Derisa Dosja “Pronto” po vazhdon të zbulojë ndikimet politike në drejtësi dhe polici. Ekspertët e sundimit të ligjit vazhdojnë të ngritin dyshimet e tyre dhe skepticizmin se si mund të hetohen bandat nga policia e kapur dhe të gjykohen nga drejtësia e ndikuar nga politika dhe rrjetet e atyre bandave. Ideja e ekspertëve është se tani Kryeprokuroria e Shtetit, nëse do të kishte vullnet për të funksionuar krejtësisht e pavarur, do të duhej kërkuar formimin e një policie speciale hetimore, respektivisht Policisë Gjyqësore të menaxhuar dhe të udhëhequr nga vetë Kryeprokuroria e Shteti, por kjo nuk është duke ndodhur, pasi ndikimi politik edhe në këtë nivel po e bën të veten. Eksperti i së drejtës, Muhamet Kelmendi thotë se tani çështja e pozitës së Policisë, Prokurorisë dhe e Gjykatave është një ndër problemet më të mprehta të shtetit në Kosovë, të cilat do të duhej pavarësuar profesionalisht dhe funksionalizuar në funksion të fuqizimit të shtetit ligjor, por Kosova po vendnumëron në këtë proces.
“Të tri këto institucione për luftimin e dukurive negative, deri te krimi politik, ekonomik dhe i organizuar janë në pozitë të disfavorshme, mu për shkak se ato janë shndërruar në mjete të politikës, me të cilat edhe janë realizuar përcaktimet antishtetërore politike, dhe natyrisht se kështu as edhe një çështje e rëndë kriminale nuk është zbardhur për shumë vjet në Kosovë”, ka theksuar ai.
Italisë iu deshën shumë vjet luftë kundër mafisë Sipas Kelmendit, po të ketë vullnet është fare lehtë të veprohet në bazë të ligjit, por duhet të kemi edhe kuadro të padëgjueshme ndaj politikës dhe të respektueshme vetëm ndaj ligjit dhe shtetit ligjor. “Ndërsa tani të tillët në Kosovë mund të thuhet se kryesisht na mungojnë. Te ne kemi Polici të dëgjueshme dhe Prokurori që nuk e lufton krimin, sepse është shndërruar në mekanizëm të politikës. Në të njëjtën gjendje është edhe Gjyqësori, i cili nuk ka guxim të veprojë, sepse janë një pjesë e tyre të inkriminuar nëpër veprimtari të ndryshme antiligjore, si ish- gjykatës a prokurorë në sistemin e vjetër, ashtu një pjesë e tyre edhe tani të lidhur ngushtë politikisht me këtë sistem”, ka thënë më tutje ai.
“Pra, nga ky pozicion nuk mund të pritet të hetohen dhe as të kapen bandat, sepse vetë mekanizmat që duhet t’i luftojnë ato janë në mënyrë indirekte vegël e tyre, pasi në ballë të shumicës së tyre janë njerëzit e tillë, të caktuar nga ana e tyre, rrjeteve të po atyre bandave”, tha prof. Muhamet Kelmendi. Për ta ilustruar më mirë këtë gjendje, ai ka cituar thënien shkencore, sipas së cilës thuhet se shteti, i cili kriminalizohet, nuk mund ta luftojë veta krimin. “Mbi këtë bazë dhe këtë e shpjegon më së miri situata në politikën e Kosovës, në Shqipëri etj. Ndërsa, Italia është shembulli, se kur mafia futet në shtet, nuk ka mundësi të hiqet aq lehtë. Ajo kërkon decenie e mos edhe shekuj që të pastrohet dhe shteti të stabilizohet, që të shndërrohet në shtet ligjor’, tha Kelmendi.
Krimi i organizuar e korrupsioni i prodhuan milionerët e paligjshëm “Në këtë anë, edhe në Kosovë, edhe njëmijë polici po qe se i formon, nuk do të luftohet krimi. Ky fenomen nuk mund të luftohet assesi pa e bërë fillimisht spastrimin e listave të politikës nga njerëzit e dyshuar, si të atyre që vijnë nga ish- sistemi, edhe të inkriminuarit e mëvonshëm, sepse ata janë më të dëmshmit, si në Polici, në Prokurori dhe në Gjykata. Ndryshe, nuk do të kemi ndonjë ecje përpara në luftë kundër krimit. Këtë e dokumenton më së miri shembulli i Italisë dhe Shqipëria. Në Shqipëri janë në zhvillim reformat e mëdha dhe ato nuk po korrin sukses, sepse mu politika është ajo që është e degjeneruar dhe ka për qëllim që të mos ndërtohet shteti ligjor, sepse atëherë vetë ata duhet të përgjigjen”, është shprehur Kelmendi.
“Edhe në Kosovë, qoftë nga Prokuroria Speciale, qoftë nga mekanizmat e tjerë të shtetit, nëse krijohet edhe ndonjë polici speciale, ajo është vetëm formalisht, derisa ato tërë kohën do t’i nënshtrohen politikës së tanishme të kriminalizuar dhe të paspastruar”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”. Se sa ngushtë bashkëjeton krimi politik, ai ekonomik dhe drejtësia e kapur nga rrjetet kriminale, sipas Kelmendit, më së miri dëshmohet duke vrojtuar dhe duke analizuar pasuritë e politikanëve dhe të pronarëve të firmave të mëdha që në Kosovën e varfër arritën të marrin epitetin dhe madhësinë e korporatave ndërkombëtare. “Ata kanë arritur të bëhen multimilionerë. Kjo është bërë vetëm nëpërmjet krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe bashkëpunimit të ngushtë midis krimit politik dhe krimit ekonomik, në shumë raste të lidhur ngushtë edhe me ish- kriminelët serbë, Maqedoni etj., të cilët e kanë futur tërësisht Kosovën në kontrollin ekonomik përmes bashkëpunimit me rrjetet e krimit të organizuar brenda vendit. Me këtë kontroll ekonomik ushtrohet tërthorazi edhe kontrolli politik, ku asnjë nga qeveritarët, pa përjashtim, si presidenti, kryeministri, ministri i Jashtëm dhe të gjithë të tjerët, nuk kanë guxim të dalin kundër asnjë veprimi që e shkatërron vendin qoftë nga ndikimet e dëmshme brendapërbrenda apo edhe nga disa ndikime shumë të dukshme nga jashtë”, tha njohësi i fushës së legjislacionit Muhamet Kelmendi.