Mungesa e të akuzuarit për kanosje, Shpejtim Krasnqi, ka bërë që të dështojë seanca fillestare ndaj tij, e paraparë të mbahet të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.
Gjykatësi Lulzim Paqarizi, ka thënë se i akuzuari Krasniqi, është ftuar përmes detyrimit, për të cilin stacioni policor në Malishevë sipas tij, nuk e ka informuar gjykatën për mos realizimin e urdhëresës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Paqarizi, ka marrë vendim që për seancën e ardhshme i akuzuari Krasniqi, sërish të ftohet me detyrim përmes stacionit policor në Malishevë.
Seanca e radhës është caktuar për 8 nëntor 2018, ora 11:15.
Sipas aktakuzës, më 20 maj 2016, rreth orës 17:30, në Malishevë, i akuzuari Shpejtim Berisha, përmes numrit të telefonit të tij i kanoset seriozisht të dëmtuarit Afrim Krasniqi.
Në aktakuzë thuhet se për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që ka pasur i dëmtuari me të akuzuarin rreth një borxhi, pasi intervistohet në stacionin policor në Malishevë lidhur me këtë rast, me SMS ia dërgon të dëmtuarit Afrim Krasniqi fjalët “jo allti po top mbaj me veti sun ma lun as piken e synit, dije mirë një gjak ma ke borxh, ja ka me ta q*** n***, ja ki me ma q*** ti mua”.
Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale kanosje nga neni 185, paragraf 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.//Betimipërdrejtësi