21.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Jahjaga: BE-ja të angazhohet për mbikëqyrjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Jahjaga-MarkRuttePresidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, gjatë vizitës në Holandë, u prit sot nga Kryeministri i Holandës, Mark Rutte. Ata biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, perspektivën evropiane të Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Jahjaga falënderoi Kryeministrin Rutte për mbështetjen e gjithanshme të Holandës, për ndihmën e trupave holandeze dhe për programet e ndryshme të Qeverisë në shumë fusha në dy dekadat e fundit.

Ajo tha se Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në krijimin e një shteti gjithëpërfshirës, me ndihmën e partnerëve të saj ndërkombëtarë. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë që Holanda të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit evropian dhe zhvillimit të saj të qëndrueshëm.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Jahjaga tha se dialogu është mënyra më e mirë që kontribuon në stabilitetin e të gjithë rajonit dhe theksoi se marrëveshja e arritur ndërmjet dy qeverive është e rëndësishme për rrugën e integrimeve evropiane të të dyja shteteve të pavarura. Ajo theksoi se Bashkimi Evropian duhet të angazhohet për mbikëqyrjen e zbatimit të kësaj marrëveshje, përfshirë edhe Holandën, që do të ishte edhe një lloj vlerësimi për perspektivën e integrimit të Serbisë në BE.

Jahjaga tha se Kosova është e përkushtuar për të zbatuar këtë marrëveshje dhe theksoi se Kosova ka ndërmarrë tashmë shumë hapa që kanë të bëjnë me zbatimin e saj në praktikë. Presidentja Jahjaga njoftoi Kryeministrin Rutte edhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë të cilat i vlerësoi të lira dhe demokratike.

Ajo kërkoi mbështetjen e Qeverisë së Holandës për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe tha se Kosova është e përkushtuar për të përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen në këtë proces.

Ndërkaq, Kryeministri i Holandës Mark Rutte, e përgëzoi presidenten Jahjaga për të arriturat e Kosovës dhe e vlerësoi të rëndësishme marrëveshjen e arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se është shumë e rëndësishme hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën, të cilën e ka mbështetur edhe vendi i tij dhe vlerësoi se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ka perspektivë evropiane.

Rutte theksoi se të gjitha të arriturat e deritashme, përfshirë edhe marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe hapjen e negociatave për MSA, do të ndihmojnë dhe shtyjnë përpara proceset në Kosovë. Ai tha se zhvillimi ekonomik dhe investimet e huaja janë të rëndësishme për vendin. Kryeministri holandez u interesua edhe për zhvillimet e tjera në Kosovë, përfshirë edhe zgjedhjet komunale që kanë përfunduar më 1 dhjetor./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Aksion pranveror në Prizren, nis mbledhja e mbeturinave të vëllimshme

Sektori i Mjedisit dhe Menaxhimit të mbeturinave në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, nga sot do të fillojë aksionin...

Me lot në sy, Kiara publikon foton e Luiz Ejllit duke mbajtur vajzën në krahë

Luiz Ejlli dhe Kiara Tito dje janë bërë prindër për herë të parë. Kiara ka ndarë me ndjekësit një foto të papublikuar më parë, direkt...

Lajmet e Fundit