Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka paraqitur para anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, raportin e punës të Qeverisë Komunale për vitin 2014. Në mbledhjen e mbajtur deri në pasditen e vonshme, të ditë së djeshme, para anëtarëve të kuvendit, është prezantuar edhe raporti financiar nga ana Drejtoria për Buxhet dhe Financa, ndërsa në mesin e disa vendimeve, KK i Malishevës, i dha mbështetje edhe kërkesë së kryetarëve të fshatrave për kthimin e shërbimeve nga regjioni Gjakovës në atë të Prizrenit.
Fillimisht, kryetari Begaj, përmes një raporti shumë voluminoz, ka prezanton raportin e punës për vitin 2014, ku në mënyrë të detajuar janë paraqitur të gjitha punët e kryera nga ana qeverisë komunale, të cilën e drejton kryetari Ragip Begaj. Duke u bazuar në këtë raport, kryetari Begaj, tha se “gjatë vitit 2014, kemi arritur, të menaxhojmë dhe shfrytëzojmë buxhetin, në shkallën 98 për qind dhe kemi arritur që të bëjmë investime, në të gjitha fshatrat e Komunës së Malishevës”. Pas diskutimit lidhur me raportin e punës, ku anëtarët e kuvendit, dhanë mendimet e tyre, lidhur me punën e qeverisë komunale, kryetari Begaj, tha: “Unë jam në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të partive politike. Nuk kemi qenë të përkryer, por kemi dhënë maksimumin e mundshëm”.
Më pas edhe drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi, paraqiti raportin financiar për vitin 2014, me mënyrën e shpenzimit të buxhetit, të hyrat vetanake, dhe të gjitha këto, drejtori Krasniqi, i ka paraqitur edhe në formë vizuale.
Më pas Kuvendi i Komunës së Malishevës, i drejtuar nga kryesuesi Aziz Thaçi, ka shqyrtuar kërkesën kryetarëve të fshatrave, të datës 16.04.2015, për kthimin e të gjitha shërbimeve për nevojat e qytetarëve të Komunës së Malishevës, nga regjioni Gjakovës në regjionin e Prizrenit dhe unanimisht, KK i Malishevës, i ka dhënë mbështetje kësaj kërkese.
Kuvendi i Komunës së Malishevës, dje mori vendim edhe për formimin dhe përbërjen e Këshillit Organizativ, për shënimin e 16 Qershorit, Ditës së Dëshmorëve dhe Ditës së Çlirimit të Malishevës./PrizrenPress.com/