5.8 C
Prizren
E diel, 24 Nëntor, 2024

Ish-deputeti i akuzuar për mashtrim me viza: As Karagjiqit në Hagë nuk i janë caktuar 900 dëshmitarë

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, M.Z, ka deklaruar se gjatë gjykimit në Hagë, për gjenocid dhe krime lufte, as Radovan Karagjiqit nuk i ishin caktuar 900 dëshmitarë, ashtu siç sipas tij, ka propozuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në gjykimin për mashtrim me viza pune gjermane, që po zhvillohet ndaj tij dhe dy të akuzuarve tjerë.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ai bashkë me dy të akuzuarit e tjerë, E.K dhe I.K, po akuzohen për mashtrim, pastrim parash dhe për shmangie nga tatimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

unnamed

“As Karagjiqit nuk ja kanë caktuar në Hagë 900 dëshmitarë”, ka thënë i akuzuari M.Z.

Ky reagim i tij ka ardhur pasi në këtë seancë nga gjashtë dëshmitarët e ftuar kishte prezantuar vetëm njëri prej tyre dhe se arsyeja e mungesës së këtyre dëshmitarëve kishte qenë për shkak se adresa e tyre nuk kishte qenë e plotë.

Ai ndër të tjera ka thënë se të gjithë dëshmitarët jetonin në Prishtinë dhe se mund të komunikohen edhe përmes adresës elektronike apo telefonit.

Ndryshe, kjo seancë me kërkesë të të akuzuarit I.K është ndërprerë, për shkak se sipas tij, ai nuk ishte në gjendje të përcjellë rrjedhjen e seancës gjyqësore, për shkaqe shëndetësore.

Për këto arsye për të cilat ia dorëzoi gjykatës edhe dokumentacionin mjekësor, ai ka propozuar që seanca e së mërkurës të ndërpritet dhe të caktohet për një datë tjetër.

“Unë nuk jam në gjendje me majt këtë seancë për shkak se kam probleme shëndetësore, mua ma merr menja se para 2-3 muajve nuk jam në gjendje me majt seancë për shkak se kam me ba ni operim, ne mujm me dëgju dëshmitarin që është prezent në këtë seancë, mirëpo për shkak të problemeve me vesh unë nuk jam në gjendje me dëgju e as me parashtru asnjë pyetje për dëshmitarin”, ka thënë i akuzuari I.K.

Këtë propozimin nuk e ka kundërshtuar as prokurori special Atdhe Dema i cili ia ka lënë në dorë gjykatës të vendosë lidhur me këtë propozim.

Ndërsa, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismaili, ka aprovuar propozimin e Krasniqit për ndërprerjen e kësaj seance, duke e anuluar edhe seancën e caktuar për 20 shkurt 2020, ndërsa seanca e radhës është shtyrë në afat të pacaktuar.

Për këtë rast, në seancën e 24 tetorit 2019, gjykata pas kërkesës së të akuzuarit M.Z, kishte marrë vendim që të akuzuarve mediat t’iu drejtohen vetëm me iniciale, duke mos zbuluar identitetin e tyre.

Por, që një vendim i tillë ende nuk është dhënë në formë të shkruar nga gjykata.

Gjykimi ndaj M.Z dhe dy të tjerëve ka nisur, pasi që të dy instancat gjyqësore e kanë konfirmuar aktakuzën ndaj tyre.

Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të ish-deputetit M.Z, E.K dhe I.K lidhur me hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.

Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.

M.Z, në seancën fillestare të mbajtur më 29 tetor të vitit të kaluar, ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrim të parave.

Të pafajshëm ishin deklaruar edhe dy të akuzuarit e tjerë.

Tre të akuzuarit, në konsultim me mbrojtësit e tyre, ishin pajtuar që aktakuza të konsiderohet e lexuar pasi që kanë thënë se e kanë lexuar më parë dhe e kanë kuptuar atë.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 28 gusht 2018, me pretendimin se të pandehurit I.K, M.Z dhe E.K kanë kryer disa vepra penale.

I.K dhe M.Z akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars te vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.Ki & M.Z Op”, si agjenci punësimi.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit I.K, Fexhrije Krasniqi, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

I.K dhe M.Z, akuzohen se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3050 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.

Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83,850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261,850.00 euro.

Me këtë, I.K dhe M.Z akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 i KPRK-së.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.

I pandehuri I.K akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta.

Me ç’rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit M.Z dhe E.K akuzohen edhe për veprat penale “pastrim i parave”, mashtrimi dhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Kurse, i pandehuri M.Z, akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”. /BetimipërDrejësi

Më Shumë

Junior 06 befason Penzën në ‘Karagaç’

Befasia e xhiros së gjashtë në Ligën e Femrave, erdhi skuadra debutuese Junior 06, që e mposhti Penzën me rezultat 74-81. Tanyia Gordon shkëlqeu me 40...

Bizneset e reja marrin përkrahje nga buxheti i Komunës së Rahovecit

12 biznese të reja (START UP) të Komunës së Rahovecit, kanë përfituar përkrahje konkrete nga buxheti i Komunës sl Rahovecit, përmes thirrjes së vendosur...

Lajmet e Fundit