27.3 C
Prizren
E shtunë, 19 Korrik, 2025

Pacolli: Kjo qeveri ka dështuar ekonomikisht

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, nuk është shprehur i kënaqur me qeverisjen aktuale të PDK-së dhe të LDK-së.

Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Pacolli ka thënë se qeverisja në vend në mënyrë absolute ka një performancë të dobët.

“Fatkeqësisht, me gjithë gjendjen e rëndë në të gjithë sektorët, qeveria e dy partnerëve e udhëhequr nga LDK-ja, për fat të keq, nuk ka pasur asnjë sukses në këtë periudhë, përveç në ruajtjen e sigurisë dhe në arsim deri diku. Ekonomikisht kjo qeveri ka dështuar. Qytetarët sot janë më të varfër. Ka më tepër papunësi dhe shumë më pak perspektivë dhe shpresë. Gjendja në shëndetësi është shumë e rëndë, andaj sinqerisht është për t’u habitur se si nuk arrihet asnjë gjë të ndryshohet në këtë drejtim”, ka thënë Pacolli.

Pacolli ka dhënë kritika edhe për politikën e jashtme.

“Politika e jashtme e Kosovës në dy vjetët e fundit ka çaluar shumë, veçanërisht në aspektin e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës si shtet. Nuk kemi njohje të reja, ndërsa Kosova dështoi të anëtarësohej në UNESCO. Këto dy fakte tregojnë për një dështim tjetër të këtij koalicioni qeverisës”, ka theksuar Pacolli.

Ai ka thënë se vetëm zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës mund t’i largojë nga tryeza e diskutimit problemet e qytetarëve.

“Ne do t’ua prezantojmë qytetarëve programin tonë, ofertën tonë politike, e cila qind për qind është zhvillim ekonomik”, është shprehur Pacolli.

I pyetur pse programi ekonomik i AKR-së deri më tani nuk i ka joshur qytetarët, Pacolli ka thënë se problemi ka qenë te partitë politike.

“Partitë politike me mënyrat jodemokratike që kanë aplikuar kanë ndikuar direkt tek mënyra e votimit të qytetarëve. Duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë sociale, këto parti kanë instaluar praktikën e shitblerjes së votës, të keqpërdorimit të votës”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se pragu zgjedhor për AKR-në në zgjedhjet e ardhshme as që do të diskutohet.

“Nga ajo që po shoh në terren dhe duke u mbështetur edhe në sondazhet e kompanive të respektuara, pragu për AKR-në nuk diskutohet”, ka deklaruar Pacolli.

Sipas tij, AKR-ja ka filluar fuqishëm të konsolidohet.

“Unë çdo ditë jam në terren, në takime me njerëz. Besoj se po e ndërtojmë një strukturë kredibile, e cila do ta bëjë ndryshimin në këtë vend”, ka theksuar Pacolli.

Në këtë intervistë Pacolli ka folur edhe për largimin e Mimoza Kusari-Lilës, së cilës i dëshiron suksese dhe reflektim për mënyrën se si e sheh pushtetin.

Pacolli ka bërë me dije se nuk është i kënaqur me qeverisjen e Kusari-Lilës.

“Sinqerisht që një kohë të gjatë nuk kam qenë i kënaqur me mungesën e punës në Komunën e Gjakovës. Këtë pakënaqësi e kam përcjellë edhe te kryetarja, por nuk ka pasur reflektim”, ka thënë Pacolli. /Epoka e Re/

Më Shumë

Albion Muhadri vazhdon me Drinin e Bardhë edhe një edicion

Klubi i futbollit Drini i Bardhë ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me mesfushorin me përvojë Albion Muhadri për sezonin e ri në Ligën e...

Gjakova për herë të parë mbështet Shkollën Verore Ndërkombëtare në Prizren

Komuna e Gjakovës i është bashkuar për herë të parë si bashkëfinancuese edicionit të katërt të Shkollës Verore Ndërkombëtare, që po zhvillohet në Universitetin...

Lajmet e Fundit