3.2 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Në radhë, Tunizia dhe Siria

NaimTernava-BIKKryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, ka bërë me dije se pas përfundimit të zgjedhjeve brenda këtij institucioni do t’i vizitojë Tunizinë dhe Algjerinë.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, myftiu Tërnava ka thënë se Tunizia dhe Siria do të jenë shtetet e radhës të cilat do ta njohin pavarësinë e Kosovës. “Më vjen mirë që Kosova është njohur nga 105 shtete. Në të ardhmen e afërt do të na njohin edhe shtetet e tjera. Sipas mendimit tim, në radhë për ta njohur Kosovën janë Tunizia dhe Siria”, ka thënë Tërnava, duke shtuar se ka kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e shtetit të Tunizisë. Në këtë kontekst, Tërnava ka lavdëruar Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) për punën që ka bërë në raport me shtetin e Tunizisë. “Dua të them se MPJ-ja është shumë aktive në atë pjesë të botës. Kjo nuk të thotë se unë po ia mbaj krahun MPJ-së, por kjo është e vërteta”, ka deklaruar Tërnava.

Duke folur për aktivitetet brenda institucionit që drejton, myftiu Tërnava ka thënë se në BIK gjithçka është duke shkuar sipas planifikimeve. Sipas Tërnavës, edhe zgjedhjet brenda BIK-ut janë duke u zhvilluar pa ndonjë problem. “Ju të gjithë e dini se më 18 shtator janë shpallur zgjedhjet brenda BIK-ut dhe do të vazhdojnë deri më 18 nëntor”, ka deklaruar Tërnava.

Myftiu i Kosovës ka folur edhe për projektin për ndërtimin xhamisë së madhe në Prishtinë. Ai ka thënë se nuk ka kurrfarë shansesh të dështojë realizimi i këtij projekti. “As ëndërr nuk mund të shihet dështimi i projektit për ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë”, ka thënë Tërnava, duke e vlerësuar lart tolerancën fetare në Kosovë. Ndërkaq me rastin e festës së Kurban Bajramit, myftiu Tërnava i ka uruar të gjithë besimtarë islamë shqiptarë për këtë festë, duke kërkuar nga ta të solidarizohen njëri me tjetrin dhe t’i harrojnë zënkat e mosmarrëveshjet mes vete.

“Epoka e re”: Myfti Tërnava, çfarë vlerësimi keni për zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë, sidomos në BIK?
Tërnava: Fillimisht më lejoni që emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) të gjithë besimtarëve të besimit islam, kudo që ata gjenden, brenda dhe jashtë trojeve etnike, t’ua uroj ftesën e Kurban Bajramit, duke e lutur Allahun xh.sh për shëndet dhe harmoni familjare. Mendoj se zhvillimet në përgjithësi në Kosovë kanë shkuar mirë. Kosova si shtet është duke u konsoliduar dhe po ec në hapat e saj drejt një të ardhme të ndritur, ndërkaq për sa i përket gjendjes mund të them se brenda BIK-ut çdo gjë është duke funksionuar sipas normave të lejuara. Në BIK është duke u punuar me një intensitet të shtuar në të gjitha drejtimet.

“Epoka e re”: Edhe këtë festë myslimanet do ta falin namazin e Kurban Bajramit pa xhaminë e re. Kur do të fillojë ndërtimi i kësaj xhamie? Në opinion ka zëra se do të dështojë ky projekt?
Tërnava: Punët janë duke ecur jashtëzakonisht mirë. Nuk kemi as edhe dyshimin më të vogël se ky projekt mund të dështojë. Zërat që dalin për dështimin e ndërtimit të xhamisë janë zëra dashakëqij, të cilët nuk dëshirojnë ta shohin një xhami të tillë në Prishtinë. E them me plot përgjegjësi se Kuvendi Komunal i Prishtinës është duke i kryer punët që i takojnë, kurse edhe ne i kemi kryer shumicën e punëve që na takojnë. Brenda këtyre ditëve presim ta marrim lejen përgatitore për fillimin e punëve për ndërtimin e xhamisë së madhe. Pra, në këtë drejtim nuk ekziston as problemi më i vogël në mes të BIK-ut dhe Kuvendit Komunal të Prishtinës. As ëndërr nuk mund të shihet dështimi i projektit për ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë.

“Epoka e re”: Pra, xhamia do të ndërtohet në vendin e caktuar?
Tërnava: Po. Kjo punë tashmë ka marrë fund.

“Epoka e re”: A janë siguruar mjetet?
Tërnava: Besoj se edhe mjetet do t’i gjejmë. Ende nuk kemi fonde të siguruara, por me ndihmën e Allahut xh.sh dhe besimtarëve islamë shqiptarë brenda e jashtë trojeve shqiptare do t’ia dalim ta fillojmë ndërtimin e xhamisë dhe do të përfundojnë punimet në një afat rekord.

“Epoka e re”: Do të ndërtohet xhamia në vitin 2014?
Tërnava: Xhamia nuk mund të ndërtohet për një vit sepse ajo nuk është thjesht një xhami. Ajo është një xhami shumë e madhe në krahasim me këto që i kemi. Ajo xhami do të jetë një simbol i Prishtinës dhe do të marrë pak kohë, por ju siguroj se do të ndërtohet në afat rekord. Xhamia e Madhe do t’ia rritë edhe më shumë krenarin Prishtinës dhe do të bashkëjetojë viza-vijë me të gjitha faltoret që janë këtu në Prishtinë.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për tolerancën fetare në Republikën e Kosovës?
Tërnava: Për sa i përket tolerancës fetare Kosova është një shtet model që duhet ta ndjekin shtetet më të fuqishme të globit, përfshirë edhe ato të rajonit. Toleranca fetare në Kosovë është një dhunti, pasuri dhe thesar të cilin ne shqiptarët nuk po dimë sa duhet ta proklamojmë nëpër botë, sepse shumë shteteve dhe kombeve u mungon kjo pasuri të cilën ne e kemi. Do të vazhdojmë të punojmë edhe më tutje në ruajtjen e vlerave dhe besimeve që bashkëjetojnë në Kosovë.

“Epoka e re”: Myfti, deri ku ka shkuar procesi i zgjedhjeve brenda BIK-ut?
Tërnava: Çdo gjë në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) është duke ecur dhe evoluar në bazë të rregulloreve, statutit dhe Kushtetutës së këtij institucioni. Ju të gjithë e dini se më 18 shtator janë shpallur zgjedhjet brenda BIK-ut dhe do të vazhdojnë deri më 18 nëntor. Për informata më të detajuara mund ta pyesni kryetarin e KQZ-së në BIK, sepse ai është më i informuar se unë. Por, mund t’ju them se çdo gjë është duke shkuar sipas planifikimeve. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë pengesë ose ndonjë problem.

“Epoka e re”: Do të rikandidoni për kryetar të BIK-ut?
Tërnava: Kjo çështje nuk varet nga unë. Këtë e kam thënë disa herë.

“Epoka e re”: Nga kush varet?
Tërnava: Varet nga dëshira dhe vullneti i Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës sepse në BIK nuk ka kandidat. Mediet shpeshherë nuk janë duke ditur ta shpjegojnë këtë. Sipas Kushtetutës së BIK-ut, askush nuk mund ta shpallë veten kandidat për myfti, por duhet të propozohet së paku nga pesë këshilla të Bashkësisë Islame të Kosovës. BIK-u ka afër 30 këshilla. Nëse dikush ka pesë këshilla që e përkrahin, ai vetvetiu bëhet kandidat i mundshëm për myfti.

“Epoka e re”: Para disa ditëve Libia e ka njohur shtetin e Kosovës. Për këtë njohje keni pas paralajmëruar qysh në festën e Fitër Bajramit. Jeni në kontakte me ndonjë përfaqësues të ndonjë shteti mysliman që nuk e ka njohur Kosovën?
Tërnava: Më vjen shumë mirë që shumica e shteteve islame e kanë njohur Kosovën dhe kanë mbetur edhe pak shtete prej tyre që nuk e kanë njohur Kosovën. Kontribut për njohjen e Kosovës nga shtetet islame ka dhënë edhe BIK-u sikurse të gjithë njerëzit që dëshirojnë të kontribuojnë për shtetin tonë, duke përfshirë edhe MPJ-në dhe Qeverinë. Po ashtu, më vjen mirë që Kosova është njohur nga 105 shtete. Në të ardhmen e afërt do të na njohin edhe shtete të tjera. Sipas mendimit tim, në radhë për ta njohur Kosovën janë Tunizia dhe Siria, sidomos tani me rënien e regjimit.

“Epoka e re”: Jeni në kontakt me përfaqësuesit e Tunizisë dhe Sirisë?
Tërnava: Me përfaqësuesit e Sirisë nuk kam kontakte, kurse me përfaqësuesit e Tunizisë po.

“Epoka e re”: Cili është qëndrimi i përfaqësuesve të Tunizisë në raport me shtetin e Kosovës?
Tërnava: Përfaqësuesit e Tunizisë kanë qëndrime jashtëzakonisht të mira për Kosovën. Besoj se Kosova do të njihet nga Tunizia ashtu siç kam thënë se do të njihet nga Libia. Tunizia ka disa probleme të brendshme tani, por njohja do të ndodhë. Dua të them se MPJ-ja është shumë aktive në atë pjesë të botës. Kjo nuk do të thotë se unë po ia mbaj krahun MPJ-së, por kjo është një e vërtetë e madhe.

“Epoka e re”: Pritet të na njohë Tunizia së shpejti apo do të presim deri në Fitër Bajram?
Tërnava: Shumë shpejt do ta vizitoj Tunizinë. Atje do të pritem nga përfaqësuesit e këtij shteti. Po ashtu, do t’i vizitoj disa shtete të cilat nuk janë vizituar nga askush deri më tani. Ende nuk kemi prekur në Algjeri, e atje do të jem atje shumë shpejt.

“Epoka e re”: Do të loboni në këto shtete?
Tërnava: Do t’i vizitoj këto shtete.

“Epoka e re”: Kur?
Tërnava: Pas përfundimit të zgjedhjeve në BIK.

“Epoka e re”: Në cilësinë e myftiut të Kosovës?
Tërnava: Unë nuk e thash këtë.

T’i harrojmë zënkat e mosmarrëveshjet. Për festën e Kurban Bajramit ta shtrijmë dorën e pajtimit.

“Epoka e re”: Myfti Tërnava, mesazhi juaj për besimtarët islamë me rastin e festës së Kurban Bajramit?
Tërnava: Çdo festë e ka vlerën e vet. Kësaj feste vlerën ia shton më së tepërmi haxhi, i cili është një prej kushteve të islamit. Edhe këtë vit kemi 800 haxhilerë që kanë shkuar nga Kosova, të cilët janë duke i kryer ritet fetar dhe janë shëndosh e mirë. Derisa kjo festë karakterizohet nëpërmjet haxhit dhe kurbanit, duhet rikujtuar gjithherë Ibrahimin a.s. dhe birin e tij, Ismailin, ku i madhi Zoti tregoi mëshirën dhe rahmetin e vet, duke e zëvendësuar flijimin e birit të Ibrahimit me prerjen e kurbanit. Prandaj nëpërmjet kësaj ne e rrisim vetëdijen në raport me Allahun xh.sh. Nëpërmjet kësaj sakrifice dhe ndihmës që duhet t’ua bëjmë atyre të cilët kanë nevojë për këtë. Ne tregojmë vullnetin dhe gatishmërinë për zgjatjen e dorës për ata njerëz që kanë nevojë. Unë i porosis të gjithë besimtarët e besimit islam, të kontribuojnë shumë në shpërndarjen e mishit të kurbanit, në mënyrë që për një moment ta kthejmë buzëqeshjen në fytyrat e fëmijëve të varfër.

Mesazhi i kësaj feste është t’i harrojmë zënkat, mosmarrëveshjet dhe ta shtrijmë dorën e pajtimit dhe të punojmë të gjithë bashkërisht për një të ardhme sa më të mirë të Kosovës, sepse i madhi Zot këtu na ka krijuar dhe këtu ne duhet të japim tërë atë që mundemi për avancimin e çdo gjeje që shkon kah e mira në Kosovë. Andaj, të gjithë besimtarëve myslimanë të Republikës së Kosovës ua uroj festën e Kurban Bajramit, duke u dëshiruar lumturi dhe mbarësi në familjet e tyre!

Më Shumë

Trajnime falas për tregun e punës në Prizren

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren, bashkë me ITI Pro Kosova, do të organizojnë trajnime falas për tregun e punës. Ky trajnim mbështetet nga...

Prizreni diskuton sfidat dhe objektivat në arsim për vitin e ri shkollor

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, zhvilluan sot një takim me drejtorët...

Lajmet e Fundit