1.8 C
Prizren
E enjte, 28 Nëntor, 2024

Bilbili i këngës shqipe festoi 84-vjetorin e lindjes

Nexhmije Pagarusha ndër vite ka treguar se ishte një artiste e kompletuar, këngëtare e mrekullueshme, por edhe aktore e dalluar filmi.

Këngëtarja që njihet si “Bilbili i Kosovës” dhe si “Mbretëresha e muzikës shqiptare”, të dielën festoi 84-vjetorin e lindjes.
Ajo u lind më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës. Nexhmije Pagarusha ka ndjekur shkollën e muzikës në Beograd, për të filluar karrierën si këngëtare në Radio Prishtina në vitin 1948, e për të vazhduar për 40 vite të tjera të pushtojë botën e muzikës.

Pavarësisht se këngëtarja nuk ishte e përcaktuar se cilin zhanër të muzikës e kultivonte, këngët e saj u dëgjuan me ëndje çdo herë dhe nga të gjitha moshat.

Në Kosovë, Nexhmije Pagarusha është shpallur si ‘Këngëtarja e Shekullit” kurse në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”.

“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi, me tekstin e poetit të mirënjohur Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike edhe vepra të përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji por fatkeqësisht nuk është regjistruar.

Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi, ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Pagarusha ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë. Në vitin 2005 ajo ishte pjesë e jurisë së festivalit “Kënga magjike”.

Pagarusha është paraqitur para publikut shqiptar edhe me disa role në teatër e në film. Ajo aktroi në “Dasma e përgjakur”, “I ikuri”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Fluturimi i Micakut”, “Rexha i nënës në grazhd të kalit”, e të tjera projekte./Zeri/

Më Shumë

Pas shfaqjes së dokumentarit mjedisor, studentët dhe nxënësit në Prizren diskutojnë për efektet e shpyllëzimit

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit të Universitetit të Prizrenit si dhe nxënësit e shkollave të mesme kanë pasur rastin që...

Prizreni feston 80-vjetorin e ShKA “Agimi” dhe përuron Shtëpinë e Kulturës më 26 nëntor

Shënimi i 80-vjetorit të themelimit të SHKA “Agimi” përfaqëson një moment të rëndësishëm në historinë e kulturës shqiptare dhe traditës artistike në Kosovë. Shoqëria...

Lajmet e Fundit