19.8 C
Prizren
E premte, 25 Tetor, 2024

Bajrami thotë se testi maturës do të mbahet në shkolla, përjashton mundësinë e anulimit

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka treguar edhe për formën e mbajtjes së provimit të maturës.

Ajo ka hedhur poshtë mundësinë që i njëjti të anulohet apo të mbahet në distancë.

Sipas saj, anulimi i tij nuk është opsion i MASHTI-t, pasi konsideron se nuk është as në favor të nxënësve.

“Anulimin e testit të maturës nuk e kemi opsion dhe nuk është as në favor të nxënësve sepse do t’iu shkaktojë probleme për regjistrim në fakultet”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se me Komisionin e Maturës është diskutuar për formën e testit të maturës në kushte pandemie.

Sipas saj, është menduar që testi të mos përmbajë më shumë se 100 pyetje dhe të njëjta të jenë në katër lëndë.

Bajrami thotë si kohë e mundshme e mbajtjes së këtij testi është java e parë e korrikut.

“Mendojmë që testi të mos jetë sikurse viteve tjera, në vend se të ketë 200 pyetje do të përmbajë 100 pyetje, do të përmbajë katër lëndë, gjuhë shqipe, matematike, anglisht dhe lëndë zgjedhore. Nuk do të ndahet në dy pjesë por do të mbahet brenda një ditë diku 150 minuta. Koha tentative, ende nuk kemi ndonjë datë të saktë, kemi menduar në javën e parë të muajit korrik. Kemi parë peticionet dhe kemi parë thirrjet por kemi konsultuar ekspertet më të mirë dhe kemi konsideruar që më mirë është të mbahet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mbajtja e testimit në distancë është i pamundur.

“Meqenëse është java e parë e korrikut nxënësit kanë kohë të mjaftueshme të përgatitën. Ka më shumë se një muaj që kemi kërkuar nga hartuesit e testit të maturës dhe pritshmërisë që të mos përfshihen pyetje nga njësitë mësimore që janë zhvilluar në distancë. Testi do të mbahet fizikisht në shkolla”, ka thënë ajo.

Bajrami thotë se digjitalizimi i materialeve mësimore nuk është alternativë, por domosdoshmëri

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë se edhe pas kalimit të gjendjes me pandeminë, MASHTI duhet të fillojë me digjitalizimin e mjeteve mësimore.

Ajo ka thënë se gjatë prillit janë hartuar tri platforma përmes të cilave nxënësit mund t’i ndjekin mësimet.

Bajrami në “Raport” të KTV-së ka përmendur tri platforma të cilat sipas saj, në kushte të tilla konsiderohen shumë të suksesshme.

“E mësimi e cila të dërgon direkt te kanali zyrtar i MASHTI-t në youtube dhe të gjitha materialet që transmetohen në RTK4, plasohen në baza ditore në këtë kanal. Është parë si diçka shumë pozitive sepse ndonjëherë kanë thënë se transmetimi është i shpejtë, përmes kësaj i fëmijët i qasen mësimit në youtube. Gjatë prilli janë lansuar edhe platforma tjera, është për mësimin e hershëm. Kjo është shumë pozitive sepse ka materiale por po pasurohet çdo ditë. Kësaj platforme mund t’i qasen të gjithë prindërit dhe fëmijët që më herët nuk kanë qenë fare pjesë e mësimit. Kjo platformë është duke i vizituar mjaft shumë. Qysh në dy-tri ditët e para vizitat kanë qenë deri në një milion. Platforma tjetër është edukimi gjithëpërfshirës. Është platformë për fëmijët me nevoja të veçanta, edhe kjo po vizitohet mjaft shumë”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se pandemia ka treguar se digjitalizimi i materialeve mësimore nuk është alternativë por edhe domosdoshmëri.

Sipas saj, Ministria e Arsimit duhet të fillojë me digjitalizimin e të gjitha materialeve për të gjitha nivelet.

“Ne konsiderojmë që është pikënisje e një projekti të madh të digjitalizimit të materialeve mësimore. Kemi bërë hapa të mirë dhe kemi vendosë themele të forta, duhet vetëm të shohim se ku kemi ngecur”, ka thënë ajo.

Bajrami tutje ka shtuar se që kur është ndërpreri procesi mësimor problem ka qenë forma e vlerësimit të nxënësve.

Ajo ka thënë se e kanë paraparë mënyrën e vlerësimit. Sipas saj, në mesin e 5 udhëzuesve është edhe një dokument prej 30-faqesh i përpiluar nga ekspertë më të mirë që ka Kosova, i cili ka paraparë format e vlerësimit për këtë kohë.

“Vlerësimi të bëhet në bazë të aktiviteteve të detyrave të shtëpisë por kemi vlerësuar që nota nuk duhet të jetë më e vogël se para fillimit të mësimit online. Ne shpresojmë që nga fundi i qershorit mund të kthehemi në shkolla por kjo varet nga situata epidemiologjike”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mbajtja e testimeve në disa shkolla është e pamundur për shkak edhe të kushteve jo të mira infrastrukturore.

Bajrami thotë se kanë kërkuar nga mësimdhënësit dhe shkollat të punojnë sikurse nuk do të kthehen në shkolla.

Bajrami: Kemi realizuar mbi 1.800 njësi mësimore, sfida kryesore ishte frika nga infektimi

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, në emisionin “Raport” në KTV ka thënë se janë relativisht të kënaqur me ecurinë e mësimit online, derisa thotë se kanë realizuar 1.800 njësi mësimore.

Mësimi online ka nisur në Kosovë më 23 mars dhe vazhdon ende të mbahet.

“Menjëherë pas vendimit të Qeverisë, kemi filluar punën intensive brenda MASHT-it dhe më 18 mars kemi nisur incizimet dhe më 23 kemi nisur transmetimin. Mund të them se në këto kushte pandemie, jemi relativisht të kënaqur sepse gjithçka ka shkuar mirë. Kemi arritur të realizojmë 1800 njësi mësimore. Të gjitha këto që po i editojmë dhe disa prej tyre i incizojmë nga fillimi”, ka thënë Bajrami.

Por, shumë prindër kanë pasur ankesa për shkak të ngarkesës që kanë pasur për mësimin e fëmijëve të tyre, megjithatë Bajrami thotë se duhet të shihet ana pozitive e kësaj.

“E gjithë kjo ka një anë pozitive, po besoj se s’ka aktivitet më të mirë se t’u kushtosh kohën atyre”, u shpreh ajo.

Bajrami ka falënderuar vullnetarët për mësimin online, e OJQ të ndryshme dhe ndihmën nga Komuna e Prishtinës.

“Sfida më e madhe e jona ka qenë se mbase dikush po na infektohet e kjo do të ishte një ndërprerje e dhunshme e atij procesi, e fatmirësisht ka përfunduar pa asnjë incident”, ka thënë Bajrami.

Ajo tutje ka thënë se tani po bëhen incizime për gjuhën turke dhe boshnjake dhe po punohet në mënyrë intensive.

E një ftesë të tillë Bajrami thotë ta kenë bërë edhe për komunitetin serb në Kosovë, porse nuk kanë marrë përgjigje.

“Ne i kemi bërë thirrje edhe komunitetit serb, por ata nuk iu kanë përgjigjur ftesës tonë. Ftesa ishte që ata të punonin sipas kurrikulës tonë, por s’kanë dhënë përgjigje. Disa të tjerë kanë thënë se po i ndjekin ato nga Radio Televizioni serb”, deklaroi Bajrami.

Sipas saj 90 për qind e nxënësve janë përfshirë në mësimin online.

“Kemi raporte që thonë se përfshirja e nxënësve është mbi 90 për qind, e një pjesë e tyre që skano marrë pjesë është për shkak të mungesës së pajisjeve të mençura. Ka pasur donatorë që kanë ndihmuar me këtë, por ka pasur edhe iniciativa nga krerët e komunave. Ka përpjekje nga të gjithë që të ofrohet mundësia që të realizohet mësimi në distancë. Ne raportet dhe statistikat i kemi marrë nga Drejtoritë komunale, e kushtet ekonomike është arsyeja kryesore e mos pjesëmarrjes. Tani brenda MASHT-it jemi duke shikuar nëse mund të mbulojmë të gjitha këto”, ka thënë Bajrami.

Më Shumë

Edicioni i 53-të i ‘Takimeve të Gjeçovit’ mbahet të shtunën në Zym të Hasit

Edicioni i 53-të i 'Takimeve të Gjeçovit' do të mbahet  të shtunën  në Zym të Hasit. Ky aktivitet kulturor, tashmë i njohur në kalendarin vjetor...

Derbi i takon Ballkanit

Kampioni në fuqi, Ballkani e ka fituar derbin e qytetit dhe atë të xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll ndaj Suharekës. Ndeshja...

Lajmet e Fundit