5.7 C
Prizren
E hënë, 3 Shkurt, 2025

Shpallen të pafajshëm Shaip Buduri, Beqir Letaj dhe Bujar Nerjovaj

Drejtori i shkollës “Gjon Buzuku” në Prizren, Shaip Buduri, ish-zëvendësdrejtori Beqir Letaj si dhe ish-kryetari i këshillit të kësaj shkolle, Bujar Nerjovaj, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të premten, janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, e cila ka thënë se trupi gjykues, pas këshillimit dhe votimit, ka ardhur në përfundim se të akuzuarit nuk janë fajtorë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ajo ka thënë se të akuzuarit lirohen nga akuza sepse nuk është provuar se ata kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Të akuzuarit Buduri, Nerjovaj dhe Letaj, akuzoheshin se me rastin e përzgjedhjes së kompanisë fituese për ekskursionin në Shqipëri të maturantëve të shkollës në fjalë për vitin 2013, kanë favorizuar kompaninë fituese “Atmaxha Tours”.

Sipas organit të akuzës, favorizimi është bërë duke përcaktuar kushte të konkursit jashtë Udhëzimit Administrativ 27/13, të Ministrisë së Arsimit, si kërkesa për rezervimin e hotelit “Rafaello” në Shëngjin, pasi që në këtë mënyrë ka eliminuar konkurrencën.

Të akuzuarit, në dhjetor 2016, janë gjetur fajtorë dhe janë dënuar me një vjet burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse ata nuk kryejnë vepra të reja penale brenda dy viteve.

Mirëpo, mbrojtësit e të akuzuarve brenda afatit të paraparë ligjor, kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Apeli më 17 gusht 2017, ka vendosur që kjo lëndë të kthehet në rigjykim për arsye se dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin, se arsyetimi është në kundërshtim me provat në shkresat e lëndës dhe aktgjykimi është i paqartë.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të tregojë veprimet konkrete të të akuzuarve në drejtim të favorizimit të kompanisë fituese dhe dëmtimin e kompanive tjera, humbëse në tender./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit