Afera e përgjimeve më së miri po e zbulon anën e errët të qeverisjes së inkriminuar për vite të tëra në Kosovë nga klani ‘Pronto’, ngase po zbardhet përfundimisht mënyra se si Hashim Thaçi, president aktual i Kosovës, e ka kontrolluar dhe e kontrollon çdo gjë në shtetin tonë. Të gjitha punët e ndyta tani vazhdojnë të bëhen përmes veglave të tij dhe të të ashtuquajturve këshilltarë ndërkombëtarë. Sipas përfaqësuesve të ndryshëm të partive politike dhe analistëve, këtë fakt më së miri e dëshmojnë deklarimet dhe akuzat e hapura të ish-guvernatorit të Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi, i cili për medie vendore ka deklaruar se si i është kërkuar që t’i investojë paratë e buxhetit të shtetit në bankat që i propozonte këshilltari i atëhershëm në emër të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, Ariel Raubvogel. Ish-guvernatori thotë se ia pa sherrin pikërisht ish-kryeministrit dhe këshilltarit të tij, të cilët kërkonin që mbi 1 miliard euro, me të cilat menaxhonte BQK-ja t’i investonin në disa banka në Angli.
Ai tregoi edhe për ndërhyrjet direkte në punën e BQK-së nga njerëzit e partisë në pushtet, PDK-së, që nga presidenti aktual, Hashim Thaçi, dhe njerëzit e tij të afërt, e deri tek ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe ishkomandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla. Sipas tij, ata kanë gjithçka nën kontroll dhe vendosin se çfarë duhet bërë me paratë e taksave, e pensioneve të qytetarëve dhe kush duhet të përfitojë nga investimi i tyre. Në pothuajse të gjitha këto raste përmendet si aktor kryesor edhe ishministri i Financave i Kosovës, Ahmet Shala, dhe Besim Beqaj, atëherë kryesues i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Sipas opinionistëve, që kanë parë këto informacione, tani po shihet ashiqare se kjo paska qenë mënyra e të bërit politikë e Hashim Thaçit, i cili të gjithë atyre që nuk i janë besnikë verbërisht dhe servilë u “hakmerret” me akuza, pasi që dihet mirë se edhe Prokuroria dhe Gjyqësori janë në duart e tij dhe të njerëzve të tij.
Të palarat e Bordit të BQK-së dhe ndikimi i Thaçit Eksperti i fushës së ekonomisë, ishministri i Financave, Haki Shatri, i kontaktuar nga gazeta, ka pohuar se abuzimet në BQK dhe futjen e mafisë politike i ka hetuar që pas përfundimit të mandatit të tij si ministër, derisa ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në radhët e LDK-së dhe për këtë çështje është munduar të reagojë edhe përmes strukturave të partisë, por nuk ka pasur sukses. “Unë kam qenë pas mandatit të ministrit deputet në Kuvendin e Kosovës dhe kam qenë në Komisionin për buxhet, prej nga i kam përcjellë edhe disa veprime që janë bërë asokohe, kam reaguar edhe në subjektin e atëhershëm politik, LDK-në. Një shembull i reagimit dhe kundërshtimit ka qenë një rast i emërimit në radhët e Bordit të BQK-së, ku ka pasur person që besoj se as xhirollogari personale nuk ka pasur të hapur, e lëre më që nuk ka qenë asnjëherë më parë në BQK dhe nuk e ka ditur se ku është apo çka është banka, por që me vendime politike është votuar ai person dhe është zgjedhur anëtar i Bordit të BQK-së”, theksoi Shatri.
“Kam shkuar dhe kam reaguar atje, e ata që kanë qenë përgjegjës atëherë dhe më patën thënë hajt se jemi marrë ne vesh me Hashimin dhe shko e shikoj t’i punët e tua, aq shumë më patën irrituar me aso veprimesh antishtetërore në dëm të vendit e të shtetit, saqë më kanë detyruar ta bëj një veprim, i cili nuk ka qenë shumë i lehtë dhe më kanë qitur krejtësisht prej rrjedhave, që deri asokohe jam marrë me to. Pra, krejt kjo situatë është bërë me një marrëveshje të heshtur prapa shpine, në dëm të këtij vendi, dhe kanë përgatitur skenarët e caktuar me borde dhe me kandidatë e me veprime të ndryshme dhe mosreagime në situata të caktuara që me të vërtetë edhe po të krijohet një komision i specializuar ndërkombëtar, për të parë dëmin që i është shkaktuar këtij vendi, në periudhën prej vitit 2008 e këndej, kur kemi pasur kompetenca të plota, nuk e besoj që do të mund t’ia dalë në krye për ta bërë matjen e saktë, qoftë për keqpërdorim të parasë publike, qoftë për veprime të të gjitha natyrave që janë korruptive dhe të dënueshme, vepra penale”, theksoi Shatri.
Ish-guvernatori e pësoi se nuk iu bind kryeministrit Kryetarja e Grupit parlamentar Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, tha se përpjekja e Hashim Thaçit që përmes një konference për shtyp, në të cilën ai u angazhua për mbështetje të institucioneve të sundimit të ligjit për zbardhjen e akteve të ndryshme kriminale nga paslufta e këndej, nuk është gjë tjetër veçse përpjekje që të mbulojë infiltrimin e tij në ato shkelje ligji, në krim të organizuar kundër shtetit dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës.
“Dje doli në shesh ana e tij e errët, e gjitha përmes dëshmisë së ish-guvernatorit të BQK-së, që Rexhepi e përshkruan ndikimin në BQK, ku nga pozita e kryeministrit ka kërkuar nga ai që paratë e shtetit t’i vërë në shërbimin e tij dhe të disa individëve të partisë, të cilën e drejtonte asokohe, PDK-në. Kjo ishte mundësuar përmes këshilltarit të tij dhe të disa zyrtarëve të tjerë si Ahmet Shala dhe të tjerëve, të cilët përmenden në këtë dëshmi që u publikua dje nëpër shumë portale. Pra, aty dëshmohet ndërhyrja e drejtpërdrejtë e ish-kryeministrit, kreut të PDK-së, tani në pozitën e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, aty shihet më së miri edhe kapja e BQK-së nga ana e tij asokohe si lider i PDK-së. Aty dëshmohet se ai e kishte kontrollin e plotë mbi paranë e taksapaguesve, me pensionet e qytetarëve, dhe ai ishte që vendoste edhe për destinacionin e këtyre parave, por edhe kush e si duhet të përfitojë nga to”, tha Bajrami për “Kosova Sot”. Sipas saj, pikërisht ky kontroll mbi BQK-në ka bërë që ish-kryeministri në momentet e caktuara edhe ta kundërshtojë propozimin e Hashim Rexhepit, sepse propozimet e Rexhepit i prishnin terezinë dhe si kundërpërgjigje i është hakmarrë edhe me arrestimin e tij. Deputetja nga Nisma thotë se tani duhet të zbardhet e vërteta se kush ia kreu punën për të cilën nuk u bind Hashim Rexhepi, dhe se si ka shkuar procedura kur Trusti pas një kohë të shkurtër me ndihmën e dikujt tjetër vendosi t’i investojë rreth 75 milionë euro në një bankë të quajtur “FORTIS”