13 C
Prizren
E hënë, 12 Maj, 2025

Prokuroria kërkon dënimin e Shaip Budurit, Bujar Nerjovajt dhe Beqir Letajt

Prokurorja Ervehe Gashi, të martën, ka kërkuar nga gjykata që drejtorin e shkollës “Gjon Buzuku” në Prizren, Shaip Budurin, ish-kryetarin e këshillit të kësaj shkolle, Bujar Nerjovaj dhe ish-zëvendësdrejtorin e së njëjtës shkollë, Beqir Letajn, t’i shpallë sërish fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Prokurorja Gashi, në fjalën e saj përfundimtare, ka thënë se me administrimin e provave materiale dhe dëgjimin e dëshmitarëve, është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarve formohen elementet esenciale të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu, ka kërkuar që të akuzuarve t’u shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të detyrave udhëheqëse në institucione publike.

Mbrojtësi i të akuzuarit Buduri, avokati Esat Gutaj, ka deklaruar se duke u bazuar në vërejtjet  e Gjykatës së Apelit dhe provave të kësaj lënde, me padyshim se nuk formohen elementet e veprës penale për të cilën akuzohet klienti i tij. Andaj, ka kërkuar që ai të lirohet nga akuza në mungesë të provave.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nerjovaj, avokati Skender Morina, ka thënë se nëse trupi gjykues bazohet në vendimin e Gjykatës së Apelit, atëherë do të duhej që të sjellë aktgjykim lirues në këtë rast. Ai ka thënë se për t’u plotësuar elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, do të duhej të ekzistonte dëmi ose përfitimi material, e  që sipas tij, në këtë rast, mungojnë këto elemente.

I akuzuari Beqir Letaj, në fjalën përfundimtare ka thënë se nuk e ndien veten aspak fajtor dhe se ai ka qenë para një akti të kryer kur e ka nënshkruar vendimin për realizimin e ekskursionit të nxënësve për në Shqipëri.

Ai ka shtuar se ankesat kanë ardhur më datën 4 tetor 2013, që ka qenë ditë e premte, ndërsa nxënësit është dashur të nisen sipas planifikimit të drejtorit dhe këshillit drejtues të shkollës, më 6 tetor 2013, andaj nuk ka pasur kohë që të shqyrtohen ato ankesa.

Në anën tjetër, i akuzuari Bujar Nerjovaj, ka deklaruar se është i akuzuar padrejtësisht pasi që ai vetëm ka nënshkruar një vendim të marrë nga të gjithë anëtarët e këshillit drejtues të shkollës dhe se nëse një vendim i tillë ka qenë sipas ligjit apo jo është dashur të kujdeset organi administrativ mbikëqyrës.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, shpalljen e aktgjykimit në këtë rast penal e ka caktuar për 27 tetor 2017, në ora 15:30.

Të akuzuarit Buduri, Nerjovaj dhe Letaj, akuzohen se me rastin e përzgjedhjes së kompanisë fituese për ekskursionin në Shqipëri të maturantëve të shkollës në fjalë për vitin 2013, kanë favorizuar kompaninë fituese “Atmaxha Tours”.

Sipas organit të akuzës, favorizimi është bërë duke përcaktuar kushte të konkursit jashtë Udhëzimit Administrativ 27/13, të Ministrisë së Arsimit, si kërkesa për rezervimin e hotelit “Rafaello” në Shëngjin, pasi që në këtë mënyrë ka eliminuar konkurrencën.

Të akuzuarit, në dhjetor të vitit të kaluar, janë gjetur fajtor dhe janë dënuar me një vjet burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse ata nuk kryejnë vepra të reja penale brenda dy viteve.

Mbrojtësit e të akuzuarve brenda afatit të paraparë ligjor, kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Apeli më 17 gusht 2017, ka vendosur që kjo lëndë të kthehet në rigjykim për arsye se diapozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin, se arsyetimi është në kundërshtim me provat në shkresat e lëndës dhe aktgjykimi është i paqartë.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të tregojë veprimet konkrete të të akuzuarve në drejtim të favorizimit të kompanisë fituese dhe dëmtimin e kompanive tjera, humbëse në tender./betimiperdrejtesi/

 

 

Më Shumë

Rexhaj pyetet për propozimin e Abdixhikut: Jo – nuk kemi çka ulemi, është devijim i popullit

Arbër Rexhaj i betuar si deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se subjekti që ky përfaqëson, nuk do ulet në tryezë për...

Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim edhe për katër të arrestuar lidhur me laboratorin e drogës

Prokuroria Themelore në Prizren të enjten ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë –...

Lajmet e Fundit