Në prag të festës së Bajramit, njerëz të vullnetit të mirë dhe organizata humanitare, sot kanë ndihmuar 180 familje nga Komuna e Malishevës, me pako ushqimore dhe ndihma tjera.
Mërgimtari Halim Hoti nga Carralluka e Malishevës dhe organizata Human Appeal International (HAI), po ndihmojnë familjet në nevojë, që edhe këto familje, të presin festën e Fitër Bajramit, me të gjitha të mirat në tryezën e tyre.
Humanisti Halim Hoti, i cili punon dhe jeton në Suedi, ka ndarë pako ushqimor, e miell, detergjent dhe gjëra tjera të nevojshme për tridhjetë familje nga Komuna e Malishevës.
“Nuk jam i pasur, por jam një qytetar i thjeshtë, si të gjithë të tjerët. Unë jetoj në Suedi, por mendja ime gjithmonë është në vendlindje dhe duke parë gjendje socio-ekonomike të këtyre familjeve, kam shprehur dëshirën ti ndihmoj së paku këto tridhjetë familje, për festën e Bajramit”, tha Hoti për Zyrën për Informim të Komunës së Malishevës.
Halim Hoti, njihet si një humanist i madh, i cili ka ndihmuar në ndërtim të shtëpive për familjet në nevojë, pastaj ka ndihmuar edhe Qendrën e Rehabilitimit-HandiKOS në Malishevë, si dhe në rastet e festave, ndihmon në forma të ndryshme, familjet në nevojë, jo vetëm në Malishevë, por edhe në komunat tjera të vendit.
Edhe organizata Human Appeal International (HAI), po ashtu për familjet në nevojë, ka ndarë 150 pako ushqimore.
Të gjitha këto ndihma, janë shpërndarë në bashkëpunim me komunën, përkatësisht me kryetarët e fshatrave, të cilët edhe i kanë identifikuar familjet që nuk kanë të ardhura dhe nuk marrin as ndihma nga skema sociale. /PrizrenPress.com/