0.8 C
Prizren
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Rexhep Qosja e konsideron Fjalorin Enciklopedik “analfabetizëm shkencor dhe antikombëtar”

“Fjalori Enciklopedik i Kosovës – fjalor kundërkombëtar”, shprehet shkrimtari dhe akademiku Rexhep Qosja për botimin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës nga Akademia e Shkencave të Kosovës.

Qosja është shfaqur jashtëzakonisht i ashpër me këtë projekt.

“Fjalori i ashtuquajtur Enciklopedik i Kosovës është përmbledhje dyvëllimëshe që nuk i plotëson kriteret elementare për t’u quajtur vepër profesionale, shoqërore e kombëtare. Fjalori në fjalën është vepër e konceptuar dhe e përgatitur prej diletantëve të punës shkencore e punës profesionale. Në këtë Fjalor nuk çmohen as masa, as kriteri, as parimi, as merita, as vlera, që janë parimet themelore të cilave duhet t’u përmbahen përpiluesit e enciklopedive. Do parë kush krejt është futur në të dhe do parë kush krejt është lënë jashtë tij për t’u bindur se çfarë injorance e ka konceptuar atë Fjalor. Do parë cilat institucione të përtashme e cilat institucione historike janë futur në të e cilat janë lënë jashtë tij për të parë çfarë fanatikësh politikë e partiakë e kanë konceptuar atë Fjalor!”.

“Fjalori Enciklopedik i Kosovës është përmbledhje njësish shkrimore, kur e kur shkarravinash, në të cilin cenohet plotësisht dhe qëllimisht njësia e historisë, e gjeografisë, e kulturës, e qytetërimit shqiptar: e historisë politike, e arteve, e shkencave, e traditës dhe e jetës kombëtare në përgjithësi në historinë dhe në të përtashmen e saj. Në këtë mënyrë Fjalori në fjalë është bërë përmbledhje e konceptit serb për ndarjen e Kombit shqiptar në dy kombe: në kombin e shqiptarëve të Shqipërisë të quajtur albanci dhe në kombin e shqiptarëve të Kosovës e të ish Jugosllavisë në përgjithësi të quajtur shiptari ose shiftari! Cenimi i këtillë i njësisë së Kombit shqiptar e bën Fjalorin në fjalë vepër kundërkombëtare që komprometon vetëdijen historike, shkencore dhe kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi, kurse të shqiptarëve të Kosovës në veçanti! Fjalori Enciklopedik i Kosovës është fryt i zi i privatizimit partiak të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës! Fjalori Enciklopedik i Kosovës është fryt i zi i privatizimit të kësaj Akademie prej një Klani mafioz! Fjalori në fjalë është fryt i zi i korrupsionit të pandalshëm e të shumëllojshëm që e ka gllabëruar këtë institucion”.

“Vizita e djeshme e tre pushtetarëve të lartë të Kosovës në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës tregon se sa janë fundosur dija, vetëdija, drejtësia, ligji, ndërgjegjshmëria në institucionet më të larta të Kosovës: në Presidencën dhe në Qeverinë! Me praninë e tyre aty ata në të vërtetë i shpallën të ligjshme edhe privatizimin partiak, edhe privatizimin klanor, edhe korrupsionin, edhe zhvatjet, edhe vjedhjet, edhe krimin në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës sot. Dhe, i shpallën të ligjshme në vend se t’i propozojnë Kuvendit të Kosovës, si finansues i asaj Akademie të shpërfytyruar, të degjeneruar, që të marrë masat ligjore për shërimin e për shpëtimin e saj sa më të shpejtë prej gjithë atyre të këqijave që e sundojnë sot! Deri kur do ta lejojë populli i Kosovës këtë analfabetizëm shkencor e profesional, këtë korruptim, këtë degjenerim, këtë shfrenim në Akademi dhe në politikën shtetërore të Kosovës?!”.

 

Më Shumë

Kamarieri nga Prizreni i bën thirrje rinisë: Kthehuni dhe kontribuoni në zhvillimin e Kosovës

Në njërën prej kafiterive më të frekuentuara të Prizrenit, "Corner", flamuri i ri i shërbimit është Flamur Berisha, i cili ushtron zejen e kamerierit...

UEFA, së shpejti me vendim për ndeshjen Rumani – Kosovë

UEFA brenda një afati të shkurtër kohor do ta marrë vendimin për ndeshjen e ndërprerë në Bukuresht ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës që i takoi...

Lajmet e Fundit