30.8 C
Prizren
E diel, 27 Korrik, 2025

Kryeziu: Opozita duhet t’i kthehet jetës parlamentare

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë të martën se paaftësia e klasës politike aktuale për dialog dhe konsensus më të gjerë politik dhe shoqëror tani është bartur në stagnim dhe pengesë të zhvillimeve dhe nevojave urgjente si në planin e brendshëm ashtu dhe në rrafshin ndërkombëtar.

Në një intervistë për “Epokën e re” ai ka vlerësuar se partitë politike, ato në pushtet dhe ato në opozitë, duhet të reflektojnë përgjegjësi për veprimet dhe obligimet shtetërore jo në bazë të agjendave partiake.

“Nevoja për përmbushjen e aspiratave evropiane të qytetarëve të Kosovës duhet t’i bëjë subjektet politike të përkushtuara dhe udhëheqëse të fuqishme në këtë proces, e jo penguese për shkak të interesave të ngushta të liderëve institucionalë e partiakë. Opozita, edhe pse e ushtron të drejtën politike të bojkotit si veprim politik, duhet dhe mund t’i kthehet jetës parlamentare në çështjet shtetërore në të cilat vlerëson se kontributi i saj do të ndihmonte që Kosova të përmbushte vlera të synuara europerëndimore”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka thënë se kushtëzimet për përmbylljen e demarkacionit me Malin e Zi dhe përdorimi i tij si kusht për liberalizimin e vizave nuk janë të vullnetit të BE-së, por instrumente trysnie, ngaqë institucionet e Kosovës dhe partitë politike po dështojnë t’i japin një epilog transparent dhe gjithëpërfshirës këtij procesi.

“Mendoj se Bashkimi Evropian, edhe pse me vonesë, më në fund u është rikthyer për mbështetje më të fuqishme kërkesave të qytetarëve të Kosovës, duke ushtruar presion dhe ndikim në efikasitetin e institucioneve të Kosovës, të cilat në masë të madhe kanë qenë injoruese dhe joefikase për t’i adresuar kërkesat e shoqërisë sonë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka theksuar ai.

Kryeziu ka folur edhe për reformat në partitë politike si dhe për krijimin e një subjekti politik. Ai ka vlerësuar se mbyllja e secilit subjekt politik dhe rezistenca ndaj reformës, rrezikojnë që partitë të shndërrohen në grupe jopërfaqësuese dhe jokonkurruese në skenën politike. Kryeziu ka mirëpritur paralajmërimin për krijimin e një subjekti politik, duke thënë se është një numër i madh i qytetarëve të cilët nuk e gjejnë veten të përfaqësuar në partitë politike aktuale.

“Kjo jo vetëm se e bën të nevojshme lindjen e një subjekti politik, por është premtues edhe për ndikimin në reformimin e partive aktuale”, ka theksuar Kryeziu. /Epoka e re/

Më Shumë

Mot përvëlues, temperaturat deri në 39 gradë

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, të cilat mund të sjellin reshje të...

Historia e vrasjes së Auron Thaqit në Prizren, nëna e tij rrëfen krejt ngjarjen mes lotësh

Ka kaluar më shumë se një vit nga vdekja tragjike e Auron Thaçit në Prizren, i cili dyshohet se është therur me një mjet...

Lajmet e Fundit