Qeveria e kryeministrit, Hashim Thaçi, edhe më tutje vazhdon ta mbajë rekordin për numrin më të madh të zëvendësministrave, krahasuar me vende të rajonit, por edhe më gjerë.
Aktualisht Qeveria Thaçi udhëhiqet nga 19 ministra, si dhe nga 41 zëvendësministra, të cilët buxhetit të Kosovës vetëm për paga i kushtojnë rreth gjysmë milioni në vit.
Por, një shumë si kjo, këta shpenzojnë edhe për mallra dhe shërbime, si dhe për udhëtime zyrtare jashtë shtetit. Mirëpo, në bazë të rregulloreve secili zëvendësministër e ka në dispozicion një shofer të tij personal, një asistente dhe një këshilltar politik, me ç’rast të gjithë këta janë barrë e buxhetit të shtetit. Sipas të dhënave të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit shihet se paga mesatare e një zëvendësministri në Kosovë sillet 1000 deri në 1250 euro.
Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se në pjesën dërmuese të ministrive, nuk ka punë sa duhet as për dy zëvendësministra, e për tre nuk bëhet fjalë. Në disa raste emërimi i zëvendësministrave ka ndodhur për shkak të marrëveshjes së koalicionit. Por, edhe në disa raste për të pozicionuar militantë të partive në pushtet.
“Në poste të zëvendësministrave janë pozicionuar njerëz të ndryshëm që kanë kontribuar në ardhjen e kryeministrit Thaçi në pushtet. Po ashtu, edhe emërimet e fundit që janë bërë, kanë për qëllim forcimin sa më shumë të PDK-së në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor të këtij viti”, tha burimi i besueshëm i gazetës “Zëri”.
Sipas këtij burimi, emërimi i Qazim Qeskës si zëvendësministër i tretë i Bujqësisë, dhe Gjergj Dedës si zëvendësministër i tretë i kulturës ka ndodhur pa njoftuar fare ministrat e këtyre ministrive.