Në këtë kohë kukullash dhe robotësh me të drejtë shtrohet pyetja: çfarë na bënë të ndihemi njerëzorë. Ndjenjat, ato që i shprehim dhe ato që nuk i shprehim, apo veprimet tona? Në raportin më të thjeshtë njerëzor, në atë në mes të një mashkulli dhe një femre, çfarë na bënë njerëzor? Nuk mund të shkruaj si mund të ndihet një femër, por gjithsesi do të provoj ta shpreh çfarë ia merr frymën një mashkulli? Çfarë e bën atë të ndihet njerëzor dhe të ndihet plot jetë.
Bukuria?
Një mashkull mund të tërhiqet drejt bukurisë, por bukuria nuk mjafton. Ka aq shumë kukulla të bukura, secila më plastike se tjetra, që parakalojnë bulevardeve si në sfilata të çdo sezoni. Të bukura për t’u parë, por të hidhura dhe të tharta për t’u shijuar.
Mençuria?
Një mashkull gjithnjë do të sfidohet nga një femër e mençur, por as mençuria nuk mjafton. Ka aq shumë statuja kohësh moderne që, kur është fjala për punë të botës, dinë të analizojnë edhe detajet më të vogla, ndërsa kur përballen me sfidat e jetesës në çift stepen dhe nuk dinë ku ta kapin fillin. Frymëzuese nga larg, por të ngurta dhe të ftohta për ta ndarë më të bukurën e shpirtit me to.
Çfarë është atëherë? Çfarë ia merr frymën një mashkulli?
Është ky shpirti i butë dhe përherë i freskët i një zonje të vërtetë.
Te ky shpirt lulëzon një bukuri diskrete, që ndihet dhe jo domosdoshmërish shihet. Një urtësi e thellë, që asnjëherë nuk imponohet dhe nuk e bënë tjetrin të ndihet në siklet. Një mirëkuptim që duam ta ndiejmë te miku ynë më i mirë. Një buzëqeshje mikluese, që ndjell afri të pakusht dhe që vetvetiu ngacmon shpërthime pasioni. Një entuziazëm, që përherë zbulohet nga fillimi dhe që asnjëherë nuk është i njëjtë.
Vetëm një zonjë e tillë ta merr frymën, sepse ajo nuk ngurron t’i japë krahë djaloshit rebel, që fshihet brenda secilit prej nesh. Dhe, pavarësisht se një ditë do të plakemi, do të tkurremi dhe do të tretemi, përkrah një zonje të tillë çdo herë do të ndihemi të ri.
Kjo është një ndjesi që në fletët e ditarit virtual të një shkrimtari është shprehur me etydin e mëposhtëm.
***
Nuk dua të pres për një rast më të mirë. Nuk dua të ndihem në siklet, të ndihem i kurthuar dhe as të ndihem keq. Nuk dua të pres një rast tjetër, një mundësi më të mirë për ta bërë atë që duhet ta bëj sot.
Ti ma merr frymën dhe duke e bërë këtë më bën të ndihem më i gjallë se kurrë. Andaj, të dëshiroj tani! Këtu. Dhe në këtë çast.
Dua ta sfidoj veten duke të frymëzuar ty. Të mbushem me jetë duke drithëruar në gjirin tënd, ndërsa ti të ndihesh e gjallë në shtrëngimin tim.
Nuk dua të bëhem nga ata që thonë: “Nesër! Ka kohë”
Nuk dua ta pres këtë ditë të duhur, sepse e di se kjo ditë nuk do të vijë kurrë. Çdo ditë e re do të kalojë. Do të ikë dhe do të tretet. Si shumë të tjera para kësaj dhe si shumë të tjera që do të vijnë. E fuqizuar nga hezitimi im, e hidhura nga sot do të shtrihet në të nesërmet e mëpastajme dhe do t’i bëjë hije diellit të lumturisë.
Andaj të dua tani. Këtu. Dhe në këtë çast, sepse e nesërmja kurrë nuk mund ta zëvendësojë magjinë që e ndiejmë sot.
***
Kushedi, ndoshta në botën e kukullave, dikush që ndien mund edhe mos të vlerësohet, por e di, jam i bindur, se pavarësisht imazhit që e projektojmë për veten dhe mënyrës si na shohin të tjerët, jo të gjithë jemi robot. Dhe jam shumë i bindur se, sado që të shtirren dhe të fshihen pas maskave plastike, jo të gjitha janë kukulla.
Mbase sot nuk është ditë e keqe të provojmë të deshifrojmë sinjalet nga brenda. Ta dëgjojmë njeriun brenda nesh. T’ia japim një rast.
(Autori është shkrimtar)