Me gjithë paralajmërimet, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të kontribuuesve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare nuk do të arrijë që këtë vit të përfundoj procesin e verifikimit.
Ndërsa shumë pak nga ata mund të arrijnë të marrin kompensimin. E qeveria nuk ka dhënë garanci që me rishikim të buxhetit nuk do të preket edhe buxheti për këtë kategori.
Ende pa mbaruar procesi i shqyrtimit të ankesave Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të kontribuuesve të Luftës po thotë se procesi nuk do të dështoj.
Faik Fazliu, nga ky Komision, thotë se vendimet e para përfundimtare aty ku nuk ka ankesa do të nënshkruhen javën e ardhshme.
“Është marrë vendim në parim që të miratohen listat përfundimtare për ata që nuk janë të kontestuar, pra që nuk janë objekt ankesash dhe krahas këtyre shpresojmë të kemi javën e ardhshme edhe miratimin Ministrisë së Financave për lartësinë e shumës së kompensimit”, i ka thënë Fazliu, Radio Kosovës.
Ndërkohë me rishikim të buxhetit për shkak që procesi i verifikimit nuk është ende gati është kërkuar që mjetet të lëvizin në segmente tjera.
Zyra e kryeministrit dhe Ministria e Financave i ka thënë Radio Kosovës se po shqyrtohen të gjitha kërkesat dhe ende nuk është vendosur për këtë buxhet.
Por, sipas Fazliut buxheti prej 24 milionë eurosh nuk do të preket dhe gjatë muajit qershor do të filloj edhe kompensimi i atyre që kanë marrin këtë status.
Megjithëse Komisioni qeveritar ka paralajmëruar fillimin kompensimit askush ende nuk e di shumën e kompensimit të veteranëve.
Xhevdet Qeriqi nga Këshilli për Mbrojtjen e ish Luftëtarëve të UÇK-së ka thënë se ka pak besim që Komisioni të filloj kompensimin në kohën që ka premtuar.
“Pohimet që ky proces do të përfundoj për një javë po me duken jo serioze për faktin se të gjithë jemi dëshmitarë dhe e dimë se sa ka zgjat ky proces për verifikimin e kontribuuesve të luftës”, ka thënë Qeriqi.
Ndonëse shqyrtimi i rreth 21 mijë ankesave veç sa ka filluar, Komisioni qeveritar po paralajmëron se procesi do të përfundoj shpejt.
Megjithatë, tri vjet që nga fillimi i këtij procesi disa eprorët e zonave operative të UÇK-së në këtë Komision thonë se vështirë se kjo mund të ndodhë para fundit të vitit ose vitit tjetër. /RTK/