2.3 C
Prizren
E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Masakra në Zelandën e Re, rreziqet që na vijnë nga heshtja dhe apatia

Nga Dr. Arben Ramkaj

Ishte realisht e trisht dhe e frikshme, ngjarja që ndodhi në qytetin Kristçërç të Zelandës së Re, pak ditë më parë, kur 28-vjeçari nga Australia, Brendon Tarrant, një terrorist i lëvizjes së supremacistëve të bardhë, i përgatitur me një infrastrukturë të madhe armësh zjarri, tamam si në një videolojë në playstation, hyri në një xhami të premten e shkuar, dhe ekzekutoi dhjetra besimtarë.

Ai zgjodhi të ndërmarrë aktin makabër pikërisht të premten, një ditë të shenjtë për besimtarët myslimanë, në një vend ku ndodheshin bashkë burra, gra dhe fëmijë, që kryenin lutjet e javës, i kërkonin falje Zotit për mëkatet e tyre, dhe lypnin mirësi nga Krijuesi i Gjithësisë.

Dhe pikërisht në atë moment solemn në jetën shpirtërore të një besimtari mysliman, goditi dora gjakftohtë e pabesisë, duke marrë jetën e mbi 50 besimtarëve, dhe plagosur rëndë dhjetra të tjerë. Për fat të keq, ngjarje të tilla i kemi parë shpesh vitet e fundit, dhe ku janë përfshirë gjithnjë e më shpesh besimtarët myslimanë.

Tejet dramatike kanë qenë edhe sulmet e tjera terroriste, ku janë përfshirë besimtarë të feve të tjera. Janë ende të pashlyeshme në kujtesën e njerëzve, ngjarjet e Londrës, Parisit, Nisës, Barcelonës, Torontos, Berlinit Ankarasë apo Stokholmit. Por sulmi i 15 marsit në Zelandën e Re, ishte i frikshëm edhe për disa elementë shtesë, që autori i masakrës pretendon se e movituan për të kryer aktin e tmerrshëm.

Ashtu si norvegjezi Anders Breivik, që në korrikun e vitit 2011 vrau në Oslo dhe rrethinat e tij 77 njerëz brenda disa minutash, edhe Tarrant kishte publikuar paraprakisht një “manifest” në internet, të dominuar nga fryma e ideologjisë së dhunës dhe urrejtjes ndaj të tjerëve, që e përshkon në tërësi lëvizjen e supremacistëve të bardhë.

Në atë “manifest”, Tarrant ndalet shpesh tek sulmet e Breivik, dhe frymëzohet prej tij. Sipas shumë studimeve, njerëz të tillë nuk u radikalizuan befas muajt apo vitet e fundit. Hetimet e mëvonshme të policisë, zbuluan se Breivik kishte 9 vite që përgatitej për të gjitha detajet e atij sulmi që ndërmori.

Zakonisht individë të tillë, bëhen pjesë e forumeve të lëvizjeve ekstremiste që në adoleshencën e hershme, pikërisht atëherë kur sipas psikologëve kanë nevojë të formojnë identitetin e tyre, të kenë ndjenjën e një përkatësie, të një kauze, dhe një qëllimi, të cilit do t’i përkushtojnë jetën.

Ata janë kaq shumë të indoktrinuar, u provua edhe në rastin e fundit, saqë e kryejnë aktin terrorist me një vetëdije dhe kthjelltësi kriminale të frikshme.

Breivik në sallën e gjyqit shfaqej triumfues, përshendeste si nazistët e Hitlerit dikur, dhe pretendonte se 77 të vrarët prej tij, ishin një ndëshkim për politikat liberale të partisë në pushtet, që kishte lejuar “pushtimin mysliman të Norvegjisë”.

Edhe Tarrant pasi kreu masakrën, iu dorëzua pa bërë rezistencë forcave të policisë. Ndërkohë, si gjatë marrjes në pyetje, ashtu edhe në seancën paraprake në gjykatë për masën e sigurisë, ai u shfaq tejet i qetë, duke mos shfaqur asnjë tronditje për atë që kishte bërë, dhe madje pohoi me gojën e tij se nuk pendohej për aktin barbar.

Dhe ashtu sikurse ka ndodhur vazhdimisht gjatë historisë, terroristët janë gjithnjë në një hap me risitë e fundit teknologjike, të cilat i shfrytëzojnë në funksion të arritjes së qëllimeve të tyre. Masakra u transmetua drejtpërsëdrejti në rrjetin social Facebook nga llogaria e autorit, ndërsa “manifesti” ishte postuar prej tij në Twitter.

Këto kompani, kërkuan ndjesë që nuk ndërhynë në kohë për të ndaluar transmetimin e atyre imazheve dramatike. Megjithatë dëmi ishte bërë, dhe sipas raportimeve ajo video ndodhet tashmë në shumë forume të lëvizjeve ekstremiste. Sado që kompanitë e mëdha të internetit, mund të marrin masa, materiale të tilla shokuese që motivojnë shumë ndjekësit e ideologjive radikale, magazinohen në të ashtuquajturin “dark web”, uebsajte të kriptuara me një anëtarësi të përzgjedhur, ku edhe vetë institucionet shtetërore e kanë të vështirë të ndërhyjnë.

Terroristi i supremacistëve të bardhë, përdori si bazë të “manifestit” të tij ekstremist, historinë e urrejtjes së egër dhe nacionalizimit të verbër në Ballkan dhe Evropë, që ka shkaktuar në të kaluarën aq shumë drama njerëzore. Ky element, nuk mund të na linte indiferent për disa arsye të forta.

Rrugës për në xhami, ai po dëgjonte në makinë një këngë nacionaliste serbe kushtuar kriminelit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, njeriu i dënuar nga Haga si përgjegjësi kryesor për organizimin e masakrës së Srebrenicës në korrikun e vitit 1995, ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe të rinj myslimanë të Bosnjes.

Të njëjtat këngë nacionaliste, shoqëronin Tigrat e Arkanit, gjatë masakrave që kryenin mbi shqiptarët e Kosovës.

Por edhe më e rëndë ishte njollosja e imazhit të heroit tonë kombëtar Skënderbeut, emrin e të cilit terroristi supremacist Australian e kishte shkruar në njërën nga armët me të cilat kreu krimin e tmerrshëm. Jo vetëm kaq, por në “manifestin” e tij, Tarrant i quan shqiptarët e Kosovës “pushtues islamikë”.

Të gjitha këto janë transmetuar në mediat shqiptare thjesht si elemente ekzotikë, pa u shoqëruar me ndonjë reagim të fortë distancues. Për më tepër, në dallim nga ngjarjet e mëparshme të ngjashme, duke nisur që nga sulmi i Charlie Hebdo në Francë, munguan mesazhet e ngushëllimit dhe solidarizimit nga ana e Presidentit, Kryeministrit, Ministrit të Jashtëm etj.

Terrozimi nuk ka ngjyrë, fe, dhe as kombësi, dhe heshtja e autoriteteve shqiptare ndaj kësaj masakre, është nje neglizhim I pavend, aq më tepër kur për këtë ngjarje reaguan shumë shpejt të gjithë udhëheqësit kryesorë të botës nga presidenti amerikan Donald Trump, liderët e BE, Papa Françesku, presidenti turk Erdogan dhe drejtuesit e tjerë të botës myslimane.

Duke pasur parasush që dogmat dhe ideologjitë, luftohen vetëm me ideologji të moderuara, mendoj se kjo heshtje përbën një lloj gracke, ku rrezikon të bjerë edhe shoqëria shqiptare, në rast se nuk reagon në mënyrë solidare.

Kombi shqiptar mburret me të drejtë me bashkëjetesën fetare.

Ai mburret edhe me të shkuarën e tij, që nuk mund të lejohet kurrsesi të njolloset nga ekstemistët e dhunshëm me karakter lindor apo perëndimor.

Kjo ngjarje, mund të perceptohet nga disa si sporadike. Por është tashmë një fakt, që rritja e valës islamofobe në Perëndim, por edhe në Shqipëri është bërë e frikshme.Studime te fundit te shoqeris civile ne Shqiperi tregojn se mbi 20 për qind e shqiptarëve, i shohin elementët fetare si xhamia apo Meka si premisa të eksremizmit dhe radikalizimit fetar.

Dhe kjo është një e dhënë e frikshme, pikërisht sepse e drejta e besimit është e mbrojtur universalisht. Ajo është fituar nëpërmjet betejave të mëdha dhe jo të lehta, dhe për këtë arsye këto të drejta duhen mbrojtur me çdo çmim.

Kjo ngjarje, na bën të reflektojmë nëse rrezikojmë të biem pre e gjuhës së urrejtjes, e ndasive, të linçimit të të tjerëve për shkak të besimit fetar, apo shoqëritë moderne do të mundohen të bëjnë gjithçka, për ta kaluar edhe këtë situatë.

Duke iu rikthyer edhe njëherë ngjarjes, solidarizimi i shprehur në mbarë botën, duke veçuar apelin për paqe e bashkëjetesë të Mbretereshës së Britanisë së Madhe, tregon se shpresa për multikulturalizmin dhe bashkëjetesën, shpresa që njerëzit të jetojnë të lirë, nuk ka humbur.

Në mbyllje, lutja ime shkon për ata besimtarë që humbën jetën, për familjarët e tyre, dhe për gjithë ata që kanë një sensibilizim të sinqertë mbi aktin barbar që ndodhi të premten e shkuar në Kristçërç të Zelandës së Re.

Më Shumë

Moti sot: Me diell dhe vranësira të shpërndara, temperaturat deri në shtatë gradë Celsius

Sot mbi Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet...

Nismë për përmirësimin e shërbimeve pronësore dhe fuqizimin e grave në biznes në Suharekë

Në Komunën e Suharekës u mbajt një takim mes përfaqësuesit të Aktivitetit të USAID-it “Qeverisja e Pronës”, Leotrim Gërmizaj, dhe përfaqësuesit të Shoqatës së...

Lajmet e Fundit