Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka ritheksuar edhe njëherë qëndrimin e kësaj partie se LDK nuk do t’i bashkohet ekipit negociator të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij LDK do të vazhdojë luaj rolin njëjtë të partisë opozitare.
Mes tjerash Avdyli në një deklaratë për Insadjerin ka thumbuar Partinë Socialdemokrate që së fundmi i është bashkuar ekipit negociator të delegacionit shtetërorë.
“Në Kosovë ku partia e 5 udhëheq me Kryeministrin e partia e 6 me dialogun atëherë domosdoshmërish kërkojnë përkrahje të deputetëve të opozitës që paraqesin vullnetin real të qytetarëve. Anakronizëm tjetër është që Presidenti udhëheq dialogun e do duhej qeveria”, ka deklaruar Avdyli.
Duke aluduar në deputetët e PSD-së, Avdyli ka thënë se deputetët e dezertuar pa legjitimitet politik nuk mund ta prezantojnë opozitën.
“Pastaj deputet të dezertuar pa legjitimitet politik mundohen me prezantua opozitën. Prandaj duhen zgjedhje dhe rirreshtim politik e jo që partitë që paraqesin shumicën e vullnetit qytetar t’i bëhen bisht njerëzve jolegjitim”, ka deklaruar ai.
Ka thënë qartë se roli i LDK-së do të jetë opozitar ashtu siç ka qenë deri tani. Madje ai ka thënë se presion po i bëhet vetëm Kosovës që në ekip negociator të përfshihen të gjitha partitë, pavarësisht se një kërkesë e tillë, nuk është edhe ndaj Serbisë.
“Ne jemi opozitë dhe do e luajmë rolin nga opozita gjithmonë në të mirë të Kosovës e jo t’i bëhemi dekor dikujt që kanë sjellë dëm Kosovës edhe kur ishin opozitë edhe tani si qeveri”.
“Se di pse ky insistim që LDK të kyçet si dekor i kësaj qeverie të dështuar derisa nga pala tjetër Serbe nuk po kërkohet t’i kyç Jeremiqin apo Sheshelin në dialog me Kosovën. Këta po e din që s’kanë legjitimitet qytetar e po duan që vetë të qeverisin e votat për vendimet e tyre t’i jetësojnë përmes atyre që paraqesin vullnetin e vërtet të shumicës shqiptare. LDK s’do bëhet pjese e ekipit mbështetës të Thaçit, por do e luaj rolin pozitiv opozitar siç e ka luajtur deri me tani”, ka deklaruar Avdyli.
Kujtojmë se sot gjatë ditës Isa Mustafa ngriti dyshimet për rolin e LDK-së në ekipin negociator. Ai përmes një postimi në Facebook fillimisht la të hapur mundësin që kjo parti t’i bashkohet ekipit të dialogut.
“Në këtë situatë është pak e rëndësishme se kush është pozitë e kush opozitë, sa është e rëndësishme se pa pozitën dhe pa opozitën e mirëfilltë nuk ka zgjidhje të çështjeve me interes shtetëror dhe nacional. Dhe, po ashtu se pa dy krahët, atë të trashëgimisë së rezistencës së Ibrahim Rugovës dhe atë të dalë nga UÇK, nuk mund të përballohet përmbyllja e marrëveshjes me Serbinë”, kishte shkruar Mustafa.
Por disa momente pas këtij postimi, kryetari i LDK-së reagoi përsëri.
Tha se qëndrimet e tij të mëhershme nuk janë pikëpamje për përfshirjen e partisë që drejton në ekipin e dialogut.
“Pikëpamjet e mia për unitet karshi Serbisë, të shprehura në postimin paraprak, nuk përfaqësojnë pikëpamje se do ti bashkohemi apo bashkëngjitemi asnjë ekipi në dialog por se do ti mbrojmë interesat e vendit si opozitë dhe si parti e cila përfaqëson një trashëgimi të veçantë historike. Qëndrimet e LDK-së janë të qarta”, shkroi Isa Mustafa në postimin e tij të dytë gjatë ditës së sotme./Insjderi.com