12.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Nuk e kanë shkatërruar LDK-në as Isa Mustafa e as Avdullah Hoti por Albin Kurti dhe Vjosa Osmani!

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Fillimi i fundit të dobësimit të LDK-së: LDK-ja edhe pas shumë sulmeve, verbale dhe fizike që ia bënë kryetarit, Isa Mustafa, gjeti forcë dhe kurajo të shtrijë dorën e bashkëpunimit LV-së dhe Xhingis Kanit të saj, Albin Kurtit, duke e bërë një Koalicion të Shpresës në të cilin, naivisht pata besuar edhe unë se mund të bëjë gjëra të mira për Kosovën. E vërteta ishte se LDK-ja e hëngri në sy LV-në duke menduar se punët do të shkonin ashtu siç edhe kishin bërë marrëveshje.

LDK-ja e respektoi marrëveshjen parazgjedhore pasi e humbi garën për 1 deputet, Albin Kurti u bë kryeministër dhe Vjosa Osmani që ishte kandidate e LDK-së për kryeministre, u bë kryetare e Kuvendit. Realisht, ndonëse kishte dallime të mëdha brenda LDK-së për kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre, ajo e pati përkrahjen e plotë të partisë, deri sa u bë kryetare e Kuvendit kur kursi i saj politik largohej me një shpejtësi të dritës nga LDK-ja dhe ankorohej në limanin e LV-së. Tash, për Vjosa Osmanin kryetar i saj politik nuk ishte Isa Mustafa por Albin Kurti.

Veprimi fatkeq dhe i pamenduar mirë i LDK-së që në kohë pandemie ta rrëzojë qeverinë Kurti, e fiksoi Vjosa Osmanin për personalitetin e Albin Kurtit dhe që nga atëherë u bë më shumë LV se të gjithë militantët fanatikë të LV-së, të ditëve të para e jo këta që u konvertuan në LV, për një përfitim të çastit. Këta sot përbëjnë shumicën e anëtarësisë së LV-së. Çdo kush që e ka përcjell LV-në, që nga ngjizja politike e deri më sot kur fitoi 50 për qind të votave e ka këtë shumë të qartë. Albini dhe Vjosa për mrekulli e demoluan, çdo ditë e nga pak, LDK-në.

Albin Kurtit shumë do t’i pengonin dy parti të forta shqiptare, PDK-ja dhe LDK-ja prandaj ishte nevojë imediate që njëra, ose të bëhej vazal i LV-së, ose të shkatërrohej. Natyrisht se PDK-ja, me Kadri Veselin, deri sa nuk e dërguan në Hagë në një bashkëpunim edhe me politikën kosovare, ishte arrë e fortë për LV-në dhe, edhe pas arrestimit politik të Kadri Veselit, PDK-ja mbeti arrë e fortë për dhëmbët e LV-së. Për këtë arsye LV-ja u drejtua kah caku më i lëndueshëm dhe kah një kala të cilës muret i ishin dobësuar, jo nga jashtë por nga brenda, nga ambiciet e sëmura për pushtet të disa eksponentëve të LDK-së që kishin mbetur pa grazhd dhe të cilët, edhe sot gjuajnë gurë dhe zjarr mbi partinë që i kishte bërë me emra dhe mbiemra dhe me identitet politik.

Përpjekja e parë e LV-së dhe Albin Kurtit ishte që Vjosa Osmani të bëhej kryetare e LDK-së dhe, pas kësaj LDK-ja do të hynte në raport të vazalit ndaj LV-së. Kur kjo përpjekje dështoi, u aktivizua plani rezervë apo opsioni i dytë për shkatërrim nga brenda të LDK-së. LDK-ja bëri gabim që, menjëherë pasi Vjosa Osmani kundërshtonte vendimet e partisë, nuk e thirri nënkryetaren e partisë të dëgjojë shqetësimet dhe propozimet e saj për LDK-në, dhe nëse do të ishin të dobishme për LDK-në, duhej të përkraheshin. Në të kundërtën është dashur menjëherë ta largojë nga të gjitha pozitat në mënyrë që të mos lejojë gërryerjen e partisë nga brenda, gjë që mjeshtërisht e bëri. Me një mësues brilant si Albin Kurti, nuk e kishte aspak vështirë.

Vjosa Osmani e pranoi në një emision televiziv se, që nga marsi i vitit të kaluar ka planifikuar me Albin Kurtin çdo veprim e që e shpuri LDK-në në kolaps zgjedhor. Natyrisht, nuk jam përkrahës i LDK-së dhe as që kam qenë ndonjëherë, mirëpo kështu i shoh zhvillimet brenda LDK-së. Është interesant se, që nga marsi i vitit të kaluar e sidomos gjatë fushatës, LDK-ja ka qenë subjekti politik më i sulmuari ndërsa PDK-ja ishte kursyer bukur shumë. Kishte gazetarë të specializuar që merreshin vetëm me LDK-në duke e krijuar një percepcion që e shndërruan thuaja në fakt. Për mua rezultati i zgjedhjeve ka qenë befasi dhe, edhe në rastin më ekstrem nuk kam besuar se LDK-ja bie nën 22 për qind të votave. Madje, kam qenë i prirur të besoj se më lehtë do të bjerë PDK-ja se sa LDK-ja.

Sabotimi i zgjedhjeve nga vet LDK-ja: LDK-ja është e vetmja parti e profilizuar si e djathtë të cilës nuk mund t’i mohohet e kaluara shtetformuese e as e tashmja institucionale. Është parti që, sidomos në këtë fazë të procesit, i duhet Kosovës. Deri vonë është menduar se PDK-ja punon pareshtur për shkatërrimin e LDK-së e që, jo se nuk është krejtësisht e vërtetë por roli i LV-së, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit është pakrahasimisht më i fuqishëm për shkatërrim të LDK-së se PDK x 100. Tash, pasi Isa Mustafa dha dorëheqje filluan të rriten kërkesat për dorëheqjen e të gjithëve, në emër të përgjegjësisë për humbjen e zgjedhjeve. Natyrisht se kritikat shkojnë në adresë të Isa Mustafës, Avdullah Hotit dhe Agim Veliut dhe disa të tjerëve në mënyrë që të dominojë rryma e nënkryetares së LV-së Vjosa Osmani. Ky është qëllim dhe jo dëshira e sinqertë për rimëkëmbjen politike të LDK-së.

Për dallim nga përkrahja e parezervë që iu dha në zgjedhjet e vitit 2019 Vjosa Osmanit për kryeministre, ndaj Avdullah Hoti, jo që nuk pati përkrahje të plotë por kishte sabotim nga disa krerë, biseksualë politikë që i binden Isës, sa kishte fuqi kurse tani i vardisen LV-së dhe nënkryetares së LV-së, Vjosa Osmani. Përralla janë tregimet për Listën Guxo. Ishte dhe është vetëm Lista e LV-së, ku Vjosa Osmani mori vota të shumta pikërisht në emër dhe mbiemër të Albin Kurtit dhe LV-së. LV-ja, nëse brenda LDK-së mbizotëron fryma e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, menjëherë do ta bëjë pjesë të koalicionit dhe kjo, në fakt do të ishte shuarje apo vdekje e heshtur politike e LDK-së. LDK-ja nuk duhet të ngutet me dorëheqje të imponuara dhe duhet të jetë shumë e kujdesshme se kënd do ta vë në krye të partisë. Hermafroditët politikë të LDK-së, por edhe të PDK-së po duan ta marrin flamurin e ndryshimeve dhe rimëkëmbjes politike ndonëse, edhe ashtu hanin me dy lugë apo thithnin dy cica!

Për një gjë jam shumë i sigurt; kurrë nuk ka qenë kohë më e mirë për LDK-në dhe PDK-në të kalojnë në opozitë duke i shpëtuar ferrit që na pret me një Serbi fashiste dhe një bashkësi ndërkombëtare biseksuale! Është shumë mirë që LV-ja, me disa deputetë të komunitetit joshumicë e që kanë shpëtuar nga gëlltitja e Listës Serbe, do ta formojë qeverinë që do të jetë qeveri e pakicës dhe që i ka marrë të gjitha përgjegjësitë për proceset që e presin Kosovën. LV-ja dhe Xhingis Kani i saj, Albin Kurti e kanë kohën dhe mundësitë të dëshmohen, duhet të përkrahen nga të gjithë ata që iu kanë kërkuar përkrahje. Opozita duhet të votojë formimin dhe konsolidimin e të gjitha institucioneve, pa asnjë vonesë dhe, së fundi pasi Albin Kurti i ka përjashtuar nga orbita e vendimmarrjes politike, nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta, duhet të punojnë për këndelljen e tyre politike duke mos e marrë asnjë përgjegjësi për dialog me Serbinë, formimin apo deformimin e Zajednicës dhe proceseve tjera. Albin Kurtit dhe LV-së duket se i mjafton Vjosa Osmani, si presidente krejtësisht kukull, Hydajet Hyseni, oportunist gjenial i përmasave ndërkombëtare, si kryetar Kuvendi dhe Albin Kurti, si kryeministër i LV-së dhe një pjese të deputetëve të komunitetit joshumicë.

Kam pritë që Albin Kurti, si fitues absolut i zgjedhjeve, puna e parë që do ta bëjë si kryeministër, do ta shtrijë dorën e pajtimit me opozitën, jo duke e bërë pjesë të qeverisë por duke treguar respekt dhe ndershmëri për 44 vota shqiptare, e që nuk mund të llogariten si të papërfillshme. Rezultati i këtyre zgjedhjeve e ka futur Albin Kurtin në Labirint me shumë të panjohura dhe e ka liruar opozitën nga çdo përgjegjësi, duket me dëshirën dhe vullnetin e Albin Kurtit! Uroj që Albin Kurti të punojë mirë, të ketë sukses në rolin që ia ka caktuar vetës si Mesia i Kosovës sepse, në fund të fundit është qëllim dhe interes i qytetarëve të jetojnë më mirë dhe të kenë perspektivë. Në asnjë mënyrë nuk do t’i gëzohem dështimit eventual të Albin Kurtit por, nëse e kam parasysh qëndrimin e tij pas fitores absolute sikur edhe shock listës për deputetë, i kam dyshimet e mija. Albin Kurti, ose do të qëndrojë në pushtet dy mandate, ose do të fillojë të çalojë pas një viti. Do ta shohim. Shumë shpejt.

E presin bisedimet me një Serbi fashiste, një bashkësi ndërkombëtare që haptazi ia mbanë zhagun Serbisë dhe një situatë të rënduar shumë ekonomike. Dhe, përkundër të gjitha këtyre, Albin Kurti po i injoron 44 vota shqiptare. Gabim i madh dhe me pasoja. Premtimet e Albin Kurtit për një drejtësi sociale sipas parimit të ndarjes së ushqimit me një garuzhdë të vetme, pa një perspektivë të qartë zhvillimore do të sigurojë vetëm mbijetesën. Përkrahja materiale e bashkësisë ndërkombëtare do të kushtëzohet me lëshime politike dhe kjo do të jetë e pashmangshme. Mos të ngutemi përkundër faktit se zhvillimi i ngjarjeve do të ecën shpejt! Dhe, do të jetë vështirë ta përcjellim këtë shpejtësi!

Më Shumë

Përvojë unike 360 gradë, publikohen pamje nga skena gjigante e Eurovisionit

Transmetuesi suedez SVT ka zbuluar skenën mbresëlënëse në Malmö Arena, në të cilën do të interpretohen 37 këngët e Eurovision Song Contest, i cili...

Joshua: Usyk do të jetë fitimtar ndaj Furyt

Anthony Joshua ka bërë një parashikim të guximshëm se kush do ta fitojë përballjen mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk. Më 18 maj, dy...

Lajmet e Fundit