14 C
Prizren
E enjte, 24 Prill, 2025

Prizren: Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve për tentim vrasje, mbrojtja kërkon lirimin e tyre

Prokurori Mehdi Sefa, të martën, gjatë fjalës së tij përfundimtare, ka kërkuar nga trupi gjykues që të shpallë fajtorë të akuzuarit Ndrec Përlazeri dhe Lutrim Krasnqi, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale të vrasjes së mbetur në tentativë.

Prokurori Sefa, ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit me dashje kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin Ibrahim Kazazi, në mënyrë që i njëjti të mos dëshmojë në rastin gjyqësor për fajde kundër vëllait të të akuzuarit Ndrec Përlazeri.

Sefa ka thënë se gjykata duhet t’i besojë të dëmtuarit Kazazi, i cili, sipas tij, ka bërë identifikimin e Lutrim Krasniqit dhe Gjon Përlazerit si sulmues të tij dhe se ai së bashku me bashkëshorten e tij, kanë treguar gjatë seancave gjyqësore për presionet nga të akuzuarit për një borxh të paqenë.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Përlazeri, avokati Skender Morina, ka kërkuar që klienti i tij të shpallet i pafajshëm ndaj akuzës që i ngarkohet, sepse sipas tij, gjatë shqyrtimit gjyqësor me asnjë provë nuk është vërtetuar pretendimi se ai ka tentuar të vrasë të dëmtuarin në këtë rast.

Morina ka thënë se krejt rasti është ndërtuar mbi supozime sepse, sipas tij, nuk ka logjikë dhe nuk është në traditën tonë që babai të bëjë roje ndërsa i biri të tentojë të mbysë dikë.

Po ashtu edhe avokati Rasim Krasniqi, i cili mbron të akuzuarin Lutrim Krasniqi, ka thënë se nuk është vërtetuar se klienti i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Krasniqi i është referuar edhe deklaratave të të dëmtuarit, të dhëna në polici dhe në media, ku, sipas tij, ai ka deklaruar se nuk e din se kush e ka sulmuar megjithëse të akuzuarit i kishte njohur edhe para rastit.

Ai ka thënë se po të ishin të akuzuarit ata që kanë sulmuar të dëmtuarin, ai do t’i kishte njohur sulmuesit dhe do t’i kishte treguar para policisë dhe për më tepër ka thënë se nuk mund të besohet se persona që tentojnë të kryejnë një vepër të tillë më pas shkojnë në restorant për të ngrënë bukë me qetësi të plotë.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka shpallur të përfunduar këtë gjykim, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 2 shkurt 2018, në ora 14:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Ndrec Përlazerit dhe Lutrim Krasniqit, të cilët i akuzon se më 11 janar 2017, kanë tentuar të vrasin të dëmtuarin Ibrahim Kazazin, i cili ishte dëshmitar në një gjykim për fajde.

Sipas organit të akuzës, dy të akuzuarit dhe Gjon Përlazeri, i cili është në arrati, kanë shkuar te shtëpia e të dëmtuarit, ku ai ishte duke punuar në lokalin tij dhe e kanë sulmuar me sëpatë dhe armë zjarri.

Sipas aktakuzës, derisa i akuzuari Ndrec Përlazeri po bënte roje në afërsi të vendit, i akuzuari Lutrim Krasniqi dhe personi në arrati, Gjon Përlazeri, kanë hyrë në lokal dhe e kanë sulmuar të dëmtuarin, Kazazi.

Tutje, në aktakuzë, thuhet se Gjon Përlazeri e ka goditur të dëmtuarin me sëpatë në trup, ndërsa i akuzuari Lutrim Krasniqi ka shtënë dy herë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Prokuroria pretendon se krejt kjo ngjarje ka ndodhur me qëllim që të mos lejohet i dëmtuari Ibrahim Kazazi, të dëshmojë në një rast gjyqësor për fajde i cili ishte duke u zhvilluar në kohën e incidentit, në Gjykatën Themelore në Prizren.

I dëmtuari në këtë rast, ishte i dëmtuar dhe dëshmitar kryesor në rastin penal ndaj të akuzuarve Bernard Përlazeri, Pal Morina, Engjëll Thaqi, Albert Kala, Nue Karica, Gjon Kushnini dhe Eduard Morina, të cilët akuzoheshin për fajde, detyrim, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon ata se përmes imponimit të fajdesë ndaj familjes Kazazi, kanë marrë prej tyre shuma të mëdha të parave dhe kanë tentuar t’ua marrin shtëpinë, me anë të kërcënimit me armë.

Ibrahim Kazazi, më 11 janar 2017, një ditë para se të fillonte dëshminë në këtë gjykim për fajde, ishte plagosur me armë zjarri nga dy persona. I njëjti, më pas, ka dhënë dëshminë e tij përmes pajisjeve teknologjike, nga një dhomë e veçantë në gjykatë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

“Hidroregjioni Jugor” njofton konsumatorët në Prizren se uji është përsëri i sigurt për pije

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar konsumatorët në Prizren se uji sërish është i sigurt për pije. Sipas njoftimit të kësaj kompanie edhe...

Nesër vazhdimi i seancës, VV dhe PDK të gatshëm për zgjedhje

Pak çaste para se të dështonte dy herë radhazi për të marrë votat e nevojshme për kryetare të Kuvendit, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu...

Lajmet e Fundit