16.6 C
Prizren
E mërkurë, 9 Tetor, 2024

I jepet lamtumira e fundit humoristit Muhamet Liko

Miq, kolegë e familjarë i kanë dhënë lamtumirën e fundit aktorit Muhamet Liko. Të martën, fillimisht janë bërë homazhe në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë e më pas trupi i tij është varrosur në varrezat e qytetit bregdetar. Njëri prej figurave më të njohura të humorit shqiptar vdiq të enjten e kaluar në moshën 64-vjeçare.

Vdekja e tij është konsideruar si një prej humbjeve më të mëdha për skenën teatrore shqiptare, sidomos për humorin. I njohur për publikun me emrin Meti, për katër dekada pjesëtar i katërshes së parodistëve të Vlorës, shquhej për një sens imponues në skenë. Shfaqja e tij e fundit në Teatrin e Vlorës ka qenë “Koktej në piano bar” e ardhur në skenën vlonjate më 13 prill. Që prej asaj kohe mësohet të ketë shkuar në Itali për t’u mbajtur nën mbikëqyrje për problemet që kishte me zemër, shkruan sot Koha Ditore.

Muhamet Liko u lind më 26 qershor të vitit 1955 në qytetin e Vlorës. Daljen e parë në skenë e pati në vitin 1978, ku u bashkua me tre parodistët e tjerë, Afrim Agalliu, Agron Hamo e Mane Lumani.

“Është një histori e hershme. Unë me Afrimin kemi filluar me estradat amatore. Ne patëm fatin e madh që na ftuan aktorë të mëdhenj dhe bëmë ‘gol’, na pritën mirë. Më 1978 kanë filluar edhe Mane Lumani dhe Muhamet Liko. Parodinë ne e kemi të trashëguar, ka qenë një grup para nesh që e ka lëvruar këtë gjini. Parodia do edhe vokal, dhe ne të katërt kemi pasur vesh dhe zë”, kishte thënë Hamo kohë më parë.

Parodistët fituan zemrat e të gjithë shqiptarëve me humorin brilant të ndërthurur edhe me këngën, duke u mbijetuar brezave për vite të tëra. Katërshja u shfaq së bashku për herë të fundit vetëm disa ditë më parë në skenën e teatrit “Petro Marko”. Liko duartrokiti parodistët e rinj të estradës së re në Vlorë dhe më pas u nis për kontrollim në Itali, por nuk ia doli dot.

Aktori Bujar Asqeriu ka thënë se parodistët e Vlorës janë dhe do të mbesin një emblemë e jashtëzakonshme, jo vetëm për qytetin e tyre. Sipas Asqeriut, ata i kapërcyen kufijtë dhe janë një emblemë kombëtare, kudo që kanë shkuar në Australi, Kanada, Amerikë apo dhe në Evropë.

“Unë magjepsesha duke dëgjuar paroditë e tyre, duke ndjekur lojën e tyre dhe i kam vlerësuar ata që në hapat e parë të tyre. Do të ruaj për të katër ata respektin më të madh të një embleme artistike të papërsëritshme. Para më shumë se një muaji kam qenë në Vlorë kur u bë promovimi i një libri kushtuar jetës së futbollistit të madh vlonjat, Vasil Ruçit, dhe ishte hera e fundit që takova Muhamet Likon”, ka thënë ai.

Liko mban shumë tituj dhe çmime për artin që ka transmetuar tek njerëzit, ndërsa së fundmi është vlerësuar nga presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh”.

Më Shumë

Bie numri i aksidenteve në Suharekë

Komandanti i policisë në Suharekë, Afrim Sylaj, ka njoftuar se në këtë qytet ka rënë numri i aksidenteve të trafikut. Sipas tij, për dy...

Aksident mes dy veturave në Shirokë, ka të lënduar

Një aksident trafiku ka ndodhur në fshatin Shirokë të Suharekës mes dy veturave. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir...

Lajmet e Fundit