18.1 C
Prizren
E hënë, 17 Nëntor, 2025

Amerika – flamurtare e ideologjisë së lirisë

Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ

Raportet, BE – SHBA, nuk janë çështje e retorikës, akademike e as asaj diplomatike. Së fundi, në tërë historinë moderne, ato raporte midis SHBA-ve dhe shteteve evropiane, ishin shumë thelbësore , u determinuan, me kërkesën e vazhdueshme të shteteve evropiane për forcimin e bashkëpunimit me SHBA-të, por, në radhë të parë , për ruajtjen dhe sigurinë e paqes. Dhe, jo vetëm bashkëpunimin , por, edhe me kërkesën e vazhdueshme të shteteve evropiane, për praninë sa më të fuqishme amerikane në kontinentin evropian. SHBA-të, ndër të tjera, nëpër tërë historinë moderne, ishin fuqia kryesore e cila, vendeve evropiane, popujve evropianë, pastaj, BE-së u erdhi në ndihmë për të shuar konfliktet, luftërat, që, aq shumë e përgjakën kontinentin. Dhe, kjo ndihmë vendimtare amerikane, kjo ndërhyrje edhe ushtarake e SHBA-ve, u kërkua nga BE-ja edhe në dekadat e fundit të shekullit të XX-të, për shumë çka, shekulli i vdekjeve. SHBA ishte dhe është ajo fuqi ekonomike, financiare e cila, edhe BE-së ia mundësoi një perspektivë më të sigurt ekonomike, forcimin dhe përhapjen e tregjeve gjithandej. Ndërsa, në aspektin kulturor, të ideologjisë së lirisë, SHBA, në vazhdimësi, Evropës i dha mësim, leksion të humanizmit dhe të solidaritetit, në radhë të parë me ligjet dhe me Kushtetutën ku garantohen liritë dhe të drejtat e njeriut, të gjitha racave, besimeve fetare, bindjeve politike. Liria dhe demokracia për të menduar, për politikë, për besim, për kuptimin e lirisë individuale dhe asaj kolektive, shoqërore, djepin e ka në truallin e politikës amerikane.

Kështu, në mbarë shekullin e kaluar, SHBA, guximshëm dhe me vendosmëri e ngriti lartë flamurin e lirisë, si vlerë universale, si vlerë të një qytetërimit të ri, me emrin, Rendi i Ri Botëror! A do të shembej Muri i Berlinit pa SHBA-të, pa betejën e gjatë të saj, me historinë e ideologjisë së errësirës, e cila, miliona popuj nëpër bot, pra edhe në zemrën e Evropës, i kishte pushtuar nën sistemin e komunizmit, totalitarizmit, tiranisë? A do ta krijonte, Evropa e përçarë, projektin e BE-së, të bashkimit nën një ideologji dhe për një të ardhme të përbashkët pa përkrahjen, ndihmën e SHBA-ve? Çfarë pamje, së fundi, do të kishte BE-ja pa ideologjinë e lirisë dhe të sistemit të ri të vlerave e të qytetërimit, i cili, qytetërim, atdheun e lindjes, e ka në SHBA? Dhe, meqë jemi te vlera e lirisë, përse, katër shtetet e BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, pra, për cilën arsye nuk na e njohin të drejtën tonë, për liri në tokën, Atdheun, shtetin tonë të themeluar me gjakun e dëshmorëve, të rënëve? Mosnjohja e shtetit të Kosovës, jo vetëm që është sprovë për BE-në, si institucion, por, është edhe pjesë e mynxyrës së saj etike, para vlerave të qytetërimit të sotëm mbarë botëror, vlera, në të cilat ka hise edhe ajo vetë!

A do të përfundonte kasaphana serbe në Bosnjë, a do të mbahej Konferenca e Dejtonit, Konferenca e Rambujesë, për më tepër, kush do ta merrte vendimin, përveç SHBA-së për sulmet e NATO-së mbi caqet e ushtrisë pushtuese serbe në Kosovë, a do të ngadhënjente e drejta e shqiptarëve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pa drejtësinë amerikane? Pra, kush, krahas Shqipërisë, përpos diplomacisë amerikane, do të na jepte përkrahjen vendimtare diplomatike, për ta shpallur shtetin e pavarur të Kosovës ? Me këtë rast, nuk duam të kthehemi në historinë diplomatike të viteve të 80-ta, veçmas viteve të 90-ta, kur shtetet evropiane, heshtën ndaj agresionit të përgjakshëm të Serbisë mbi popullin liridashës të Kosovës, i mbyllën sytë dhe, as që raportonin në mediet e tyre për vrasjet e të rinjve shqiptarë nga shteti jugosllav/serb? Cili ishte reagimi për suprimimin me dhunë, tanke dhe me gjak të Autonomisë së Kosovës? Ndërsa, diplomacia amerikane, përmes kongresistëve, senatorëve, madje edhe Sekretarëve amerikanë të shtetit dhe, presidentëve e kishte ngritur zërin e saj, i kishte dalë në përkrahje, më tepër se morale popullit tonë në rrugën e çlirimit! Evropa, pra, me përjashtim të disa shteteve mike, të cilat ne edhe sot e asaj dite i respektojmë, heshti, me çka, u nënkuptua se, edhe sipas tyre, çështja e Kosovës, na paska qenë “çështje e brendshme” e ish Jugosllavisë, për më keq, “çështje e brendshme” e Serbisë!

SHBA-ja, në shërbim të vizionit evropian

Prandaj, sot, kur i dëgjon, si të fshehura, gjysmë refrene, edhe në nivel të mendimit diplomatik evropian, dhe të vetë qytetërimit modern, se SHBA-të gjeografikisht janë larg, se, e kanë kryer misionin e tyre historik në kontinentin evropian, pra, edhe në Ballkanin Perëndimor, se, Amerika gjoja nuk na qenka më ajo Amerika e Reganit, Klintonit, Bushit, Obamës, sigurisht se, na inspiron për qasje dhe ballafaqime kritike të këtyre hipotezave. Aq, më tepër, kur, në relacion me çështjen shqiptare dhe në veçanti me çështjen e Kosovës, dëgjojmë e lexojmë referenca, sikur, BE –ja është ajo fortifikatë e cila është vendimtare për ecjen e suksesshme të rrugëtimit tonë kombëtar, sikur ajo e ka formulën e dialogut, ndaj, miqësia, aleanca me SHBA-të thuajse nuk është e domosdoshme!? Kur Trump ka thënë, “Amerika e para”, ai e ka menduar se, Amerika prijëse, Amerika simbol i sistemit të vlerave, do të ishte mirë edhe për BE-në!

Në rast se, qarqe të caktuara të diplomacisë evropiane, të mendimit akademikë, ekonomikë evropianë, vërtetë e mendojnë BE-në, rrugëtimin dhe suksesin e saj, pa bashkëpunimin, mbështetjen, përkrahjen e SHBA-ve, në rast se, janë të ngazëllyer përtej lazdrimit dhe krekosjes, atëherë, çështja , për ta , vërtetë është serioze! E para, sepse, ta nënçmosh fuqinë amerikane, rolin e saj prej liderit të botës së fillim shekullit XXI, do të thotë, mosnjohje e realiteteve të sotme në arenën ndërkombëtare. E dyta, një mendim i tillë, i cili, sikur Covid 19 i padukshëm, po shëtitë, tinëzisht nëpër nën qiellin e diplomacisë evropiane, nënkupton se, vërtetë vende të BE-së janë në lajthitje me pikëpamjen se, janë të vetë mjaftueshme në vizionin e tyre evropian! A nuk marrin mësim nga, dalja e Britanisë së Madhe nga krijesa BE? Apo, janë të shtrënguar nga Moska zyrtare? Ndryshe, do të ishte tepër e “guximshme”, pretencioze të përmendin, madje, të flisnin edhe për krijimin e ushtrisë evropiane?

Shqiptarët, dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, me politikën e tyre të jashtme dhe atë në nivel mbarëkombëtar, do të vazhdojmë të jemi konsekuent në forcimin e bashkëpunimit me aleatin tonë, historik, SHBA-të si dhe të aspirojmë anëtarësimin në strukturat evro-atlantike. Ndërsa, të vërtetën e madhe që, si hapësirë jetike shqiptare, me tokë, det e me qiell, pra në gjeopolitikën bashkëkohore, jemi, sferë e interesit dhe e influencës amerikane, e pranojmë, e njohim, e kultivojmë si realitet!

Më Shumë

Ilaçi që premton jetë deri në 150 vjet dhe ndalon kancerin?

Drejtori kryesor teknologjik në kompaninë kineze “Lonvi Biosciences” në Shenzhen, Liu Qinghua, deklaroi se, falë rezultateve të kërkimeve më të fundit, në vitet e...

Memli Krasniqi jep dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së

Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, kryetari Memli Krasniqi ka njoftuar dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë. Në një konferencë për media, ai ka...

Lajmet e Fundit