Sot, në mbledhjen e Qeverisë, është miratuar marrëveshja e arritur mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesmarrje të Kosovës në programin “Evropa Kreative”, pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, për Ratifikimin e Marrëveshjes.
Ministri në ekspozenë e tij para kabinetit qeveritar arsyetoi se është i nevojshëm miratimi i marrëveshjes me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e kulturës në fushën ndërkombëtare. “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet në vazhdimësi e përkushtuar që të krijojë dhe të zhvillojë politika të qëndrueshme në funksion të përmbushjes së objektivave ligjore.
Duke pasur parasysh këtë rëndësi të zhvillimit të kulturës, MKRS-ja ka nënshkruar Marrëveshjen Ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe BE-së, lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa Kreative”, për sektorët kulturorë dhe kreativë”, ka thënë Ministri Gashi. Ministri po ashtu u shpreh se pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve të kulturës, si dhe organizatave krijuese, të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese për konkurrim me vendet e BE-së.
Aprovimi i Projektligjit për pjesëmarrje në kuadër të Programit “ Evropa Kreative” njëherazi do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të sektorit kulturor dhe krijues, përmes promovimit të platformave kulturore dhe përmirësimit të akcesit ndaj krijimeve evropiane kulturore, dhe fuqizimit të audiencës, si dhe forcimit të inovacionit dhe krijimtarisë në fushën e kulturës. Gjithashtu, ndikim të veçantë do të ketë edhe në bashkëpunimin për rritjen e inovacionit, mobilitetit ndërshtetëror dhe shkëmbimit të praktikave më të mira në fushën e kulturës.
Kostoja vjetore financiare që Kosova duhet t’i paguajë Buxhetit të Përgjithshëm të Bashkimit Evropian për të marrë pjesë në Nën-programin e Kulturës dhe në fushat ndërsektoriale të do të jetë 35,000 euro. Këtë shumë financiare Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka paraparë në buxhetin e saj dhe e njëjta do t’i procedohet BE-së sipas Marrëveshjes.