Atij gjithmonë i kishin pëlqyer emrat e shkurtër të femrave të bukura. Ata emra, veç tjerash, janë edhe melodik, tingëllojnë bukur dhe shqiptohen lehtë. Një emër i tillë ishte emri i gruas së re, e cila shquhej jo vetëm për hijeshinë e saj, por edhe për pamjen simpatike, pedanteri, e veçanërisht për kulturën që tregonte, e që e bënte sa tërheqëse e joshëse po aq edhe të këndshme e të dëshiruar.
Ada, një grua e re, krejt rastësisht njohu mikun e doktoreshës, e cila për pak vite pretendon të pensionohet. Atë ditë derisa pinin kafe doktoresha dhe miku i saj, ai kishte vendosur t’i telefononte Adës, gruas së panjohur deri atëherë, për ta ftuar në kafe, e për të cilën doktoresha sa e sa herë i kishte folur fjalët më të mira dhe e kishte nxitur që ta njohë. Në celularin e tij shtypi numrin e saj, të cilin kohë më parë ia kishte dhënë doktoresha.
Telefonata e parë
“Alo!”, ishte thirrja e tij me zërin e ngadaltë, disi të pasigurt.
Nga ana tjetër, menjëherë erdhi përgjigjja e saj e shkurtër, me zërin e mekur, e që dukej sikur mbytej në receptorin e telefonit të tij. Ajo nis belbëzimin e saj në telefon, sa me mirësjellje po aq edhe me ndrojtje:
“Përshëndetje!”.
“Përshëndetje edhe për ty”, ia ktheu ky.
Pasi që bëri një pushim të shkurtër, vazhdon përshëndetjen e tij të zgjeruar në celular:
“Si je zemër?”, e pyeti drejtpërdrejt.
“Zemër?!”, i tha ajo e dridhur nga habia. “Më quajte zemër, apo nuk të dëgjova mirë?!”, vazhdoi tutje.
“Po, të quajta zemër. A mos bëra gabim që u shpreha ashtu?”.
Për pak kohë heshtën të dy, por gjatë kësaj heshtjeje, me zë ca më të lartë për të dëgjuar Ada, nga distanca foli doktoresha, që ishte ulur në tavolinë me mikun:
“Nuk bëre gabim, jo. U shprehe mu ashtu siç duhej”.
Përsëri pllakosi një heshtje e shkurtër, për të belbëzuar ajo nga ana tjetër e telefonit:
“Jo, jo… Nuk është ndonjë gabim, por sikur më zure në befasi… Nuk e prisja… nuk prisja të më quaje zemër! Doktoresha më ka folur për ty”.
Pas këtyre fjalëve, doktoresha lëshoi gotën me pije mbi tavolinë, mori telefonin dhe, duke u inkuadruar në bisedë, nisi të fliste me miken e saj:
“Hë moj, ç’kemi? Përse je hutuar? A nuk të pata thënë se kam një mik të mirë, a? Mendoj se ia vlen ta njohësh, prandaj ia dhashë numrin tënd të telefonit. Eja e t’u njohë mes veti.
“Thua të vij? A thua, mos kuptohet e nxituar ardhja ime?”.
“Jo moj, jo, nuk është e nxituar. Eja menjëherë, sepse një herë vjen vera kah dera”.
“Po vij, atëherë, po ku mund t’u gjej?”.
“Jemi te çadrat e bardha, djathtas nga rruga e plepave. Aty na gjen, jam me mikun”.
As hëna s’ka bukuri si ajo
Nuk u vonua shumë dhe ajo u duk kah po vinte skajit të rrugës, buzë pjesës së gjelbëruar. Dukej si një thëllënëz e bukur, duke fluturuar mbi livadhin e gjelbëruar. Ishte më e bukur se që e kishte paramenduar. Nën flokët korb të zeza e të lidhura mbi kokë, shndriste fytyra e saj e buzëqeshur dhe e bukur. Hapësira e ngushtë në mes dy dhëmbëve të përparmë, që thonë sjell fat në dashuri, nuk di se cilit prej tyre do t’i sillte më tepër fat. Nga njëra anë, asaj i sillte fatin të njihej me një intelektual, zotëri, i cili veç të tjerash di të shprehë kulturë e mirësjellje, di të çmojë vlerë e di të respektojë një femër të re, siç ishte Ada e bukur. Ajo atë ditë dukej aq e bukur sa atij i dukej se aty kishte zbritur nga qielli një copëz hëne për t’i dhënë bukuri gjithë asaj hapësire. Sytë e saj ishin plot shkëlqim e dashuri. Nga ta dilte shikimi i mprehtë, i cili të shponte mu në zemër. Ata sy, me shikimin e tyre, flisnin vetvetiu dhe sikur nxirrnin një zjarr të madh nga brendia e zemrës. Flisnin në vend të buzëve të saj – të kuqe qershi, të cilat sikur po digjeshin për puthjen e tij.
Nga ana tjetër, ai kishte fat që po njihte një bukuroshe, ndonëse enigmatike, të mbushur plot energji. Ajo dukej më e bukur se cilado femër atypari, madje edhe më e bukur se karajfilet e një kopshti të lulëzuar, i cili gjendej në afërsi. Kishte fat edhe për faktin se qysh atë ditë kishte arritur për ta rrëmbyer zemrën e saj.
Si mbretëresha në fron…
Pasi që ishin përshëndetur mes veti, Ada kishte zënë vend duke u ulur pranë tij, sikur ulet mbretëresha në fronin e saj. Aty dukej aq e bukur sa të mos dallohej se a ishte hyjneshë e zbritur nga qielli, apo perëndeshë e imagjinuar bukurie. Ishte e çiltër, simpatike, pedante. E pastër – kristal. E veshur thjesht, por me shije. Linte përshtypja se çka do që do të vishte, do t’i kishte hije, por fustani i shkurtër që ia zbulonte këmbët e bukura dukej se po i rrinte më së miri. Trupi i saj i pastër ishte si trup gazeleje, i cili lëshonte erë si të një parfumi të këndshëm e tërheqës. Pamjes së saj të mrekullueshme nuk mund t’i jepej asnjë vërejtje e vetme. Njomësia e saj, pa dyshim, ishte pjesë e pandashme e pamjes së saj të përkryer.
Dhe, atë ditë, gjatë atij takimi, ata i kryqëzonin shikimet mes veti orë e çast. Ada, madje, nga shikimet e saj shkrepte shkëndija zjarri, që ishin sinjal i mjaftueshëm se ai po i pëlqente. Por, sikur nuk mjaftuan shikimet me ngulm të saj, prandaj në një çast ajo mbështeti këmbën e saj për këmbë të tij, gjest ky i cili vulosi bindjen e tij se po i pëlqente asaj. Në një moment të caktuar krejt spontanisht duart e tyre u lidhën mes veti.
Pa dyshim, mes tyre kishte lindur dashuria./Petrit Kalaja/Kosovarja
Lexo më shumë në: http://www.kosovarja-ks.com/perjetim-buzet-e-saj-digjeshin-per-puthjen-e-tij/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright