Adile, banore e lagjes “Toma Kalefi” në qytetin e Elbasanit, e sheh çdo ditë trupin e madh të dalë prej nëntokës, së kalasë “Jeniçer”. Në mëhallë që fëmijë, kishte dëgjuar për historinë e një kalaje tjetër të vjetër, që kishte ekzistuar dikur, në qytet, e ndërtuar nga turqit, por nuk mund ta mendonte se, gjatë gjithë jetës së saj, ajo kishte jetuar mbi trupin e saj. Muret e vjetra të dala në sipërfaqe nga gërmimet, e kanë bërë më të plotë portretin e kësaj fortese, që duhet të ketë qenë e rëndësishme për osmanët, përderisa e kanë quajtur dhe “Jeniçer”, (ushtarët turq quheshin të tillë). Kjo kala duhet të ketë qenë e preferuara e ushtarëve, të cilët kalonin në të pjesën më të madhe të kohës. E ndërtuar bri rrugës, tregon mbi gatishmërinë e Perandorisë Osmane, e cila ka qenë e përgatitur në çdo kohë nga sulmet. Qyteti i Elbasanit ka qenë një vend kyç për Perandorinë. Nëse shohim fizionominë e Kalasë kryesore të qytetit, vetëm muri i saj jugor tregon për përmasat dhe fuqinë e fortifikimeve. Vetëm kjo kala ka pasur 26 kulla në largësi të barabartë nga njëra-tjetra, gjatë gjithë murit me lartësi 9 m. Me fjalë të thjeshta, Adilja, kërkon të shpjegojë gjithë mallëngjimin që ndien, teksa kujton rrëfimet e mbartura në kohë nga më të vjetrit për historinë e kësaj kalaje, e cila ndodhet rreth 500 metra larg kalasë historike të qytetit. Ca shkallë të dala në sipërfaqe, të ftojnë të futesh në dhomat që duhet të kenë shërbyer, për nga mënyra se si janë ndërtuar dritaret, si dhoma vrojtimi… Shtrati i gjatë i murit, i cili shkon deri në fund të rrugës ku vijojnë gërmimet, tregojnë për një shtrirje edhe më të madhe të mureve rrethues. Është e vështirë të skicosh një portret të pamjes së saj të dikurshme, kur dokumentet historike mbi këtë kala nuk ekzistojnë. Përmendet vetëm shkarazi ekzistenca e saj, më pas janë gojëdhënat, që ndonjëherë janë shpirti i qytetit dhe ato që mbajnë gjallë të vërteta që koha nuk mund t’i mbajë dot, ato që e konfirmojnë. Duke pasur parasysh faktin se Kalaja e madhe e qytetit mbart brenda saj një mori monumentesh kulture, dhe pse jo në përmasat e saj, ky objekt monument duhet të ketë në trupin e saj elementë të tillë.
E ndodhur në këtë rrugë prej mijëra vitesh, u desh një gërmim i zakonshëm për kanalizimin e kësaj rruge për të nxjerrë në pah ekzistencën e saj, e cila sjell dëshmi të jashtëzakonshme mbi periudhën otomane në Shqipëri, por është dhe një monument tjetër që i shtohet trashëgimisë sonë kulturore.
Pak kohë më parë, në afërsi të sheshit të Namazgjasë, në Elbasan, u zbuluan rastësisht rrënojat e një muri. Ky zbulim ngjalli interesin e jashtëzakonshëm të arkeologëve, të cilët kanë vendosur ta ndjekin nga afër ecurinë e punimeve për zbulimin e rastësishëm. Fillimisht, specialistët dyshuan se ato ishin rrënoja të xhamisë së vjetër të Namazgjasë. Por pas verifikimeve të para të tyre, rezultoi se rrënojat janë pjesë e një muri kalaje dhe po studiohet teza e lidhjes së tyre me kalanë në qendër të qytetit të Elbasanit.
Banorët e kësaj zone thonë se shenjat për një zbulim të një përmase ndoshta jo të tillë janë dhënë vite më parë. Punimet për rrugën, 50 vite më parë kanë hasur në detaje të elementëve që mund të çonin drejt zbulimeve arkeologjike, por sistemit të dikurshëm duket se nuk i ka interesuar të vijojë një kërkim të tillë. 50 vjet më pas, kalaja e Jeniçerit, del pjesërisht në sipërfaqe, duke dhënë shenjat e para se qyteti mbart një tjetër qytet brenda tij. Kjo nuk është hera e parë, ku në zona urbane shfaqen shenja të gjurmëve të vjetra romake, të cilat mund t’i vijnë në ndihmë trashëgimisë sonë. Në pjesën më të madhe, këto gjurmë janë mbuluar në heshtje, për t’ia lënë sërish fatit, nëse do të jetë me to, për t’u zbuluar sërish… Arkeologu Skënder Bushi, i cili ka ndjekur këtë zbulim, thotë se “nuk mund të përcaktohet koha e saktë, pasi dihet që periudha otomane fillon nga shekulli 16 dhe vazhdon deri në shekullin 19. Gërmimet e mëtejshme në brendësi të kullës mund të na japin të dhëna të reja dhe mund ta çojnë më herët”. Deri tani, është zbuluar vetëm kulla dhe një nga muret e kalasë, që shkon në drejtim të Jugut, paralel me shkollën. Mendohet se mund të jetë një tjetër mur në Jug-perëndim. Gërmimet e mëtejshme në këtë zonë janë disi të vështira për ndërtimet që mbart, por edhe sepse është një rrugë e cila bllokon trafikun.
Duke pasur parasysh vendin në të cilin duhet të vazhdojnë gërmimet,dalja e plotë në sipërfaqe e trupit të Kalasë, ku dikur ushtarët turq kalonin ditët shqiptare, me sytë përtej hapësirave të vogla, që sot duken në dritaret që janë ruajtur ende në nëntokë, dalja e trupit të saj të plotë do të jetë e vështirë. Por ajo çfarë tregon ky monument, me të cilin banorët e zonës “Toma Kalefi” përballen çdo ditë, është fakti se sa pak e njohim nëntokën tonë, e cila çdo ditë na nxjerr në sipërfaqe shenja për të treguar se një tjetër jetë vijon të fshihet poshtë nesh…