Në një konferencë të përbashkët për media, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryesuesi i Departmentit për Arsimin, Jonuz Salihaj dhe kryetari i Aleancës për Prishtinën, Besnik Tahiri, kanë publikuar strategjinë dhe objektivat e AAK-së për Arsimin, nën moton: “Gjithëpërfshirje, Cilësi, Depolitizim”.
Arsye e konferencës së sotme ishte publikimi nga Ministri i Arsimit i të ashtuquajturave “sukseseve” të MASHT-it në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013.
AAK konsideron se ministri i Arsimit foli për prioritetet në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë, bazuar në strategjitë ekzistuese. Në të vërtetë, nga paraqitja shihet se këto strategji nuk janë lexuar fare, dhe këtë e dëshmojnë argumentet në vijim:
– Nuk janë realizuar objektivat e përfshirjes në tri segmentet e arsimit parashkollor, çerdhe, kopshte dhe arsim parafillor.
– Në çerdhe dhe kopshte janë të përfshirë vetëm 5.389 fëmijë, kurse në arsimin parafillor mbi 10.000 fëmijë nuk e ndjekin këtë shkallë të edukimit, e cila ka një rëndësi të veçantë në formimin e personaliteti të tyre.
– Në arsimin e obliguar nëntëvjeçar kemi mbi 30.000 fëmijë jashtë bankave shkollore, kurse shkalla e përfshirjes së nxënësve në shkollën e mesme po ashtu është më e vogla në rajon.
– Ministri i Arsimit flet për trajnimin e edukatorëve për zbatimin e standardeve në fëmijëri të hershme, por nuk tregon ku aplikohen këto standarde,kur shumica absolute e fëmijëve janë jashtë institucioneve edukativo-arsimore.
AAK vlerësoi se nga ministri i Arsimit nuk përmendet asnjë fakt për një numër të konsideruar të institucioneve parashkollore private, sidomos në komunën e Prishtinës, që operojnë pa licencë dhe pa kushte elementare hapësinore. Arsyetimi se kjo është çështje e komunave nuk mund të përdoret pasi MASHT-i është përgjegjës për krijimin dhe zbatimin e politikave dhe aplikimin e legjislacionit në fuqi për të gjitha nivelet e arsimit.
Por, në segmentin e arsimit të lartë për qëllime elektorale, në dëm të cilësisë, shkalla e përfshirjes është rritur në mënyrë rapide, nga 12.5% në 40%. Sipas strategjisë për arsimin e lartë, është paraparë që shkalla e përfshirjes në këtë segment, në vitin 2015 të dyfishohet, kurse ajo pothuajse është katërfishuar, ka konstatuar AAK-ja.
“Pra, për interesa politike, objektivat janë tejkaluar pa u mbështetur në strategji për të cilat flet Ministria e Arsimit”, kanë thënë zyrtarët e AAK-së për Arsimin.
Duke folur për dokumentin tjetër, Kornizën e Re Kurrikulare, Salihaj ka thënë se ky document i ka thyer të gjitha rekordet e përdorimit për qëllime propagandistike.
Ai ka përkujtuar edhe deklaratat publike të ish-ministrit të Arsimit, Enver Hoxhaj, se kjo kornizë do të zbatohej në vitin shkollor 2011/2012.
Ndërsa, edhe tani, kur jemi në prag të vitit shkollor 2013/2014 dhe ministri tjetër i Arsimit që vjen nga partia e njëjtë, flet për dokumentin i cili është në fazën e parapilotimit. Pra, tek në vitin e ardhshëm shkollor Korniza e famshme e Kurrikulit të Ri do të pilotohet në 10 shkolla. Realizimi i plotë i këtij dokumenti nuk mund të bëhet pa sigurimin kuadrove të reja për gjuhën gjermane, si gjuhë e dytë e huaj, e cila do te aplikohet në programet shkollore, duke filluar nga klasa e gjashtë dhe mësimdhënësve të cilët janë të kualifikuar t’i ligjërojnë si të integruara lëndët Fizikë, Kimi dhe Biologji, me emrin Shkencat.
“Ministri flet për procesin e licencimit të 17.400 mësimdhënësve, por nuk përmend konfliktin e interesit që në krye të Komisionit Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve është personi me post politik, zëvendësi i tij, i cili mban edhe postin tjetër, atë të Kryetarit të Komisionit Shtetëror të Maturës”, ka thënë Salihaj.
AAK, në programin e vet do të kujdeset për përfshirje të planifikuar të të gjithë fëmijëve në arsimin parauniversitar sipas ligjeve në fuqi. Asnjëherë nuk do të lejojmë konflikte interesi dhe politizim të skajshëm të arsimit për nevojat e politikës ditore. Cilësia, respektimi i ligjit dhe depolitizimi do të jenë detyrim i përhershëm për ne, në të gjitha nivelet e arsimit, është thënë në fund të konferencës së sotme për media të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. /PrizrenPress.com/