Filmi më i ri i regjisorit Halil Budakova i përket zhanrit aksion dhe trajton fenomenin tashmë të njohur të haraçit në Kosovë, grabitjes si dhe shantazhit me para.
Filmi më i ri i regjisorit Halil Budakova, “Haraçi” do të shfaqet sot (e diel) premierë në Kinemanë ABC në Prishtinë.
Ky film trajton dukuritë negative që janë të pranishme edhe në vendin tonë.Ngjarja zhvillohet në Kosovë, ku një afaristi i kërkohet haraç nga një grup kriminelesh, por ai refuzon një gjë të tillë duke e vënë vetën në pozitë të vështirë. Banda revanshohet në mënyrë mizore dhe sulmon me armë zjarri shtëpinë e afaristit me çrast vret edhe fëmijën e tij.
Tre shokët e afaristit nga mërgimi kthehen në Kosovë që të hakmerren dhe i dalin në ndihmë mikut të tyre. Sërish e njëjta bandë i’a rrëmbejnë fëmijën njërit prej shokëve, duke i kërkuar 100.000 euro për lirimin e tij. Pas rrëmbimit të fëmijës fillon një luftë e ashpër mes dy grupeve. Policia me vëmendje e ndjek rastin dhe lufton që drejtësia të shkojë në vend.
Në bazë të trilerit të këtij projekti kinematografik shihen skena të dhunës, vrasjeve si dhe sekuenca mjaftë dramatike në situata të ndryshme ku janë të përfshirë protagonistët e këtij filmi i cili përfundon me vrasjen e personazhit të cilin e luan Halil Budakova,shkruan kultplus.
Skenari është realizuar nga Visar Fejzullahu dhe Adil Olluri ndërsa filmi është prodhuar nga SB Film Kosova.
Në këtë projekt kinematografik luajnë edhe aktorët e njohur kosovarë: Enver Petrovci, Çun Lajçi, Adem Zhitopotoku, etj.
Filmi Haraçi prej nesër më 18 nëntor, do të shfaqet në termine të rregullta prej orës 18:00 dhe 20:00.