24 C
Prizren
E enjte, 24 Korrik, 2025

Gjashtë muaj burgim me kusht për Ilir Baldedajn

Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, ish-drejtorin e Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, pasi të premten e ka shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, gjatë shpalljes së aktgjykimit, ka deklaruar se Ilir Baldedaj është fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohet dhe se i njëjti dënohet me burgim prej gjashtë muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda afatit prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Sejrani ka njoftuar të akuzuarin se duhet të paguajë 200 euro për shpenzimet e procedurës, 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit dhe se ka të drejtë që të parashtrojë ankesë kundër këtij aktgjykimi, në afat prej 15 ditësh, pas pranimit të të njëjtit në formë të shkruar.

Ndryshe, Ilir Baldedaj akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prizren, se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të administratës komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale.

Sipas aktakuzës, Baldedaj kontratat i ka lidhur me televizionet lokale pa procedura tenderuese, megjithëse kontratat parashohin pagesa mujore për një vit e që kalojnë shumën prej 1000 mijë euro, deri në të cilën shumë mund të lidhen kontrata pa kaluar në procedura tenderuese.

Aktakuza fillestare pretendonte se i akuzuari televizionit “Opinion” i ka paguar rreth 37 mijë euro, televizionit “Besa” rreth 25 mijë euro dhe televizionit “Prizreni” rreth 10 mijë euro, mirëpo pas ekspertizës së bërë gjatë gjykimit, organi i akuzës e ka reduktuar shumën e paguar ndaj televizioneve në 17.100 euro.

Baldedaj, përndryshe është kryetar i grupit të këshilltarëve komunal të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Kuvendin Komunal të Prizrenit dhe së fundi është emëruar këshilltar politik i Koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahirit./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Gjakova për herë të parë mbështet Shkollën Verore Ndërkombëtare në Prizren

Komuna e Gjakovës i është bashkuar për herë të parë si bashkëfinancuese edicionit të katërt të Shkollës Verore Ndërkombëtare, që po zhvillohet në Universitetin...

Dragashi mirëpret mërgimtarët me masa lehtësuese dhe aktivitete kulturore

Me kthimin masiv të mërgimtarëve në vendlindje gjatë muajve të verës, Komuna e Dragashit ka ndërmarrë një sërë masash për t’i pritur ata me...

Lajmet e Fundit