Prizren: Dy nga 20 policët e akuzuar për marrje ryshfeti pranojnë fajësinë

Policët Muhamet Buzhala dhe Alush Elshani e kanë pranuar fajësinë për marrje ryshfeti, të cilët së bashku edhe me 18 kolegë të tyre, akuzohen se e kanë kryer këtë vepër penale.

Ndërsa, nuk e kanë pranuar fajësinë zyrtarët e tjerë policorë, Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Buzhala, avokati Kastriot Memaj ka mbështetur pranimin e fajësisë nga klienti i tij, duke shtuar se i njëjti është i vetëdijshëm për pasojat e pranimit të fajësisë dhe se pranimin e ka bërë me vullnet të plotë.

Prokurori i rastit, Genc Nixha, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga të akuzuarit.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka pranuar fajësinë e të akuzuarve Buzhala dhe Elshani, ndërsa policët tjerë i ka udhëzuar që deri në shqyrtimin e dytë, kanë të drejtë të kundërshtojnë aktakuzën dhe provat në të cilat mbështetet ajo.

Shqyrtimi i dytë, në këtë çështje penale, është caktuar të mbahet më 17 gusht 2017, me fillim në ora 10:00.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i akuzon 20 zyrtarët policorë të njësisë së autostradës, se kanë marrë ryshfet për të mos e kryer detyrën e tyre sipas ligjit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, gjatë dhjetorit 2016, duke patrulluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, për të mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

Në aktakuzë përshkruhet se si këta policë, duke vepruar në grup prej 2 dhe 3 zyrtarësh, brenda orarit të punës, kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave deri rreth 400 euro e pastaj të hollat i kanë ndarë mes veti, në mënyrë proporcionale./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Komuna e Prizrenit ngre shqetësimin për operimin e guidave ilegale turistike

Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik e Komunës së Prizrenit ka reaguar lidhur me praninë dhe operimin e guidave ilegale turistike në qytet, duke...

Përurohet Kulla e Lirisë në Dobërdolan të Suharekës

Ish-komandantë të Zonave Operative të luftës së UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, përfaqësues diplomatikë dhe qytetarë të shumtë, morën pjesë në përurimin...

Lajmet e Fundit