Gjykata Themelore në Prizren, të premten, ka shpallur fajtorë dy të akuzuarit Fitim Musliu dhe Ramë Kasolli, të cilët akuzoheshin për posedim dhe shpërndarje të narkotikëve, duke i dënuar secilin me nga dy vjet burgim efektiv dhe 200 euro gjobë.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, i cili ka thënë se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe analizimit të çështjes, trupi gjykues, ka ardhur në përfundim se të akuzuarit janë fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohen.
Çoçaj, ka thënë se nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe deklaratave të vetë të akuzuarve, është vërtetuar se të njëjtit kanë poseduar dhe shpërndarë substanca narkotike të llojit marihuanë dhe se kanë blerë qese të veçanta për të paketuar drogën.
Tutje, gjyqtari Çoçaj, ka thënë se secili prej të akuzuarve dënohet me nga dy vjet burgim efektiv dhe me gjobë prej 200 euro, duke thënë se mosha relativisht e re e të akuzuarve, është marrë për baze me rastin e shqiptimit të llojit dhe lartësisë së dënimit.
Para se trupit gjykues të tërhiqej për këshillim dhe votim, palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare, me ç’ rast prokurori i rastit, Metush Biraj, ka deklaruar se pas administrimit të provave materiale dhe dëgjimit të dëshmitarëve është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen, duke kërkuar dënimin e tyre.
Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Afrim Paçarizi dhe Avni Thaqi, gjatë fjalëve të tyre përfundimtare kanë kërkuar që klientët e tyre të dënohen vetëm për posedim të narkotikëve pasi që, sipas tyre, është evidente që ata janë të varur nga substancat narkotike, ndërsa të lirohen nga akuzat për shpërndarje dhe shitje të narkotikëve, siç pretendon organi i akuzës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 13 Mars 2018, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Fitim Musliu dhe Ramë Kasolli, me të cilën i akuzonte ata se kanë poseduar në mënyrë të paautorizuar substanca narkotike të llojit marihuanë, me qëllim të shitjes.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit, më 28 tetor 2017, në parkun afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, kanë mbushur qese të vogla me narkotikë, me qëllim të shitjes së tyre dhe pas bastisjes së lokacionit ku ata banonin, janë gjetur dy qese të zakonshme najloni të mbushura me narkotik dhe 18 qese të vogla ku vendoset marihuana me qëllim të shitjes./betimiperdrejtesi/