1.8 C
Prizren
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Haskuka e Memaj: Komuna ka për synim rritjen e vlerës së pronës komunale

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Memaj, sot kanë mbajtur konferencë për shtyp lidhur me dezinformatat që janë plasuar nga mediat për propozim-vendimin e Kuvendit Komunal mbi hyrjen në koncesion të pronës komunale.

Duke i quajtur të pavërteta dhe me tendencë politike lajmet e dalura në media për këtë çështje, kryetari i Komunës fillimisht tha se do të nisin proceset gjyqësore për shpifje ndaj atyre që kanë publikuar këto lajme.

“Portalet që kanë përmendur shifra marramendëse në lajmet e tyre të rreme, do të paditen për shpifje pikërisht me ato shifra për kompenzim të dëmit që dëshirojnë të shkaktojnë nëpërmjet gënjeshtrave. Pos dokumenteve të cilat janë publike dhe nuk ka asgjë sekrete, i gjithë përshkrimi i lajmit është i pavërtetë,” tha ai.

Më tej, kryetari shtoi se Komuna ka për synim rritjen e vlerës së pronës komunale, ndërsa në rastin konkret, gjendet një parcelë komunale mbi të cilën është një trafostacion elektrik, ku Komuna nuk mund të realizojë asnjë projekt për shkak të hapësirës së pamjaftueshme, pasi aty parashihet ndërtimi i lartë sipas Planit Rregullues.

“Me dhënien në shfrytëzim të kësaj parcele, Komuna synon të ketë benefit duke marrë për kompenzim rreth 5 banesa, të cilat më pas mund të shfrytëzoheshin për familjet me raste sociale, familje të dëshmorëve apo edhe për nevojat e tjera të Komunës. Pra, qëllimi i Komunës është që një aset i vdekur të shndërrohet në hapësirë që mund të përdoret në dobi të qytetarëve,” shtoi Haskuka.

Ndërkaq drejtori Memaj, duke shtuar se rasti në fjalë është politizuar pa nevojë, tha se drejtoria që ai e drejton vepron sipas dokumenteve ekzistuese të planifikimit.

“Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor vepron sipas dokumenteve të planifikimit që janë të miratuara qysh nga qeverisjet e kaluara komunale. Në këtë rast bëhet fjalë për Planin Rregullues Qendra e Re në Prizren, e cila lejon ndërtimin e objekteve me etazhitet 2B+P+7 (2 bodrume dhe 8 kate). Në kuadër të këtij plani gjendet blloku C3, në të cilën gjenden disa ngastra, përfshirë edhe ajo e investitorit me numër 8628-11 dhe ajo e Komunës me numër 8628-15. Ndërsa sipërfaqja e tokës në pronësi të Komunës që është shndërruar temë diskutimi është 459 m2.

Prandaj, me kërkesën e investitorit për të marrë leje ndërtimore, në interes publik ka qenë që pala të inicojë kërkesë për hyrjen në koncesion në ngastrën komunale. Në këtë rast në qoftë se kjo pronë e Komunës nuk do t’i bashkëngjitej këtij investitori, atëherë do të mbetej e pashfrytëzuar dhe në kuptimin ekonomik do të konsiderohej si ngastër e vdekur, për të cilën pastaj Komuna nuk ka mundësi të realizojë asnjë projekt. Kjo për arsye se në këtë zonë parashihet vetëm ndërtimi i lartë dhe nëse investitori e shfrytëzon vetëm ngastrën e vet dhe nuk e shfrytëzon edhe ate të Komunës, atëherë Komuna nuk do të mund të realizonte ndonjë projekt për shkak të normave teknike të planifikim hapësinor, të cilat i përmban Plani Rregullues dhe për shkak të distancës që duhet të përmbajë nga të gjitha anët e kufirit të ngastrës,” tha drejtori Memaj.

Krejt në fund, drejtori Memaj kujtoi se raste të tilla të marrëveshjes me koncesion kanë ndodhur edhe në të kaluarën, duke përmendur ato të vitit 2012, ndërkaq kryetari Haskuka tha se ajo që po bëhet nga disa media dhe partitë opozitare është pjesë e fushatës politike, që ka për qëllim ta njollosë punën e Komunës së Prizrenit.

Sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal ka qenë e paraparë që të votohet për t’u miratuar vendimi që jep të drejtën për lidhjen e bashkëpunimit me partneritet publiko-privat, që parashihet sipas Ligjit për Partneritet Publiko Privat dhe Ligjit për Koncesione.

Më Shumë

Albin Kurti publikon video duke kënduar “Mora fjalë” me Shkurte Fejzën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e tij për këngëtaren e njohur shqiptare Shkurte Fejza në një mënyrë unike, duke...

Sot i jepet lamtumira e fundit 21-vjeçarit nga Malisheva që humbi jetën në një aksident në Itali

Sot i jepet lamtumira e fundit 21 vjeçarit nga Malisheva, Rilind Thaqit, i cili vdiq si pasojë e një aksidenti të rëndë në Itali...

Lajmet e Fundit