12.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Halloweeni i jonë

DitarShkruan: Ditar Kabashi

Nuk kishte si të shënohej më mirë Halloweeni i sivjemë. Maskarada pompoze filloi qysh një muaj më parë. Në vargun e përgatitjeve serioze sa më s’ka, sfilatës së maskave, për dallim nga vitet e kaluara, hyzmetin, më tepër ia bënë të rriturit, nganjëherë me kravata e nganjëherë pa to, ndonjëherë me miliona ‘të dhuruara’ e ndonjëherë ‘pa para, por me dashuri’, herë me këngë e valle e herë me figura që më s’jetojnë, herë me sjellje burrnore e herë çamarrokçe, por gjithsesi nën puhizën e lehtë të buzëqeshjes që, varësisht nga shfrenimi emocional, rrëshqiste deri në shfaqjen e 32 dhëmbëve vesh më vesh. Përkrahjen e të ‘mëdhenjve’ e ndjenë në sedër ‘të tjerët’, pretendent për t’u rritur.

Në gjithë këtë angazhim që po del të ketë kosto aq sa kalemi i hesapit s’e nxjerr dot, pjesa tjetër e njerëzve, mileti, detyrohet të përcjellë, luajë, e besa të ‘kënaqet’ me këtë valle, ritmi i së cilës ka kapluar gjithë vendin. Repertori i pasur jehoi cep më sep. Qytetet e ndriçuara si rrallëherë i jepnin një shije tejet të veçantë krejt kësaj hareje kolektive. Kalldrëmet e strukturuara enkas për këtë eveniment maratonik, tërheqnin vëmendjen e masës, e cila mbase mund të jetë motivuar për ditë më të mira.

E tërë kjo mund të forcojë besimin e të gjithëve se do të dilet mbanë me këtë organizim. Natyrisht, secili në emër të vet.

Dashamirët e festës, njëherësh ngadhënjyes potencialë sipas këndvështrimit të tyre, nuk kanë kursyer asgjë nga mundi për t’u dukur sa më ‘ndryshe’ nga njëri tjetri. Zatën kjo e bën festën të pakrahasueshme me tjerat.

Se kush e ka zgjedhur e përgatitur kungullin më të mirë, mbetet të shihet në mbrëmjen e vonë të së dielës, kur dhe juria profesionale të ketë bërë vlerësimin. Uroj që pjesëmarrësit të njohin rezultatin që del.

Fundja, Halloweeni është një lloj argëtimi pa bezdisje për mirëqenien e të tjerëve dhe kungulli i kësaj feste as që hahet bile.

Previous article
Next article

Më Shumë

Dënohen Ballkani e dy zyrtarë, po edhe trajneri i Dritës

Klubi i Ballkanit është dënuar me gjobë 1200 euro, videoanalisti i FC Ballkanit, Ardi Kabashi me gjobë prej 500 euro dhe zyrtari i Ballkanit,...

Ballkani fiton dhe ruan kreun e tabelës

Fitore e rëndësishme e Ballkanit në udhëtim te Gjilani sot. Skuadra suharekase takimin e sotëm e fitoi 0-2 (Nazmi Gripshi 49’, Lumbardh Dellova 81’), për ta ruajtur kështu kreun e...

Lajmet e Fundit