2.8 C
Prizren
E hënë, 3 Shkurt, 2025

Besnik Velija në Gjykatën e Prizrenit: Nuk jam grabitës

Besnik Velija, i akuzuar për grabitje, ka dhënë fjalën e tij përfundimtare të premten në Gjykatën Themelore në Prizren.

Velija, ka deklaruar se po gjykohet padrejtësisht sepse, sipas tij, prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë se ai ka kryer grabitje në rastin “Las Vegas” dhe “Western Union”, për të cilat raste ai është shpallur fajtor në shkallë të parë, por që kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Ai ka thënë se është i pafajshëm në të dy rastet, duke shtuar se organi i akuzës ka fshehur provat të cilat atë e shfajësojnë. I akuzuari Velija, ka kërkuar përsëritjen e gjykimit edhe në rastin “Las Vegas”, pasi thotë se është dënuar padrejtësisht, e këtë e dëshmon sipas tij, edhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme në këtë rast.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Mazreku, ka kërkuar nga trupi gjykues që klientin e tij ta lirojë nga akuza, sepse sipas tij, një gjë e tillë nuk është arritur të dëshmohet nga ana e prokurorisë.

Mazreku ka thënë se gjatë rigjykimit të këtij rasti, gjykata nuk ka mundur të mënjanojë parregullsitë e gjetura nga Gjykata Supreme e për të cilat e ka kthyer rastin në rigjykim. Sipas tij, gjatë rigjykimit, gjykata nuk ka mundur të sigurojë deklaratën e të akuzuarit tjetër Remzi Kuqi, i cili është në arrati, nuk e ka dëgjuar të dëmtuarën dhe dëshmitarët tjerë, e po ashtu nuk ka administruar ndonjë provë tjetër.

Avokati Mazreku, ka theksuar se klienti i tij, akuzohet për dy raste të grabitjeve vetëm duke u bazuar ne instinktet e policisë dhe prokurorisë, të cilat kanë nxjerrë paralele sipas mendimit të tyre në mes ngjashmërive të rasteve “Las Vegas” dhe “Western Union”.

Por, ai ka thënë se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm duke bërë ekspertiza profesionale nga profesionistë të fushave përkatëse që analizojnë dhe konkludojnë me siguri të plotë se kemi të bëjmë me të njëjtit persona.

Në anën tjetër, prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka qëndruar pranë aktakuzës duke shtuar se gjatë seancave të gjykimit të parë dhe rigjykimit, me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve dhe ekspertëve është dëshmuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Prokurori Sefa, po ashtu ka kërkuar që pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në këtë rast, i akuzuari Velija të dëbohet nga vendi dhe t’i ndalohet për një kohë që i njëjti të hyjë në territorin e Kosovës.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, shpalljen e aktgjykimit  e ka caktuar për 31 korrik 2017, në ora 13:30.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzë së Prokurorisë Themelore në Prizren, sipas së cilës i akuzuari Besnik Velija ngarkohet me veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës i akuzuari Velija së bashku me të akuzuarin tjetër i cili është na arrati,  Remzi Kuqi, kanë hyrë me dhunë në firmën “Nisa” e cila kryente shërbime të transferit të parave për “Western Union” dhe duke e kërcënuar me armë zjarri kanë marrë nga kasaforta rreth 2.500 euro.

I akuzuari Velija, më 4 maj 2016, është gjetur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren, me ç’rast është dënuar me 3 vite burgim efektiv.

Poashtu edhe Gjykata e Apelit më 16 shtator 2016, ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka refuzuar ankesat e mbrojtjes si të pabazuara.

Por mbrojtja e të akuzuarit, ka atakuar vendimin e Apelit në Gjykatën Supreme, për shkelje të procedurës penale dhe ligjit penal, me ç’rast Supremja ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim në shkallë të parë.

Sipas Gjykatës Supreme në këtë rast nuk janë vërtetuar saktë provat nga vendi i ngjarjes pasi që sipas tij ekzekutorët kanë mbajtur maska dhe nuk mund të vërehen nga kamerat se kush janë. Tutje, në Aktgjykimin e Supremes, thuhet se as punëtorja e lokalit të sulmuar nuk ka mundur të bëjë identifikimin e personave që e kanë sulmuar, e poashtu i akuzuari tjetër është arratisur dhe nuk e ka inkriminuar të akuzuarin si bashkëkryerës.

Ndërsa, sipas Supremes, nuk është e mjaftueshme arsyetimi i gjykatës se i akuzuari ka pasur veshë një trenerkë me vija, e cila, poashtu është përdorur në një rast tjetër të grabitjes (Las Vegas) dhe se është vërtetuar se është e të akuzuarit në fjalë, për të cilin rast poashtu nuk ka vendim përfundimtar të çështjes.

Më Shumë

Derbi i Prizrenit në Superligën e femrave: Junior 06 sfidon Bashkimin

Sonte, basketbolli i femrave në Kosovë do të ofrojë një përballje emocionuese mes dy skuadrave prizrenase, KBF Junior 06 Moni Bau dhe KBF Bashkimi....

Kompletohet shorti për fazën ‘play-off’ të Ligës së Evropës

Sot (e premte) është hedhur shorti për fazën e ‘play-off’-it të Ligës së Evropës, ku do të zhvillohen disa përballje tejet të barabarta. Sfida më...

Lajmet e Fundit