25.9 C
Prizren
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Munir Basha: Fillimi i Ri, alternativë e vetme për Kosovën

Munir Basha ka studiuar gjuhët orientale në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka diplomuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike – në degën e Gjuhës Angleze. Me suksese ka drejtuar disa biznese, para se të fillonte karrierën politike.

Në karrierën e tij politike gjejmë se si ai dikur ka qenë Nënkryetar i Partisë së Drejtësisë (PD), deri në vitin 2011, Anëtar i Kuvendit Komunal në Prizren, ndërsa aktualisht edhe Zëvendës Ministër në largim në Ministrinë e Drejtësisë, ndërkohë që edhe Partia Konservatore e Kosovës, drejtohet nga ai.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re ai shpjegon arsyet se pse ka dështuar përpjekja për bashkimin e platformës konservatore, e cila është copëzuar në shumë parti si dhe arsyet pse PK-ja i është bashkuar koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma.

Ndër tjera Basha thotë se Partia Konservatore pas 11 qershorit do ti kthehet prapë betejës për ri-unifikim dhe ri-definim të platformës konservatore në vend, prioritet ky permanent i PK.-së.
Basha: Partia Konservatore pas 11 qershorit do ti kthehet prapë betejës për ri-unifikim dhe ri-definim të platformës konservatore në vend, prioritet ky permanent i PK.-së.
GeR: Z. Basha, fushata zgjedhore ka filluar me një intensitet të lartë, por e karakterizuar nga një qetësi (pra pa incidente dhe fërkime të mëdha), cili është mendimi juaj në lidhje me këtë?

Basha: Zyrtarisht fushata parazgjedhore filloi më 31.05.2017, edhe pse ka kohë që ishim dëshmitarë se vendi ynë ishte përfshirë në fushatë në forma të ndryshme, të kamufluara në kremtime përvjetorësh të partive dhe manifestimesh të ndryshme. Fakti që fushata parazgjedhore është duke u zhvilluara e qetë, me replika të shumta në media mes rivalëve, por pa eksese e incidente fizike dëshmon se vendi ynë edhe përkundër telasheve të shumta që ballafaqohet në shumë sfera, ka arritur një avancim të nivelit të kulturës politike pluraliste, që e vlerësoj si një e arritur që duhet kultivuar. Uroj dhe thellësisht jam i bindur se në këtë frymë do të shkoj deri në përfundim të fushatës.

GeR: Ti kthehemi pak punës tuaj. Ju drejtoni Partinë Konservatore, e siç dihet në “tregun” politik kosovar ka edhe të tjera parti që pretendojnë të prezantohen me filozofi konservatore, a ka pasur përpjekje për t’i bashkuar forcat me to?

Basha: Spektri i partive konservatore në vendin tonë, fatkeqësisht është duke kaluar në një fazë shumë kritike ose, thënë në mënyrë më të drejtpërdrejt, është duke përjetuar ditët më të vështira që nga fillet e saj, pra që nga vitet e para të pasluftës. Koshient për gjendjen në të cilën gjendet kjo platformë, në emër të Partisë Konservatore të Kosovës, ndërmora iniciativën për unifikimin e platformës konservatore në vendin tonë.

Për shkak të vështirësive me menaxhimin e “ambicieve personale” ose, thënë më troç, të bajraktarizmit të disa ish-bashkëpartiakëve të mi, sot faktor ose bartës të funksioneve udhëheqëse të disa subjekteve të fragmentizuara të platformës konservatore, por edhe më tepër për shkak të rrethanave të krijuara me mundësinë reale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ne si PK, kemi pasur përpjekje të vazhdueshme, por me intensitet të shtuar para 2-3 muajsh dolëm me një iniciativë konkrete të shkojmë me formimin e një aleance konservatore si një zgjidhje kalimtare deri në organizimin e një kuvendi të mundshëm të unitetit të platformës tonë brenda 12 muajsh pas zgjedhjeve të Qershorit. Natyrisht, këtij kuvendi do t’i paraprinte organizimi i debateve të brendshme me faktorët relevantë politik, intelektual e civil të platformës tonë, ku do të debatohej reformimi, ridefinimi dhe riorganizimi platformës konservatore në Kosovë.

Konkretisht, propozimi ynë ishte që me këtë aleancë të përbërë nga forcat tanimë të fragmentizuara konservatore, duke filluar nga Partia e Drejtësisë e Ferid Aganit, krahut të kontestuar të të njëjtës parti, të udhëhequr nga Sylejman Çerkezi, pastaj të Nismës për Drejtësi dhe Zhvillim, të udhëhequr nga Amir Ahmeti, nga deputetja e vetme që ishte në mandatin aktual të Parlamentit, zonja Labinotë Demi-Murtezi si dhe unë, si përfaqësues i Partisë Konservatore të Kosovës. Ideja ishte që, fillimisht, të dakordoheshim për nevojën imediate të këtij “bashkimi të përkohshëm” por të domosdoshëm dhe pastaj si një trup unik, në formën e një “pesësheje” të jemi pjesë e një koalicioni parazgjedhor.

Me këtë veprim, ne do të tregoheshim të ndërgjegjshëm si ndaj elektoratit tonë ashtu edhe ndaj platformës, pjesë e cilës jemi. Me një veprim të tillë do të dërgonim elektoratit tonë një porosi, sa të fuqishme aq edhe të domosdoshme, se pas përçarjeve dhe fragmentarizimeve disa vjeçare, kjo platformë po e merr veten, po bashkohet. Kjo porosi, lirisht mund të them, vetvetiu do të prodhonte efekte shumë pozitive tek elektorati ynë dhe, në këto zgjedhje do të ndodhte fuqizimi dhe faktorizimi i platformës sonë. Por, mbi të gjitha, ky unifikim i “përkohshëm” do të shënonte edhe ringjalljen dhe unifikimin e qëndrueshëm dhe të domosdoshëm të spektrit konservator në vendin tonë. Kjo iniciativë, tanimë është e ditur, tash për tash, nuk u realizua. Fatkeqësisht!

GeR: Si e vlerësoni këtë shpërndarje të personaliteteve të dala nga Partia e Drejtësisë, në disa subjekte e blloqe politike? E konsideroni këtë si dështim të PD-së apo si rritje e egove personale?

Basha: Shpërndarjen e këtyre personaliteteve të platformës konservatore vlerësoj si reflektim të gjendjes së rënd në të cilën gjendet kjo platformë, për të cilën më gjerësisht fola në përgjigjen më lartë. Fatkeqësisht, egot tona janë një kapitull i veçantë.

GeR: Tashmë jeni pjesë e një koalicioni të gjerë rreth Fillimit të Ri, do të donim të dinim çfarë është ajo që e dallon këtë koalicion nga garuesit tjerë?

Basha: Me marrëveshjen e datës 16.05.2017, Partia Konservatore e Kosovës duke analizuar me kujdes gjendjen në Parti dhe në vend, vendosi të vazhdoj bashkëpunimin me PDK në kuadër të Koalicionit Parazgjedhor Fillimi i Ri. Ky koalicion, dëshmon vendosmërinë e liderëve politikë kryesor të vendit tonë që, jo vetëm në ditët më të vështira të popullit tonë, pra të kohës së okupimit dhe luftës kur jemi rrezikuar nga shfarosja si popull, por edhe në momentet më të rëndësishme për shtetndërtimin e vendit tonë, të prijnë proceseve që do të shpiejnë vendin tonë drejt mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm si dhe drejt fuqizimit të subjektivitetit shtetëror të vendit, me formimin e ushtrisë tonë dhe integrimin e vendit në organizata euro-atlantike dhe organizata të tjera ndërkombëtare financiare, kulturore, etj. Andaj, edhe konsideroj se pikërisht kjo vendosmëri dhe vizion politik bënë dallimin mes këtij koalicioni dhe koalicioneve, gjegjësisht partive tjera që janë në garë ne këto zgjedhje.

GeR: Çfarë është ajo që pritni ju nga këto palë zgjedhjesh të parakohshme në Kosovë?

Basha: Nga këto zgjedhje, jo vetëm unë, por edhe qytetarët e Kosovës presin të dalë një qeveri stabile me kompetencë dhe vendosmëri, e cila do të prijë proceseve të rëndësisë jetike për vendin dhe popullin tonë, sikurse janë: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, luftimi i korrupsionit, formimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, fuqizimi i shtetit ligjor dhe, si rrjedhojë, edhe integrimin e vendit tonë në organizata dhe mekanizma euro-atlantik. Andaj, konsiderojë se Fillimi i Ri, jo vetëm si platformë zgjedhore por më tepër si një projekt nacional është alternativë e vetme për vendin. Ndërsa, në rrafshin partiak, pres që Partia Konservatore e Kosovës të vazhdoj rrugëtimin e saj duke qenë pjesë konstruktive e proceseve dhe skenës politike në vend. Shpreh bindjen time se nga këto zgjedhje PK do të dalë më e fuqishme edhe në proceset e paszgjedhjeve në reformimin dhe riorganizimin e spektrit konservator politik tek ne, procese këto që do tu kthehemi pas 11 qershorit.

GeR: Në mendimin tuaj a do të kemi nevojë për koalicione pas zgjedhore për formimin e Qeverisë së re?

Basha: Gjëja më e keqe që mund të ndodhte vendit pas zgjedhjeve të 11 Qershorit do të ishte përsëritja e një skenari bllokues “a la VLAN”. Por, pikërisht për të eliminuar çdo mundësi të përsëritjes së një skenari, sa destruktiv aq edhe të dëmshëm për vendin, kreu i koalicionit Fillimi i Ri, z. Kadri Veseli, me heqjen dorë nga kandidimi për të parin e qeverisë u dëshmua se është një lider vizionar me tipare të një burrështetasi të ndërgjegjshëm për perspektivën e vendit. Pas gjithë këtyre sakrificave dhe forcës reale që ka ky koalicion në terren, pres një fitoreje të thellë të koalicionit tonë dhe një qeveri stabile edhe në aspektin e numrave në Parlamentin e Kosovës.

GeR: Dhe për fund, cili është mesazhi juaj drejtuar qytetarëve për këto palë zgjedhjesh?

Basha: Uroj që fushata për këto zgjedhje të zhvillohet deri në fund në mënyrë të qetë dhe demokratike, ku qytetarët e vendit do të kenë mundësinë e zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre politikë në mënyrë të lirë, duke qenë besnikë bindjeve të tyre politike.

Inkurajoj çdo qytetarë të vendit tim që detyrimisht të dalë në zgjedhje dhe me votën e tij të jetë pjesë aktive e ndryshimit dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të vendit tonë. Votimin mos të kuptojnë vetëm si drejtë kushtetuese por edhe një obligim qytetar dhe patriotik. Secilit qytetar të Kosovës them në mënyrë të drejtpërdrejt: Ndryshimi fillon me ty!/Gazetaere.com/

Më Shumë

PDK-ja në Dragash reagon ndaj mungesës së qytetarëve në manifestimin e Ditës së Çlirimit

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Dragash ka reaguar ashpër pas manifestimit të organizuar nga Komuna për Ditën e Çlirimit, duke vënë...

Beteja për Albulenën

Nga Mero Baze Beteja e parë për Albulenën ka ndodhur në vitin 1457, në një fushë mes Lezhës dhe Krujës, por me një raund final....

Lajmet e Fundit