22.4 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025

Pritja në shi

“Këtu jam”, i kishte thënë, derisa e priste.
“Ku?”
“Në stacion”.
“Në cilin stacion?”.
“Në stacion të autobusëve”.
“Pse ke shkuar atje?”.
“Ty po të pres”.
“Mua?”.

“Po, ty po të pres. Po bie shi i ftohtë, e ti, ndoshta, nuk ke as çadër me vete, prandaj dola me veturë të të marrë, që të mos lagesh”.

“Nuk paske shkuar në punë, a?”.

“Prej atje erdha. Të thashë se dola të të pres me veturë, që të mos lagesh, e të mos ftohesh”.

“Sa mirë që të ka shkuar mendja te unë. Kam një çadër me vete, por është krejtësisht e shpartalluar dhe më mirë të them se nuk kam çadër fare”.

“Mendjen te ti e kam gjithnjë, por sot do të bëhem edhe çadra jote, që të mbroj nga shiu e bora”.

“Ti gjithmonë je mbrojtja ime, je strehë e përhershme për mua, je qielli im”.

Duke dëgjuar këto fjalë, shikonte përtej xhamit motin e çuditshëm që ishte tërbuar: pikat e shiut të përziera me borë, në gjysmën e muajit prill! Dikur kishte dëgjuar nga më të moshuarit: “Cungun më të madh ruaje për ditën e Shën Gjergjit”, që do të thotë se pranvera di të jetë edhe me borë. Nga këto mendime e shkëputi zëri i saj që e thirri në telefon:

“Zemër, autobusi po ecë ngadalë, kam frikë se do të vonohem”.

Me këto fjalë ajo shprehte brengën e saj që nuk ishte nisur më herët, mirëpo ky nuk e la të brengosej, sepse menjëherë ia ktheu butë e me dashuri:

“Nuk prish punë, unë të pres derisa të vishë”.

“Je shumë i mirë, o shpirti im, je i mrekullueshëm. Të dua shumë”.

“Edhe unë të dua ty. Ti meriton më shumë se kaq”.

Në ndërkohë, prapë hodhi shikimin përtej xhamit të veturës dhe shikonte njerëzit, e që të kërrusur ngarendnin në drejtimet e tyre, nëpër motin me sqotë bore. I vinte keq për ata njerëz që lageshin, por ndjehej i lumtur që kishte dal ta pres të dashurën e tij e ta kursej nga gjithë ato reshje.

Ajo priste me padurim që të mbërrij në stacion, por nuk do të mbërrinte shpejt, sepse ende ishte larg e autobusi ecte ngadalë. Ai ndalej në shumë vende për të marrë udhëtarët që pritnin të lagur në atë mot të pazakontë në gjysmë të prillit, kur toka shumë shpejt u zbardhëllua nga bora.

Asaj nuk i pritej, donte sa më parë të mbërrinte në stacion, ku e priste i dashuri që ta merrte me veturë, e ta përcillte deri atje ku mbahej ligjërata. Gjatë udhëtimit e mundonte në shpirt fakti që minutat ecnin shpejt, ndërkaq autobusi ecte ngadalë, e nuk do t’i mjaftojë koha që të pinin kafe bashkë. Hidhërohej me vetveten pse zgjohej me aq përtaci nga gjumi, sa mezi të mbërrinte në kohën e duhur në ligjëratë. Bile-bile, ndonjëherë, jo edhe rrallë, aty arrinte me vonesë.

Zemra e tij ishte më e madhe se Prishtina

Kur ajo arriti afër stacionit, e gëzuar që do të takoheshin, ia cingëroi telefonin për t’i thënë:

“Jam afër stacionit. Tash jemi mbi urë. Jam në autobusin me ngjyrë të bardhë. Shyqyr Zotit që, më në fund, arrita”.

Pas këtyre fjalëve, derisa autobusi bënte kthesën, ajo ia lëshoi një sy bulevardit të gjerë, e që madhështor shtrihej para syve të saj. Në kafiteritë e bulevardit kishin pirë kafe shumë herë bashkë.

“O Zot, sa e bukur e sa e madhe është Prishtina. Më e madhe se kjo është vetëm zemra e tij”, tha vetë me vete ajo. Sakaq, shkëputi shikimin nga aty dhe e drejtoi te grumbulli i veturave të parkuara para stacionit, ku ai e priste në shi.

“Pse ke dal nga vetura? Pse rri në shi? Hyrë në veturë, zemër, e mos u lag”, i tha ajo kur u afrua afër.

Ai me pëllëmbën e dorës fshiu pikat e shiut nga balli i tij dhe ia hapi derën e veturës, duke i thënë:

“Hyrë brenda më shpejt se t’i lagu flokët shiu”.
“Le t’i lagë, sepse ngrohtësia jote do t’i thajë shpejt. Dhe, kur kuptova se ke dal të më presësh, zemra më rrahu fort. Sikur të mundja, do të fluturoja që të vija sa më shpejt. Të lutem, më falë që u vonova,” i tha ajo posa hyri në veturë.

“Nuk je vonuar shumë. Na ka mbetur kohë edhe për të pirë kafe bashkë”, e qetësoi ai.

Ajo në vend të përgjigjes ia shtrëngoi dorën, për t’i thënë pas pak:

“Vërtet, je zemër e madhe, je njeri i madh. Ndjehem shumë e lumtur dhe krenare që të kam. Ti je dashuria ime”.

Ai ia puthi dorën akull dhe ia mbuloi me duart e tij që t’ia ngrohë.

Buzët si qershi

“Sa të bukura i ke duart. Më pëlqejnë shumë duart tua me gishtërinj të hollë. Edhe ngjyra mbi thonj të paska hije. Ty të rri bukur ngjyra e kuqe. Sa bukur e ke harmonizuar ngjyrën e buzëkuqit me ngjyrën e thonjve. Ama buzët i ke të mrekullueshme, si dy qershi në një rrem, prandaj ua kam shumë lakminë”, i tha ai.

Asaj ia përshkoi trupin një valë nxehtësie, e cila i dukej se po e djersitë, prandaj zhveshi mantelin. Deshi t’i hidhej në qafë, ta përqafonte e ta puthte, por ata dy ishin shumë të matur në publik, andaj u përmbajt. Duke ia shtrënguar dorën, i tha:

“Ti je jeta ime. Vetëm ti ma mbush jetën me dashuri. Pa ty nuk di se çfarë jete do të bëja, sepse ajo nuk do ta kishte asnjë kuptim”.

Ai e puthi në faqe, e cila iu kishte skuqur si mollë. Shikoi orën dhe kur pa se kishte mbetur edhe pak kohë, i tha:

“Do të pimë kafe diku?”.

“Patjetër”, ia ktheu ajo.

“Ku do të ulemi?”.

“Ku të duash, por nuk do të ishte keq aty, te karriget e bardha. Aty më pëlqen mua, sepse do të jem më afër sallës ku ligjërohet”.

“Mua do t’më pëlqej kudo që ti e shprehë dëshirën të ulësh. Për mua është e rëndësishme që ne, të dy, të jemi bashkë, pavarësisht se ku”, i tha ai me mburrje.

Krenare që ai shprehte pa ngurrim dashurinë e tij ndaj saj, ajo u lirua pak më shumë, për t’i thënë në zhargonin e shprehjeve të vajzave lozonjare: “Oh, më shurdhofsh ti mua! E di se ti vetëm po ma bënë qefin. Nëse, vërtet, mendon për mua ashtu siç po thua, unë do të ndjehesha shumë e lumtur”. Në atë moment i dukej se fluturonte nga lumturia, prandaj as që i lente përshtypje moti i lig me sqotë bore. Ajo qysh në fillim kishte zhveshur mantelin, por prapëseprapë e kaploi një zjarrmi që e ndjente se po i vinte nga brendia e trupit. Bluza e bardhë që e mbante të veshur e bënte të shkëlqente edhe më tepër fytyra e saj…

“I lumtur jam se të kam princeshë të vërtetë. Kam shumë arsye të mburrem me ty, sepse je bukuroshe e dalluar dhe je femër me sharm të rrallë. Ndjej kënaqësi të madhe që jam pranë teje”, i foli bindshëm, me dashuri dhe emocione.

Te karriget e bardha qëndronin si dy yje karshi njëri – tjetrit. Derisa pinin kafe, shikoheshin drejt në sy, thua se do ta përpinin njëri – tjetrin me shikime të mprehta, të cilat herë pas here i turbullonte vetëm ndjenja e dashurisë. Fjalët ishin të tepërta, sepse në vend të tyre fliste shikimi dhe buzëqeshja e tyre plot ëmbëlsi.

“Të iku ligjërata”, i tha ai, kur pa se koha ishte afruar për të ikur.

“Do të rrija ende me shumë dëshirë, por ja që u vonova, e më duhet të ik”, tha ajo, duke shikuar nga xhamat e mëdhenj të lokalit, fërfllëzën e pazakontë në ditë pranvere.

Jashtë bënte të ftohtë, por brenda, në zemrat e tyre, ishte pranverë. /Petrit Kalaja/ /Kosovarja/

Më Shumë

Në gjurmë të gazetarisë dhe publicistikës së Sami Frashërit – Nga Prof. Hamit Boriçi

1. Sami Frashëri, një nga ideologët e Rilindjes Kombëtare, përpara se t’u hynte veprave madhore të kulturës osmane dhe turke ka ushtruar fletorarizmin si drejtues...

Dëgjoni pak nga bashkëpunimi mes Yll Limanit dhe Taynas

Një super bashkëpunim do të ju bëjë për vete këtë sezon veror. Bëhet fjalë për duetin mes dy artistëve shumë të pëlqyer shqiptarë, Yll...

Lajmet e Fundit