I., E., B., dhe E. S., së bashku edhe me B. B., të cilët akuzohen se duke hedhur koktej molotovi në konsullatën turke në Prizren, kanë shkaktuar rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe rrezikim të përgjithshëm, kanë dhënë mbrojtjen e tyre.
Ata kanë deklaruar se në natën kritike kanë festuar me alkool për shkak të festës së 28 Nëntorit dhe se më pas kanë vepruar pa i kuptuar pasojat. Ata kanë mohuar të kenë ditur se objekti të cilin e kanë sulmuar është konsullatë turke, por se kanë menduar se është një dyqan në të cilin valonte një flamur turk.
Ata kanë deklaruar se kanë shumë miq të nacionalitetit turk dhe se nuk kanë urrejtje ndaj popullit apo shtetit turk, andaj edhe veprimet e tyre nuk kanë qenë kundër shtetit turk, por të një objekti të rastësishëm. Për më tepër, i akuzuari I. S. ka thënë se bashkëshorten e ka të nacionalitetit turk.
Të akuzuarit janë shprehur të penduar dhe kanë kërkuar falje për problemet që i kanë shkaktuar me veprimet e tyre, në natën kritike.
Mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar kohë për të përgatitur fjalën përfundimtare, andaj kryetari i turpit gjykues, Artan Sejrani, ka shtyrë shqyrtimin gjyqësor për 21 nëntor 2017, në ora 13:30.
Më 22 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj tyre me të cilën i akuzon se kanë kryer veprën penale të rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.
Sipas aktakuzë në fjalë, të akuzuarit, më 28 nëntor 2016, në orët hershme të mëngjesit, me automjet “Pik Up”, pasi marrin benzinë në një nga pompat e benzinës, i janë afruar konsullatës turke në Prizren dhe të njëjtën e kanë sulmuar me “koktej molotovi”.
Të akuzuarit nëse shpallen fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohen, rrezikojnë burgim prej 6 muaj deri në 10 vjet./betimiperdrejtesi/