheshe t’i pjellje, t’i shpikje. Na kanë shkatërru’ fëmijërinë. Na kanë marrë bukën prej gojës, në kohën kur mielli ishte krejt çfarë dëshironte një nënë që rriste e shkollonte s’di sa fëmijë. Na kanë dërmu’ keq! E tash flasin për do haraçe individuale, të ndonjë politikani. Ju kujtojeni kohën kur haraçi në Kosovë bëhej në mënyrë të organizuar. Ku janë paret e 3 %-shit, po du’ të them!

Më Shumë

Drejtori Tarashaj mori pjesë në Panairin e Artizanateve në Tetovë

Panairi i Artizanateve, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, solli së bashku bizneset dhe organizatat joqeveritare të Komunës së Prizrenit dhe ato të Tetovës për...

Në fundjavë turneu ndërkombëtar ‘Adem Jashari’

Federata e Boksit e Kosovës (FBoxK) do të organizojë turneun e 26-të ndërkombëtar “Adem Jashari”, i cili do të mbahet më 23 dhe 24...

Zemra e Forcës

Lajmet e Fundit