Kandidati për kryetar të Rahovecit nga LDK, Ibrahim Kryeziu, ka prezantuar programin qeverisës për katër vitet e ardhshme, duke thënë se ka programin më të mirë për të udhëhequr me komunën.
Ai ka thënë se ka projekte konkrete për të gjitha fushat për të cilat ka nevojë, sikurse janë arsimi, shëndetësia, bujqësia, punësimi i të rinjve.
”Programi zgjedhor përfshin të gjitha fushat për të cilat Komuna është përgjegjëse, përfshirë zhvillimin ekonomik edhe bujqësinë, arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën publike, rininë, kulturën dhe sportin. Por, mbi të gjitha përfshinë transparencën dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje. Unë dhe LDK-ja ofrojmë mbështetje për ekonominë e Rahovecit për katër vitet e ardhshme ne do të ndërtojmë zonën industriale, do të subvencionojmë dhe mbështesim bizneset fillestare, në veçanti ato biznese që formohen nga të rinjtë dhe të rejat e komunës sonë. Për këtë unë do të formoj një fond. Për të bërë këtë mbështetje do të themeloj një zyre, e cila do të ndihmojë komunën dhe bizneset për të përfituar donacione, fonde për zhvillim të bizneseve. Mbështetje në formë konsulentë për bizneset të vogla dhe fillestare. Bujqësia është fusha më e rëndësishme për ekonomin e Rahovecit. Unë për katër v itet e ardhshme do të rrisë shumën e subvencioneve dhe granteve për bujq dhe fermerë”, tha Kryeziu.
Ai po ashtu ka thëne se do të bëjnë investime në infrastrukturë, rrjetin e ujitjes, ndërsa në arsim do të punojë për depolitizimin e arsimit.
“Rahoveci e ka ndarë mendjen këtë herë do e bëjë ndryshimin e madh. Këtë herë në Rahovec do të ndodh ndryshimi , dhjetë vite kanë humb dhe Rahoveci ka mbet aty ku e kemi lënë në vitin 2017-të. Ju do të përcaktoni për fatin e zhvillimit të Komunës së Rahovecit përmes votës suaj ju do të zgjedhin që Komuna jonë të qeveriset mirë, me përgjegjësi, profesionalizëm, transparencë. Apo të vazhdojë të qeveriset nga njerëz të papërgjegjshëm në mënyrë jo transparente, të qeveriset nga grupet të ndryshme, të cilët e kanë kapur shtetin dhe me çdo kusht po tentojnë ta mbajnë peng vendin dhe komunën tonë vetëm e vetëm për t’i realizuar interesat e tyre personale e grupore. Për më tepër këto zgjedhje do të përcaktojnë edhe fatin e kësaj qeverie të pakicës, e cila është peng i Qeverisë së Serbisë. Është qeveri që nuk është në gjendje për t’i zgjidhë problemet e shumta me të cilat ballafaqohet qytet ari i Kosovës. Por për të rehatuar dhe kënaqur interesat e atyre që për këto vite të pasluftës janë pasuruar në mënyra të paligjshme të atyre që kur në jetën e tyre nuk kanë punuar ndonjë punë të hairit për vendin”, tha Kryeziu.
Ndërsa, Avdullah Hoti, shef i grupet parlamentar të LDK-së, i cili është edhe kryetar i degës së LDK-së në Rahovec, i ka ftuar qytetarët e Rahovecit ta votojnë kandidatin e tyre pasi sipas tij është i vetmi që ka program konkret.
“Programin të cilin do të prezantoj Ibrahimi, është i pa krahasueshëm me programin që kandidatë të tjerë mund të prezantojnë në Rahovec. Ne jemi të nderuar që në program kanë marrë pjesë një numër i madh i ekspertëve të fushave të ndryshme. Ne do të përgatitemi për një qeverisje të ndershme të mirë bashkë me Ibrahimin pas datës 22 tetor. Fitorja jonë duhet të jetë fitore e thellë për t’iu dhënë mesazh të tjerëve se si punohet dhe si punon LDK-ja. Në Rahovec ne i kemi sjellë 7 milionë euro që janë më shumë se 15 vite investime që ka pasur në rrugë. Rahoveci nuk është vetëm vend agrar siç janë mësuar ta quajnë dhe ta blejnë me subvencione. Komuna e Rahovecit janë njerëz punëtor, nëpër biznese, biznese të vogla të rinjve që janë identifikuar, kam pas nderin që gjatë këtyre viteve bashkë me juve t’i vizitojmë shumë biznese të vyeshme të Rahovecit, të cilat Ibrahimi do t’i përkrahë me n jë program që është i fokusuar vetëm për biznese të vogla dhe të mesme”, tha Hoti.
Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se prioritet mbetet zhvillimi ekonomik për të gjitha komunat, pasi këtë sipas tij LDK-ja e ka dëshmuar edhe në qeverisjen e fundit në nivel qendror.
“Ne si LDK jemi përcaktuar se si prioritet i qeverisjes në nivel lokal të jetë ajo që ne e kemi mbajt në nivelin qendror. Është zhvillimi ekonomik. Mendojmë që asnjë prioritet tjetër nuk duhet ta kemi para zhvillimit ekonomik , para punësimit të të rinjve dhe të rejave, të njerëzve të papunësuar , të atyre që kërkojnë punë në Rahovec dhe tërë Kosovë. Prandaj, ne do të ju ofrojmë program më të mirë dhe ju garantoj që askush në Kosovë nuk mund të ofrojë program më të mirë se LDK-ja. Po ashtu, po ju ofrojmë qeverisje të mirë të implementimit të këtij programi, sepse gjithë të tjerët janë cilësuar me qeverisje të keqe, të qeverisë vendin pa asnjë aferë dhe pa asnjë problem për tre vite. I kemi qeveris 9 komuna në Kosovë dhe nuk e kemi pasur asnjë problem në 9 komuna dhe kemi të drejtë që të kërkojmë që të qeverisim edhe komunat tjera sepse po qeverisim mirë”, tha Mustafa.
I pari i partisë Isa Mustafa, i ka ftuar rahovecianët që të përkrahin programin e Kryeziut, duke thënë se është i vetmi kandidat që ka program konkret që ka në fokus zhvillimin ekonomik. /kp