Ilir Ferra
Shpesh supozohet që romanet e mia të jenë autobiografike. Në fakt, për këtë e kam edhe vetë fajin. Më pëlqen që rrethanat dhe gjeografinë e ngjarjeve ta vendos sa më afër vetes sime. Më pëlqen që personazheve në përgjithësi t‘u jap profesione që i njoh nga afër. Qoftë sepse i kam ushtruar vetë, qofte sepse dikush në familjen time ka një profesion të tillë. Më pëlqejnë Durrësi dhe Vjena si qytete për të zhvilluar ngjarjet. Më e përshtatshme më duket të flas në romanet e mia për gjellë me bamje ose patate sesa specialitete franceze. Më interesant më duket peshku i skuqur i thjeshtë sesa ndonjë përgatitje e sofistikuar. Personazhet në romanet e mia pinë raki ose birrë – deri tani nuk kanë pirë asnjëherë verë. Në librin „Minus“ personazhin kryesor e kam lënë pa emër, por ai është shqiptar nga Durrësi dhe punon në një qendër bastesh vjeneze. Është vërtet shumë afër meje. Madje, ndonjëherë më duket sikur është tepër afër. Ndonjëherë më është dukur sikur kam qenë unë vetë. Sidoqoftë ka një ndryshim shumë të madh. Vjen një pikë në të cilën protagonisti e ka kryer punën e tij. Romani përfundon. Por tek unë nuk ndryshon asgjë. Unë vazhdoj të jem ai që kam qenë dhe e kuptoj që më është dashur punë t‘i afrohem dikujt që nuk jam unë. Duke filluar nga jashtë: kam kryer një profesion me të cilin nuk kam ndonjë lloj afrimiteti. Nga brenda duke i dhuruar personazhit kujtime të miat, megjithëse duke ia përshtatur këto trillimit të tregimit. Pra mbetet një i huaj. Një personazh i shpikur, një sajim që për disa muaj ose vite ushqehet nga unë.
Kjo për sa u përket personazheve kryesore të romaneve „Minus“ dhe „Hijet e tymit“. Por ka edhe personazhe të tjera. Te libri i dytë, “Minus”, ku kam dashur të jem sa më afër realitetit, dhe personazhet nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me mua, por ishin thjesht njerëzit që frekuentonin kafenenë ku punoja, jam munduar që në përshkrimet e mia t‘u qëndrojë atyre sa më pranë që të jetë e mundur. Madje, sfida nuk ka qenë aq shumë sajimi i karakteristikave dhe ngjarjeve që nxirrnin këto në pah, sesa ka qenë filtrimi i këtyre, pra zgjedhja cilat gjasa të jetës së përditshme duhet të përdor për t’i treguar sa më qartë tiparet e tyre. Nga kjo pikëpamje, ky libër mund të quhet edhe më autobiografik sesa “Hijet e tymit”. Këtu për mua kishte rëndësi të veçantë të paraqisja në mënyrë sa më autentike ndjenjën që kisha pasur unë si fëmijë në Durrësin e viteve ‚80. Shumë e konsiderojnë këtë libër si krejt autobiografik. Madje deri në pikën që mund të nxjerrin konkluzione edhe për personazhet e librit. Por e vërteta është që në këtë libër çdo ngjarje dhe çdo personazh i ushtrohet një lloj skice. Këtu gjëja më rëndësishme ishte të krijoja situata që shkaktonin konfliktin e individit me të ashtuquajturën diktaturë e proletariatit, me një shoqëri që individin e konsideronte si armikun kryesor. Pra këtu nuk më duhej të filtroja si te „Minus“, por të përshtatja, duke plotësuar ngjarjet, duke trilluar, në një farë mënyre edhe duke sajuar – sidomos çastet intime, të cilat janë të shpeshta dhe nuk kanë fare lidhje me realitetin. Pra te „Hijet e tymit“ intimiteti vjen nga imagjinata kurse te „Minus“ ai mungon krejtësisht. Domethënë qasja ime për sa i përket intimitetit të figurave ndryshon nga libri në libër. Ndërkohë që protagonisti në të dyja rastet është thjesht kronist, fantazia e të cilit përcaktohet me shumë nga mosha e tij sesa nga pikëpamjet e mia.
Pra nëse nuk është akoma e qartë: Librat që shkruaj janë autobiografikë, sepse ata më shoqërojnë për disa muaj me radhë, sepse unë në kohën që shkruaj nuk mendoj shumë për gjëra të tjera, sepse ata janë filtri me të cilin unë shoh realitetin në kohën që jam duke i shkruar. Por nga ana tjetër, po ta marrim thellë-thellë edhe një vogëlush në Kinë që monton komponentët e një celulari në kohën e montimit nuk është në gjendje t‘i përkushtohet ndonjë gjëje tjetër, përveçse punës që ka. Por asnjë nuk e quan autobiografike punën e tij. Do thuhet që ai nuk shkruan për veten. Po pikërisht edhe unë nuk shkruaj për veten. Për mua letërsia është pak a shumë si shtjellimi i një ekuacioni, ose ndërtimi i një aparati sipas një skice të caktuar. Vetëm që komponentët dalin nga brendësia, kujtimet, imazhet e autorit, por kjo nuk i bën ato autobiografike. Ky është mendimi im. Dhe ndërkohë nga ana tjetër kemi lexuesin. Edhe ai gjykon. Edhe ai pret të vërtetën, pret një raportim intim, pret të njohë autorin dhe njerëzit që e rrethojnë. Por nëse në fund ai mendon se ka njohur autorin, jetën e tij dhe njerëzit që e rrethojnë, atëherë, sipas gjykimit tim personal, nuk kemi të bëjmë me letërsi të mirëfilltë. Sepse letërsia është ajo që na bën të harrojmë pyetjen nëse është autobiografik një libër apo jo dhe në një mënyrë pothuaj magjike një njeri që as nuk e njohim dhe që as nuk e di që ne ekzistojmë arrin të na tregojë ne të vërtetat dhe sekretet më të thella të qenies sonë. Shkrimtari i vërtetë e arrin këtë edhe duke riprodhuar listën e ushqimeve që i ka dhënë e shoqja për të blerë në supermarkatë ose edhe duke shkruar biografinë e tij.
Si përfundim edhe një shtesë e vogël: Githmonë kisha ëndërruar të shkruaj një libër për qëndrat e bastit. Kur rastësisht hasa që një firm kërkonte punëtorë për një kafene të tillë, nuk ngurrova. U regjistrova dhe ata menjëherë më punësuan. Aty unë fillova të shkruaja një ditar në të cilin pastaj u bazua edhe romani „Minus“. Tani pyetja: A mund të quhet ky libër autobiografik, ndërkohë që unë me vetedije të plotë u futa në situatën që do të përshkruaja në libër?