18.8 C
Prizren
E hënë, 19 Maj, 2025

“Beteja” për kuorumin e presidentit

Opozita e bashkuar dhe disa deputetë të “rebeluar” të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët nuk e kanë votuar as Isa Mustafën për kryeministër, janë të vendosur në betejën e tyre për ta penguar liderin e PDK-së, Hashim Thaçi, që të bëhet president i vendit.

Shpresa e vetme e tyre në këtë drejtim është pamundësimi i kuorumit, duke mos marrë pjesë në këtë seancë dhjetë deputetë të LDK-së. Në anën tjetër, përfaqësuesit e PDK-së dhe të LDK-së janë të bindur se për zgjedhjen e presidentit i kanë 89 vota dhe do ta realizojnë marrëveshjen që kanë.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila ka treguar se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, i ka ftuar edhe një herë kolegët e saj deputetë të partisë që të mos marrin pjesë në seancën në të cilën do të zgjedhet presidenti.

“Të gjithë e dinë se kush është z. Thaçi. Të gjithë e dinë se ai nuk është figurë unifikuese, siç kërkohet me Kushtetutë. Të gjithë e dinë se e vetmja mënyrë për ta parandaluar zgjedhjen e tij është që atë ditë ta pamundësojnë kuorumin, sepse vota është e fshehtë. Mirëpo, në votim të fshehtë kërkohen vetëm 61 vota në raundin tretë, kurse kuorumi është 80 vota. Pra, kërkohet që së paku dhjetë deputetë të LDK-së, përveç opozitës, mos të marrin pjesë në seancë. Mospjesëmarrja në seancë është kundërshtimi i vetëm efektiv që do të mund ta parandalonte zgjedhjen e z. Thaçi president”, ka thënë Osmani.

Ajo ka treguar se nuk është duke i organizuar deputetët e LDK-së për këtë çështje, por ka thënë se vullneti i elektoratit të LDK-së nuk është që Thaçi të zgjedhet në postin e të parti të vendit.

“Natyrisht se unë nuk do të marr pjesë, sepse ky është kundërshtimi im. Shpresoj që sa më shumë deputetë të LDK-së atë ditë të jenë pjesë e pamundësimit të zgjedhjes së një figure përçarëse në postin ku ishte më herët presidenti Rugova”, ka thënë Osmani.

Mirëpo përfaqësuesit e PDK-së nuk besojnë në realizimin e këtij skenari. Nënkryetari i këtij subjekti politik, Enver Hoxhaj, ka deklaruar për “Epokën e re” se koalicioni qeverisës i ka 89 deputetë për ta bërë kuorumin dhe për ta zgjedhur Hashim Thaçin president. Sipas tij, Thaçi do ta fuqizojë pozitën e presidentit, duke fuqizuar kështu edhe shtetin.

“Ky është prej koalicioneve qeverisëse më të mëdha që ka pasur ndonjëherë vendi pas çlirimit. Do të thotë, i kemi 89 deputetë dhe jemi shumë të sigurt se do të kemi vota të mjaftueshme edhe për ta zgjedhur z. Thaçi president, por edhe për ta pasur kuorumin e duhur në seancë. Z. Thaçi dhe kontributi i tij ka qenë vendimmarrës në proceset kyçe nëpër të cilat ka kaluar Kosova, kurse për PDK-në ai është lideri historik i saj. Kështu që, në rrafshin e vizionit politik dhe kontributit të tij për vendin, z. Thaçi është kandidat që ka mbështetje elektorale, qytetare, popullore dhe i cili do të jetë në gjendje ta fuqizojë pozitën e presidentit në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka shtuar se ekziston edhe një mbështetje e plotë e LDK-së për zgjedhjen e Thaçit president.

“Deri më tash si subjekt politik kemi biseduar disa herë me LDK-në dhe ekziston një mbështetje e plotë e kryeministrit Mustafa, LDK-së dhe deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës. Mendoj se zërat e atyre që janë kundër e që janë përbrenda LDK-së janë të paktë”, ka theksuar Hoxhaj.

Edhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije për “Epokën e re” se lideri i PDK-së mund të bëhet president i vendit.

Analistët politikë, Shkëlzen Maliqi dhe Halil Matoshi, kanë thënë se Hashim Thaçi nuk do ta ketë problem aspektin kushtetues dhe çështjen e votave në Kuvendin e Kosovës pasi, sipas tyre, në raundin e tretë i nevojitet shumica e thjeshtë. Megjithatë, ata kanë treguar se Thaçit mund t’i dalin pengesa të tjera në rrugën e tij drejt këtij posti. /Epoka e re

Më Shumë

Profesori Millaku mohon se kanosi kolegen e tij

Gjatë ditës së sotme u raportua për një sherr që pretendohet të ketë ndodhur në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, më saktë në Fakultetin...

Hapet aplikimi për biletat Shqipëri – Serbi

Federata Shqiptare e Futbollit të enjten ka hapur aplikimin për biletat e ndeshjes Shqipëri – Serbi, e cila do të zhvillohet në Arenën Kombëtare...

Lajmet e Fundit