25.8 C
Prizren
E shtunë, 28 Shtator, 2024

Kadare i shkruan letër kryetares së Gjirokastrës

Në Shqipëri kanë nisur aktivitetet e planifikuara për nder të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare, në vitin 2016, të shpallur “Vit kulturor i Ismail Kadaresë”, për nder të ditëlindjes së tij të 80-të, që u festua më 28 janar.

Festimet nisen me maratonën e leximit “Gjirokastra lexon Kadarenë” dhe do të vazhdojnë më 30 janar, kur shtëpia ku lindi e u rrit shkrimtari do të përurohet si muze.

Mirëpo, në aktivitetet e zhvilluara deri më tash shkrimtari Kadare e kishte të pa mundur pjesëmarrjen, ndaj ai iu drejtua kryetares së Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Ramit, me një letër.

Ndër të tjera, Kadare në letër thotë së është përpjekur ta ruaj një marrëdhënie të përhershme me qytetin e lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë ka dashur t’i jap ka qenë gjithmonë më e paktë se ajo që i ka dhënë ai.

Letra e plotë e Kadaresë:

E nderuara zonja kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës,

Në pamundësi për të qenë midis jush për arsye që nuk varen prej meje, do të doja që, me anë të kësaj letre t’ju shprehja gjithë falenderimin tim, gjithë emocionin dhe, pse jo, mallëngjimin për ftesën tuaj të fisme, për të qenë pjesëmarrës në një ngjarje të gëzueshme, që lidhet me jetën time, më saktë, me shtatëmbëdhjetë vitet e para të saj.
Mendoj se jam i besueshëm në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap ka qenë gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai.
E dashur zonja Rami,
Ju drejtoni bashkinë e qytetit, që në adoleshencën time më ka pëlqyer ta quaj të çuditshëm. Me këtë cilësim, lidhej, me sa dukej, pamja e tij e pazakontë dhe ndërlikimet, që mendja ime s’i kapte dot.
Që një grua e re si ju, do të drejtonte një ditë qytetin me hije të rëndë mesjetare, kjo do të përbënte një nga befasitë e tij të radhës. Pa dashur të zgjatem, do të shtoja se këto befasi ngjanin shpesh të vështira, por ato sillnin me vete fat.
Duke ju uruar gjithë të mirat dhe duke përshëndetur nëpërmjet jush gjithë bashkëqytetarët e mi, ju përqafoj.

Ismail Kadare
Paris, 25 janar 2016.

Më Shumë

Burri nga Rahoveci e bën për spital gruan e tij

Një grua në Rahovec ka njoftuar policinë se është rrahur nga bashkëshorti i saj. Policia ka bërë të ditur se gruaja ka pranuar tretman mjekësor. “Viktima...

Sot fillon xhiro e shtatë në Superligën e Kosovës

Sot (e premte) do të nis xhiro e shtatë e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, ku vetëm një ndeshje është në orar...

Lajmet e Fundit