-1.2 C
Prizren
E diel, 24 Nëntor, 2024

50 vite nga vdekja e Katarina Josipit

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës u mbajt eveniment kulturor në  përkujtim të  aktores së  njohur shqiptare Katarina Josip.

Për të  kujtuar Katin, fillimisht në  skenë  zuri vend  kori “Nexhmije Pagarusha” ku kënduan një këngë të Nexhmije Pagarushës. Por aty nuk munguan edhe aktorët të cilët kishin interpretuar së bashku me Katarina Josipin. Selman Lokaj, Safete Rugova dhe Igballe Qena ishin mbledhur sot me të  vetmin qëllim, kujtimin e shoqes dhe koleges së  tyre Katit.

Aktorja Igballe Qena ishte ajo e cila foli fillimisht për Katin. Ajo tregoj se me të  ishte takuar në skenë dhe se nga loja e saj ajo ishte magjepsur. Po ashtu ajo shtoi se Kati është “bashkëfajtore” për rrugën e saj si aktore.

“Është vështirë të flas për të, por edhe ashtu ma lehtësojnë ato takimet tona shumë të shkurtra, fatkeqësisht ajo nuk kishte jetë të gjatë në kuptimin fizik, por ajo do të  jetojë gjatë  në kujtimet dhe shkrimet tona. Me Katin jam njoftuar shumë herët, shfaqjen e parë në jetën time që e kam shikuar është shfaqja “Borëbardha”, ku luajtëm mes aktorëve të tjerë, Katarinën e kam njoftuar  në skenë dhe më ka magjepsë me lojën, figurën dhe interpretimin e saj, me atë zë magjik, dhe ajo është ‘bashkëfajtore’ për rrugëtimin tim artistik, aty më është zgjuar imagjinata dhe dëshira për skenën”, u shpreh aktorja Igballe Qena.

Në  kujtim të Katarina Josipit, fjalën e mori dhe aktorja Safete Rugova ku tregoi për shoqërinë, jetën dhe personalitetit që kishte Kati.

“Fama e aktores Katarina Josip, jeton me ne dhe me skenën. Emrat e mëdhenj lënë pas vetës vlerat dhe kujtesën, e quajtur me gjuhën e përkëdhelisë Kati, me aktrimin, me zërin dhe me shpirtin e saj e skaliti emrin e aktores së madhe kombëtare të Teatrit tonë që të kujtohet e të mos harrohet. Kati ishte mëshiruar me jetën e vetë në  skenë, e donte e afronte dhe e fuqizonte atë me interpretimin e rolit në skenë, ishte një kohë e shkurtër për mua e miqësimit por ishin dy gjëra shumë të çmueshme e të rëndësishme që mua më zgjonin mendjen, e ato ishin qartësia në të folur dhe fuqia e interpretimit. Me 1969 u shua një meteor dhe u shua një shpirt i trazuar”, tregoi aktorja Safete Rugova.

Në këtë eveniment kulturor u bë edhe prezantimi i dy poezive të shkurtra për Katarinën të shoqëruar me flautistin Shaqir Hoti, të cilat poezi ishin të shkruara nga Safete Rugova dhe Sejdullah Martina.

Gjatë këtij tubimi përkujtimor u bë edhe promovimi i librit monografik, ku për këtë monografi fjalën e mori shkrimtari Pren Buzhala, që tregoi për jetën dhe veprën e Katit, ku autor i këtij libri ishte Frrok Kristaj.

Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptari i cili mbështeti këtë aktivitet, aktorëve që  kanë  luajtur me Katin, ju ka shpërndarë edhe disa plaketa me emrin e aktores Katarina Josip. /Frosina Byqmeti / KultPlus.com

Më Shumë

Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 700 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1.710 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

UEFA, së shpejti me vendim për ndeshjen Rumani – Kosovë

UEFA brenda një afati të shkurtër kohor do ta marrë vendimin për ndeshjen e ndërprerë në Bukuresht ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës që i takoi...

Lajmet e Fundit