15.8 C
Prizren
E enjte, 9 Maj, 2024

Prizren: Dëshmitari thotë se janë kërcënuar që të mos e varrosin të vrarin gjatë luftës

Dëshmitari Mustafë Përteshi, të hënën, gjatë gjykimit për krime lufte kundër të akuzuarit Remzi Shala, ka deklaruar se kur ka marrë vesh se është vrarë Haxhi Përteshi, së bashku me vëllezërit e tij, kanë vendosur ta varrosin kufomën, por janë paralajmëruar nga banorët e fshatit që mos ta bëjnë një gjë të tillë.

Ky dëshmitar, ka thënë se gjatë rrugës për të marrë trupin e të afërmit, ka takuar një bashkëfshatar i cili, sipas tij, i ka thënë se ‘komandant Guri ka thënë se kush e varros kufomën e Haxhi Përteshit, do ta gjejë e njëjta gjë edhe atë’.

Dëshmitari Përteshi, ka thënë se i akuzuari nuk ka pasur shkollë, por është dashur të pyesë kur e kanë dërguar së bashku me Xhemë Kapedanin dhe Ferat Shalën për të marrë njerëzit që i kanë rrahur dhe mbytur, pse po i marrin, për spiunë apo kanë hasmëri personale.

Ai ka thënë se Haxi Përteshi ka pasur shumë problem me Policinë e Serbisë dhe se djalin e ka pasur në burg të Smrekovicës për dy vjet, e sipas tij, sikur ai të kishte qenë spiun qysh nuk kishte mundur ta nxjerrë djalin e tij nga burgu.

Sipas këtij dëshmitari, Haxhi Përteshin, pasi që e kanë vrarë për inate personale ia kanë veshur akuzat për spiunazh, kinse ai ka bashkëpunuar me forcat serbe dhe i ka furnizuar ata me femra shqiptare, vetëm për të arsyetuar vrasjen e tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, ka bërë vërejtje në deklaratën e këtij dëshmitari duke thënë se ai ka folur vazhdimisht duke përdorur fraza “më kanë thënë”, “kam dëgjuar”, andaj sipas tij, ai ka dalë jashtë aktakuzës duke dhënë komente dhe mendime personale.

Në këtë seancë, ka filluar dëshminë edhe dëshmitari Xhafer Shukolli, i cili ka thënë se nuk e din kush e ka vrarë të ndjerin Haxhi Përteshi, duke thënë se një lajm të tillë e ka marrë nga xhaxhi i tij.

Avokati i të dëmtuarve, Asdren Hoxha, e ka pyetur këtë dëshmitar nëse është e vërtetë se ka thënë pse të dëmtuarit po kërkojnë vrasësin e babës së tyre ku dihet se në fillim të luftës së pari vriten spiunët, por dëshmitari ka mohuar te këtë bërë një deklaratë të tillë.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, për shkak të përfundimit të orarit të punës, ka ndërprerë seancën, ndërsa shqyrtimi do të vazhdojë nesër, 06 mars 2018, në ora 09:15, ku do të vazhdojë dëshminë e tij, dëshmitari Xhafer Shukolli.

Remzi Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babin e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Pretendentët për titull me përballje të lehta

Albi Mall Superliga do të vazhdojë në fundjavë me xhiron e radhës (32), ku në program janë pesë ndeshje për t’u zhvilluar. Kampioni dhe lideri...

Policia shqipton mbi 1 mijë e 500 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1530 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Ballkani mban kreun

Moti sot me shi

Lajmet e Fundit